Përplasje fizike dhe kërcënim me armë në Gjakovë – tre të dyshuar, njëri me armë pa leje nga Zvicra
Një takim për “zgjidhje mosmarrëveshjesh” përfundoi me rrahje dhe kërcënime me armë në mes të ditës në Gjakovë. Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se më 17 prill 2025, rreth orës 15:00, në rrugën “Ferit Domi” në Gjakovë, Policia ka ndërhyrë në një rrahje në progres, ku të përfshirë ishin tre persona.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit në lidhje me këtë rast janë Lulzim Krasniqi (rreth 34-vjeçar), Amar Juniku (rreth 50-vjeçar) dhe Shkëlqim Kuqi (rreth 45-vjeçar.
Sipas informacioneve operative, konflikti kishte nisur si pasojë e një përplasjeje të mëhershme mes Krasniqit dhe Junikut në shtetin e Zvicrës.
Dy të dyshuarit ishin takuar në një lokal në Gjakovë për të biseduar dhe sqaruar mosmarrëveshjen, mirëpo situata ka dalë jashtë kontrollit.
Gjatë takimit, debati ka degjeneruar në përleshje fizike, ku Juniku dhe Kuqi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Krasniqin.
Ky i fundit më pas ka nxjerrë një armë zjarri të shkurtër nga brezi dhe e ka drejtuar në drejtim të tyre, duke i kanosur.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar menjëherë një patrullë policore, e cila ka arritur të neutralizojë situatën dhe ka konfiskuar një armë të tipit Taurus, bashkë me një karikator të mbushur me 12 fishekë të kalibrit 9x19mm.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të Lulzim Krasniqit nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”.
Ndaj Amar Junikut dhe Shkëlqim Kuqit është iniciuar rasti për veprën penale “Sulmi”, ndërsa të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar.



