PËRRALLAT PËR PRESIDENTIN
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Me muzikë serbe nuk luhet Vallja e Tropojës: Në Kosovë sot mund të mungojë çdo gjë; rryma, uji, barnat, morali, integriteti profesional, respekti dhe përgjegjësia por jo edhe patriotizmi, si strehë e horrave të UDB-së, të sistemuar sot me të gjitha të mirat në partinë anarkiste antishtet dhe antikombëtare të quajtur LV. Sot, 90 për qind të listës së deputetëve të LV-së, ministra të kabinetit qeveritar dhe bartës të posteve institucionale, kurrë në jetën e tyre, personalisht apo familjarisht as edhe një pordhë të vetme nuk e kanë shkrepur për Kosovën e lëre më të kenë bërë ndonjë sakrificë. Ata që dikur kanë bërë atë që çdo patriot e ka detyrim ta bëjë për vendin dhe popullin që i takon, janë paluar para “grazhdit të Albinit” duke harruar dhe mohuar të kaluarën e tyre. Dikur ushtarë krenarë të Adem Jasharit sot rrogëtarë pa dinjitet të grekes Dejona Mihalit. Dikur nxënës dhe studentë të Bacë Adem Demaçit, sot jargavitës të Agim Bahtirit e Haxhi Qamilit! Dikur frymëzoheshin nga Dervish Shaqa dhe Tish Daija, sot nga pevaçicat e Arkanit! Dikur fjala kishte peshë sot rrena dhe mashtrimi janë mbipeshë! Dikur ushqeheshim me patriotizëm nga Fishta dhe “Lahuta e Malcisë”, sot patriotizëm shet Lahutari Llaskuc dhe Nezir Kraki me “Shtatë Ligjet e Budallakisë”! Që nga koha e ish-Jugosllavisë, kurrë në Kosovë nuk ka pasur politikanë a qeveri që aq belesh e kanë marrë pushtetin se kjo garnitura kryesisht antikombëtare e LV-së prandaj as që iu intereson se çka bëhet me shtetin deri në kohën sa e kanë pushtetin. Këta, me mendësi jugosllave dhe serbe e që Albin Kurthi i ka metastazuar në të gjitha poret e pushtetit mund edhe të flasin shqip, madje një shqipe të standardizuar të Qabejt dhe Kostallarit sikur që e bëjnë Agim Bahtiri, Matoshi Adriana, Llalloshi Edona, Hajdari Rozeta dhe “gjuhëtarë” tjerë të shquar por 80 për qind e LV-së nuk janë në gjendje të mendojnë dhe veprojnë shqip sepse nuk e kanë për zemër dhe shpirti nuk ua donë! Sikur edhe një numër i madh i votuesve të tyre, jugonostalgjikë, proserbë, anti UÇK-së, kundër të burgosurve politikën, kundër Bacë Adem Demaçit, kundër Adem Jasharit, kundër Rexhep Malës dhe patriotëve të vërtetë shqiptarë. Për shumicën e tyre, Vallja e Tropojës është kundërvlerë artistike dhe kulturore, Vallja e Uzhicës dhe këngët e Cecës janë identitet i tyre kombëtar dhe kulturor. Me këto janë rritur, frymëzuar dhe deformuar.
Për Presidentin: Miguel Asturias, shkrimtar dhe diplomat nga Guatemala e ka një roman të shkëlqyer: “Zotëri President” me të cilin, midis tjerash e kishte fituar Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1967 duke përshkruar jetën nën regjimin autokratik dhe diktatorial në Guatemala. Edhe në mandatin 5-vjeçar të Vjosa Osmanit jemi përballur në një autokraci të Kurthit e që “Zonja Presidente” me asgjë nuk e ka penguar, madje ka shërbyer si “Kamxhiku i Atiles” kundër opozitës, mediave, shoqërisë civile, sistemit gjyqësorë në përgjithësi dhe Gjykatës Kushtetuese në veçanti! Në vend ta luftojë autokracinë, i shërbeu si rrogëtare e bindur! Tash e kërkon edhe një mandat, pa u skuqur fare, e liruar dhe çliruar nga çdo skrupull moral. Moti ka pëlcitur marrja! Kurthi tani i adrenalizuar tej mase me 57 deputetë, po e luan të fortin duke luajtur edhe me Vojsën, vështirë t’i bëjë 80 deputetë, e shohim dhe pordhë të tjera. Kurthi është shumë i interesuar ta bëjë Vjosën presidente edhe për një mandat sepse nuk e gjen askënd që i bindet pa asnjë kundërshtim. Kurthi është sadist, nuk e pranon asnjë nënshtrim çfarëdo qoftë ai pa i shkaktuar dhimbje, vuajtje dhe poshtërim të nënshtruarit. Vjosa Osmani i pranon të gjitha këto për edhe një mandat prandaj i palohet Kurthit ndërsa kërcënon opozitën, personalisht dhe përmes anatomisë të quajtur peci. Kurthi është për Vjosën mirëpo lexova diku se mund ta propozojë Bekim Jasharin për ta kaluar Zajebnicën dhe për t’u mbrojtur nga autoriteti dhe karizma e Hashim Thaçit, nëse ai lirohet. Para se të propozohej Vjosa Osmani, përfolej për Murat Jasharin por se ia hodhën paç sikur kur e propozuan për Avokat të Popullit. Opozita e në veçanti LDK-ja, në asnjë rrethanë nuk duhet ta votojë Vjosa Osmanin sikur që nuk e ka asnjë detyrim ta votojë Bekim Jasharin. Opozita duhet ta propozojë presidentin e jo Albin Kurthi. Nëse Albin Kurthi nuk tregohet bashkëpunues, le t’i sigurojë 80 deputetë për zgjedhje të presidentit dhe votim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nëse Kurthi, me zgjedhje të vjedhura dhe të blera me para të shtetit dhe oligarkëve ka për qëllim shtypjen dhe poshtërimin e opozitës, dy duar për një kokë janë! Opozita ose duhet të bëjë punën e opozitës, ose le t’i lëshojë poturet! Opozita nuk ka kohë ta bëjë reformimin e brendshëm sikur në shtetet normale, reformimin duhet t’ia përshtatë rrethanave që nuk është as e rregullt e as normale. Duhet të luftojë me armët e Kurthit. Nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhet pjesë e skenarit të fshehtë dhe kriminal për krijimin e Zajebnicës dhe Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Keni parë dvojkën Kusari – Pacolli në Solloturn të Zvicrës, bashkë me mjeranat e opozitës. Keni parë dezertorin e UÇK-së, Sfeqlën në Cyrih me paramilitarët politikë të Vuçiqit e këndej kundër Vuçiqit dhe LS-së. Të shoqëruar nga mjeranat e opozitës kosovare. Nëse opozita mendoj të dalë nga koma politike, nuk ka çka kërkon në këto takime. Jam i sigurt se Kurthi do të realizojë të gjitha detyrimet që i ka trashëguar e që janë shumë më të lehta se këto që i ka pranuar bashkë me projugosllavin e përjetshëm, Veton Surroi dhe mercenarin Weller. Kurthi po punon në modelimin e paketimit të federalizimit të Kosovës sikur që e bëri me tokat që ia barti Manastirit të Deçanit, me një nënshkrim brenda natës.
Tash i ka tri kërkesa për normalizim me Serbinë:
- Tërheqja e letrës së Ana Bernabiqit dërguar vendeve të BE-së.
- Dorëzimi i Milan Radoiçiqit, punë që nuk bëhet dhe që asnjë shtet nuk e kërkon. Radoiçiqi është shtetas i Serbisë dhe Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje për ekstradim. Pastaj, Serbia ka filluar procedurën hetimore kundër Radoiçiqit dhe nuk ka asnjë detyrim ta ekstradojë. Edhe nëse Radoiçiq hipotetikisht arrestohet në një vend të tretë, ekstradimi, sipas ligjeve ndërkombëtare nuk do të bëhej në Kosovë por në Serbi.
- Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Kurthi e ka të qartë që asnjë vend nuk e ka kërkuar që kjo Marrëveshje të nënshkruhet dhe as që do ta kërkojë për faktin që zotimi publik e ka forcën dhe detyrimin e zbatimit të marrëveshjes.
Këto “kushte” të Kurthit janë për përdorim të brendshëm për trutharët dhe analfabetët funksionalë të LV-së. Si ai kushti se nuk do të bisedohet me Serbinë pa treguar Serbia se ku janë personat e zhdukur, pa kërkimfalje për krime të luftës në Kosovë dhe pa kompensimin e dëmeve të luftës .
A e plotësoi Serbia ndonjërin nga kushtet e Kurthit? Asnjërin hiç. A bisedoi Kurthi me Serbinë. Po. Thjesht PO.
Kështu do të ndodhë edhe më këto tri kërkesa të Kurthit. Do të bindeni.
Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha: Jemi një grup i shokëve që i kemi ndejtë afër Bacës Adem Demaçi deri sa iku në përjetësi. Sa ishte Baca Adem gjallë bënim bashkë pelegrinazh në Vendpushimet e Përjetshme të Heronjve të Kombit dhe rregullisht vizitonim familjet e tyre. Tash, neve të gjallëve na ka mbetur detyrim kombëtar dhe moral ta vazhdojmë traditën e Bacës. Kështu vepruam edhe më 11 janar 2026. Elmiu, Avdullahu, Bujari, Fazliu, Selajdini dhe unë vendosëm kurora dhe buqetë me lule në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Gjilan dhe në vendprehjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës si dhe në vendprehjen e ish të burgosurit politikë dhe ushtarit të UÇK-së, bashkëveprimtar i ngushtë i Rexhep Malës, Ilmi Ramadani që iku nga kjo botë vitin e kaluar. Mungoi edhe Nuhi Ahmeti që ishte jashtë vendi. Mosha dhe shëndeti i dëmtuar nga burgjet e gjata në llogoret jugosllave po ndikojnë që ne të pakësohemi në numër dhe të kufizohemi në lëvizje.
Pastaj e vizituam kazermën e Forcës së Sigurisë në Gjilan. Si çdo herë, vizituam familjen e Rexhep Malës për të bashkëbiseduar dhe këmbyer kujtimet.
Nuhi Berishën nuk e kam njohur apo takuar ndonjëherë. Me Rexhep Malën kemi bërë burg bashkë në Foçë dhe Mostar, ish Bosnjë dhe Hercegovina në Jugosllavi. Ishin edhe Skender Kastrati dhe Agim Sylejmani.
Rexhep Malaj ishte i jashtëzakonshëm, i lindur për ilegalitet dhe luftë guerile. I vendosur për sakrificë në çdo kohë dhe për t’i ruajtur shokët në çdo situatë. Në të ngërthehej vizioni politik i Hasan Prishtinës, zemra dhe shpirti luftarak i Çerçiz Topullit si dhe fanari udhërrëfyes drejt lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar i Bacë Adem Demaçit. Kishte konstruktin fizik të trashëguar nga shqiptari malësor, Mehmet Malajt, babait të tij që e bëri krenar, si valëzim patriotik i familjes Malaj.
Rexhep Malaj ishte i gatshëm të sakrifikohej në çdo kohë për tri gjëra: lirinë dhe bashkimin kombëtar, për Shqipërinë dhe Bacë Adem Demaçin. Nuk bënte kompromis midis vdekjes së jetueshme dhe sakrificës për liri. Gjithmonë e zgjidhte të dytën, sakrificën për liri. Ne që udhëhiqemi nga kalendarët se sa vite do të jetojmë, se a do të bëhemi prindër të mirë, çfarë gjyshër do të jemi, jemi vdekatarë të rëndomtë, pa vullnet për ta prerë biletën për amshim – përjetësi. Rexhep Malaj nuk ishte i tillë, dallonte nga ne. Rexhep Malaj e kishte një bashkëshorte të jashtëzakonshme dhe madhështore, zonjën Hanife dhe një vajzë që e donte shumë, për mua fotokopje e Rexhepit – Fitoren. Kishte një vëlla shumë të angazhuar politikisht dhe kombëtarisht – Hasan Malën. Një mjedis i mirë për të mbijetuar. Por nuk kishte kushtin kryesor për ta jetuar një jetë të jetueshme – lirinë! Prandaj e zgjodhi rrugën e lirisë, rrugën për të cilën nuk ka çmim që nuk duhet të paguhet. U shndërrua në Yll ndriçues për popujt që e duan lirinë në përgjithësi dhe lirinë shqiptare në veçanti. Rexhep Malaj sot i duhet shumë Kosovës. I duhet fryma e tij, vullneti i tij, gatishmëria për sakrificë dhe mosdorëzimi para asnjë vështirësie. Personalitete si Rexhep Malaj janë shkëndija shekullore, meteorë që gjithmonë lëvizin mbi yllësinë shqiptare. Janë të papërsëritshëm, brenda zjarr të mbështjellë me mbështjellësinë e pavdekësisë!
Për aq sa mburremi me Rexhep Malën dhe Heronjtë e Kombit, ndjehemi me faj që rrugën e tyre nuk e përfunduam. Disa thjesht u lodhën, disa u dhanë pas pasurisë, disa i shitën për karrige, disa pas grykësisë.
Prandaj Rexhep Malaj, na fal dhe mëshirohu ndaj nesh. Thjesht nuk ishim si ti, në pamje po, në veprime jo.



