 
                    Përplasjet për aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli dëshmon në Prokurorinë e Tiranës
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është marrë në pyetje për rreth katër orë nga Prokuroria e Tiranës.
Organi i akuzës e ka thirrur atë si person që ka dijeni për çështjen e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Në lidhje me këtë rast, në prokurori janë depozituar dy kallëzime: një nga biznesmeni Valon Ademi dhe një tjetër nga vëllai i Pacollit kundër ortakut të tij në projektin e aeroportit.
“Isha për të dhënë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar. Si person i informuar është e drejtë të shkoj dhe të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjigjur. Vëllai im ka bërë kallëzim ndaj personave dhe unë isha praktikisht si person i informuar për të dhënë deklarata”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se ka besim se drejtësia do të funksionojë.
“Qeveria nuk ka të bëjë këtu. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria këtu. Unë e kam lënë në duart e drejtësisë, unë besoj shumë në drejtësi dhe vendimet gjyqësore dhe do të veproj ashtu siç do të pasojë”, është shprehur Pacolli.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        