Përplasje dramatike në Austri! Kamioni godet trenin, 16 persona të plagosur

27 maj 2025 | 13:13

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Austri, ku një kamion është përplasur ballë për ballë me një tren, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe flakë të larta që përfshinë të dy mjetet.

Sipas autoriteteve lokale, 16 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar me helikopter shpëtimi në spital.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në një kalim hekurudhor të pambrojtur, ku përplasja fatale shkaktoi shpërthimin e menjëhershëm dhe më pas përfshirjen e trenit dhe kamionit nga flakët. Kabina e trenit u dogj plotësisht, ndërsa re të mëdha tymi u panë mbi zonën e aksidentit, shkruan BILD.

Në tren ndodheshin 10 pasagjerë, tre prej të cilëve përfshirë makinistin pësuan lëndime të lehta, ndërsa të tjerët dolën të tronditur, por fizikisht të padëmtuar. Punëtorë ndërtimi që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kishin thithur tym dhe gjithashtu morën ndihmë mjekësore në vend.

Më shumë se 70 zjarrfikës me 14 automjete ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zonat përreth. Operacioni për shuarjen e zjarrit zgjati disa orë, ndërsa hetimet për shkaqet e përplasjes janë ende në vijim.
Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkakun e saktë të aksidentit, por theksojnë se kalimi hekurudhor nuk ishte i mbrojtur me barriera apo sinjalizim automatik – një faktor kyç që mund të ketë ndikuar në tragjedinë e sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agnesa Gashi shpall të pavlefshme dëftesat e kl. së dhjetë…