PËRSE KEQPORTRETIZOHET TAKIMI I HOLBROOKE ME UÇK NË JUNIK?

25 shkurt 2026 | 12:35

Reagim ndaj një përshkrimi gjysmak rreth pjesëmarrjes sime, si epror i UÇK, në takim me ambasadorin Richard Holbrooke, më 24 qershor 1998 në Junik, përshkrim i bërë në “Pikë” në bashkëbisedimin midis Veton Surroit dhe Blerim Shalës më 25 janar 2026.

Shkruan: Hajdin Abazi

Një mënyrë për të minimizuar ose për të lënë mangësi në ndonjë përshkrim është kur anashkalohen detajet pararendëse dhe theksohet vetëm një detaj, i shkëputur, nga konteksti dhe mozaiku i tërë asaj që i paraprin një veprimi, me çka mund të duket detaji i përzgjedhur krejt i çoroditur.

Pikërisht kjo ka ndodhur me mënyrën se si portretizohet nga Blerim Shala dhe Veton Surroi hyrja ime në odë, si një futje brenda e papritur, sikur të isha imponuar dhe të kisha shkuar kundrejt të gjitha traditave shqiptare për t’u ulur afër Holbrooke! Disa kanë theksuar se kam pas prirje për t’u dukur, për t’u bërë viral në media!

Kjo nuk është aspak e vërtetë, është thjesht një keqportretizim që nuk e kuptoj përse bëhet nga këta dy pjesëmarrësit të atij takimi.

Për ata që nuk e dinë, dua të sqaroj se unë kam qenë i organizuar në lëvizjen atdhetare që nga viti 1973 dhe jam arrestuar e dënuar politikisht me katër vite burg në moshën 20-vjeçare për shkak të veprimtarisë sime atdhetare e liridashëse. Edhe pas burgut, unë nuk e kam ndalë veprimtarinë dhe regjimi pushtues serb me duart e tij të zgjatura në Kosovë nuk e ka ndalë përndjekjen ndaj meje, si ndaj mijëra të tjerëve. Në vitin 1986 arratisem jashtë vendit për t’i shpëtuar riburgosjes. Në diasporë kam vepruar në kuadër të Lëvizjesh Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) asokohe. Nga mërgimi, më 8 mars 1998 jam nisur për në Kosovë, që të marrë pjesë në luftën çlirimtare. Kushdo që ka lënë mirëqenien e perëndimit dhe i është përgjigjur thirrjes së atdheut për liri, do të ishte absurd të mendohet se shkohet në frontin e luftës për t’u bërë i njohur përmes mediave – kështu mund të mendojë vetëm ndonjë mendjeshkretë dhe që e urren luftën çlirimtare, ose që është aq naiv sa nuk e kupton se në frontin e luftës më afër është vdekja se sa fama! Me këtë, dua t’ua bëj të qartë të gjithëve se nuk kam pasur asnjëherë lakmi për protagonizëm, pasi që protagonizmin e kam krijuar realisht me angazhimin tim për liri nga mosha 14 vjeçare si dhe me punën intelektuale dhe krijimtarinë letrare, publicistike dhe filozofike.

Atëherë, përse pikërisht pjesëmarrja ime në takim me ambasadorin Holbrooke u bë target i keq portretizimit?

Për një grup njerëzish që e atakojnë, duke e keq portretizuar praninë time në atë takim, e di se përse e bëjnë. Ata janë të tillët që kishin agjendë që Kosova të mbetej vetëm me autonomi nën Serbi, dhe janë edhe sot e kësaj dite të pakënaqur se përse nga ai takim ndërroi ajo agjendë, pasi që Holbrooke premtoi se “nëse UÇK-ja bashkërendohet me SHBA, Kosova do të bëhet shtet i pavarur”.

Për shumë arsye, kryesisht jo personale po për shkak të kontekstit historik në të cilin ndodhemi, nuk kam reaguar më parë, por edhe për faktin se e kuptoj irritimin e atyre që u janë prishur agjendat autonomiste serbosllave.

Ndërkaq nuk e kuptoj dhe më është e paqartë se përse të njëjtin keq portretizim e bëjnë edhe z. Surroi e edhe z. Shala.  Sidomos përse këta, kur e dinë të vërtetën? Si kanë guximin intelektual të dalin me të pavërteta publikisht, kur mund t’u lëndohet kredibiliteti i tyre edhe si veprimtarë e edhe si publicistë pasi që e vërteta mund të argumentohet pa më të voglin dyshim.

Ajo që dua qysh në fillim ta sqaroj, për shkak se kanë kaluar shumë vite dhe gjërat mund të jenë harruar, është se pas ardhjes së Christopher Hill në Junuk, pasi e raportoi takimin Gani Shehu në mbledhjen e Shtabit të Nënzonës së UÇK për Junik dhe Rekë, me urdhrin e Komandantit asokohe major Sali Veseli u vendos që unë, Hajdin Abazi me pseudonimin e luftës Lum Haxhiu epror për moral, politikë dhe informim dhe Gani Shehu komandant i Shtabit të UÇK për Junik – të ishim përgjegjës për marrëdhëniet me publikun (MP) në emër të Shtabit. Kjo u bë me qëllim që për UÇK të flitej nga të ngarkuarit e Shtabit dhe në linjë me objektivat çlirimtare.

Përshkrimi gjysmak i hyrjes sime në odën ku ishte Holbrooke

Përshkrimi bëhet në minutat 34:10 dhe 37:14 – 38:18. Për hir të objektivitetit, që lexuesi të mund ta krijojë një pasqyrë të plotë për atë që bëhet fjalë, po e paraqes ashtu sikurse z. Shala e z. Surroi u shprehën.

 Blerim Shala: “Është një përpjekje e vazhdueshme që të këtë komunikim me UÇK, ku kemi luajtur rol edhe ne… pastaj kemi shkuar në Junik, së dyti, të gjithë së bashku me Holbrookun, që u pat bë takimi i njohur me Hajdin Abazin dhe fotografinë që u soll nëpër gjithë botën për dy orë..”

Veton Surroi: “Në fakt, nuk jemi pas nis për Junik”

 Blerim Shala: Jo, për Junik po, se kur kemi qenë për herë të parë në Junik, Hilli ju pat dhënë fjalën që do të kthehemi. Ne jemi nis për Isniq…”

Veton Surroi: Ideja ka qene që të takohemi me Ramushin, të cilin nuk e kam njoftë unë…”

 Blerim Shala: “Jo, as unë… po ideja ka qenë të shihet një luftëtar i mirëfilltë..”

Veton Surroi: “Dhe ideja ka qenë që me komunikua amerikanët me një komandant të UÇK…”

 Blerim Shala: “…ishte një kolonë me media prapa nesh, me gazetarë ndërkombëtar, me gazetarë kosovar… Pastaj patëm shkuar edhe në Junik, ku ndodhi ajo me Hajdin Abazin”

Veton Surroi: “Po kjo e Junikut nuk ka qenë e planifikuar, as Hajdin Abazi nuk ka qenë i planifikuar…”

 Blerim Shala: Jo, jo, nuk ka qenë…”

Veton Surroi: “Ne hymë në odë të shehut…”

 Blerim Shala: “Një odë tipike e Junikut, shumë e bukur, edhe filluam bisedën… Pyetjet e zakonshme që Holbrooke i bënte për jetën në rrethana lufte, çka po mendoni për gjithë këtë situatë, kur hyni Hajdin Abazi, hyni me pushke, hyni me çizme…”

Veton Surroi: “U shty…”

 Blerim Shala: “U shty… u ul afër Holbrookut. Dhe neve na kujtohet se Holbrooku na pat thënë se ky zotëria s’po i ditka rregullat e juaja shqiptare, se në odë nuk hyhet me pushkë dhe nuk hyhet me çizme; pushka – viret, çizmet – hiqen edhe ulesh. Po kryesorja, efekti u mbërri, dorën në zemër. U pa se UÇK-ja është faktor i pashmangshëm, i paevitueshëm në këtë proces…”

Ka shumë gjëra që mund të derivohen nga ky dialog, por unë do të kufizohem vetëm në disa prej tyre.

Përse ky përshkrim gjysmë i vërtetë i hyrjes sime në odë ku ishte Holbrooke?

Sa i përket takimit në Junik, plotësisht është e vërtetë se unë nuk kam pasur dijeni paraprakisht se do të vinte Holbrooke e as që do të takoheshim ne si UÇK me të. Për mua, ka qenë krejt i befasishëm ai takim. Dhe këtë e kam thënë qysh atë ditë dhe e kam përsëritur sa herë jam pyetur, derisa edhe e kam sqaruar edhe në librin tim me kujtime “Takimi në Junik” (botuar nga Kolegji AAB, më 2018). Për mua, ai takim ishte rastësor. Por pesha e tij, ishte tejdimensionale, ashtu sikurse e thekson me të drejtë z. Shala në “Pikë” dhe gjetiu.

E sa i përket shpjegimit se si kam hyrë unë në odë, ashtu sikurse e bënë z. Shala dhe z. Surroi, nuk është aspak korrekt. Për ata që nuk kanë qenë prezentë dhe që e shohin vetëm atë insert të hyrjes sime, vizualisht ashtu duket. Por realisht dhe ashtu sikurse ka shkuar tërë takimi prej fillimit deri në fund, është shpjegim gjysmak dhe gjysmë i vërtetë që bëhet nga këta dy pjesëmarrës të atij takimi, të cilët e dinë të vërtetën, që nga mbërritja e tyre aty ku u takuam e deri sa ka përfunduar takimi. Sido që të jetë, nuk munden në asnjë mënyrë të thonë se nuk e dinë të vërtetën. Dhe unë do t’i ndihmoj paksa duke ua kujtuar detajet si fakte që edhe ata i dinë.

Ashtu sikurse e përshkruajnë ata (B. Shala: … hyni Hajdin Abazi, hyni me pushke, hyni me çizme…”, Veton Surroi: “U shty…”, Blerim Shala: “U shty… u ul afër Holbrooke…), del se unë jam shfaqur aty në odë befas, kur nuk e ka pritur askush, me armë në dorë dhe kam hyrë me çizme në odën e respektuar e tradicionale të Junikut, thua se isha farë cubi e jo një intelektual dhe me kulturë nga perëndimi. “Shtyrjen” kurrë nuk e kam pas në gjak, gjithnjë kam lëshuar udhë për të tjerët dhe vetëm kur ka qenë e pashmangshme, atëherë jam shfaqur, gjithnjë vetëm nëse ka qenë përgjegjësi e imja.

Të trumbetosh “të vërteta” të shkëputura nga peizazhi tërësor në publik ka një rrezik: demantimin. Sidomos nga pjesëmarrësit e ngjarjeve, po, në rastin konkret, edhe nga faktografia, pasi që, sikurse e thotë z. Shala, në përcjellje të Holbrooke ishin një kolonë e mediave ndërkombëtare e kosovare dhe që vazhdimisht xhironin.

Si kishte ndodhur ardhja Holbrooke në Junik?

Së pari, ishte apo nuk ishte e qëllimshme ardhja e Holbrookut në Junik që problematizohet nga dy bashkëbiseduesit. Z. Surroi thotë se nuk ishte e planifikuar shkuarja e emisarit special te presidentit Clinton në Junik. Kurse z. Shala thotë se ishte, pasi që ambasadori (Christopher) Hill nga takimi i parë në Junik, ju kishte premtuar se do të vinte sërish t’i vizitonte. Çfarë rrjedhë nga kjo? As njëri dhe as tjetri nuk kanë të drejtë, ose se edhe njëri e edhe tjetri kanë të drejtë. Si është e mundur kjo? Kjo është e mundur sepse asnjëri prej tyre nuk i dinin të gjithat detajet, atë që nuk e dinte z. Surroi (se Hill ju kishte premtuar junikasve se do të vinte sërish në Junik) e dinte z. Shala meqë kishte qenë me të. Mirëpo, edhe kjo nuk është e tëra dhe nuk e shpjegon nga brenda arsyen e vërtetë.

Për mua, ky mospajtim është krejt i kuptueshëm, sepse, në këso rastesh, vetëm njohja e detajeve mund të hedhë dritë edhe në mundësi të tjera, pra se takimi në Junik mund të ishe i planifikuar ose të mos ishte.

Unë nuk e di se si ka ndodhur ardhja e Holbrooke në Junik, thjesht sepse nuk kam qenë në atë mes. Por ka një shpjegim nga një dëshmitar se si ka ardhur deri te takimi. Dhe këtë, do të duhej ta dinin edhe z. Surroi e edhe z. Shala. Ky shpjegim mund të gjendet në  “Cosmo – Kohavizion”, të datës 24 mars 2017 në Facebook (https://www.facebook.com/watch/?v=1337010686376280&vanity=CosmoKTV)

Aty reporteri i Reuters, Shaban Buza, tregon se dy ditë para se të vinte Holbrooke në Junik, më 22 qershor 1998, kishte ardhur Kurt Schork, me të cilin jam  takuar dhe unë dhe ai ka përgatitur një reportazh, inserte të të cilit jepen në “Cosmo – Kohavizion”.

Pasi që dështon shkuarja në Isniq, duke u kthyer dhe duke qenë në veturë me Holbrooke, Kurt Schork i sugjeron Holbrooket që të ndalet dhe të shkojnë në Junik. Pikërisht për këtë, që në fillim të bisedës në odën e Metë Shalës në Junik, Holbrooke më thotë: “A je ti ai shkrimtari me armë në duar që lufton për vendin tënd?”, çka tregon se ai kishte dijeni se cili isha unë paraprakisht, pasi që isha anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Përtej kësaj, edhe më parë kam pas kontakte me diplomatë të SHBA në Suedi, po edhe me shumë qeveri e parlamente të vendeve të ndryshme evropiane për shkak të veprimtarisë sime në diasporë, dhe si shkrimtar e si i përndjekur gjithkund më kanë pritur me respekt.

Para hyrjes në odë, a nuk ju kujtohet se kush e priti Holbrooke që në fillim në Junik?

Prezenca ime në takim me Holbrooke nuk ishte një “hyrje” pasi që veç ishin ulur të gjithë në odë, dhe u imponova për t’u bërë pjesë e takimit, ashtu sikurse thonë se “u shtyra” për t’u ulur afër Holbrooke. Kjo “shtyrje” nuk është absolutisht e vërtetë, është një trillim që nuk do koment!

Jo, nuk ishte ashtu. Të paktën, si pjesëmarrës të takimit, do të duhej ta dinin edhe z. Veton Surroi e edhe z. Blerim Shala se  kishte një zhvillim paraprak deri te hyrja në odë.

Fati që ngjarja ka qenë e regjistruar nga kamerat e “kolonës së mediave” që e shoqëronin eskortën e Holbrooke, përndryshe keq portretizimi i hyrjes sime në takim do të vulosej me përshkrimin gjysmë të vërtetë të këtyre dy pjesëmarrësve. Por objektivi i kamerës ishte i paanshëm dhe regjistroi gjithë ç’kishte parë.

Dhe ja e vërteta e asaj që i parapriu atij takimi:

Në hyrje të Junikut kishin ardhur dy veta si pararojë nga personeli i sigurimit të Holbrooke dhe kishin nisur komunikimin me Gani Shehun. Ganiu kishte dërguar një ushtarë të UÇK të më merrte në Shtab. Kur mbërrina aty, i shoh dy veta me radiolidhje në duar dhe që komunikonin vazhdimisht. Ganiu më njoftoi se kishte ardhur Holbrooke, por se kishte një problem: forcat serbe donin të vinin për të siguruar Holbrooke. Të dy, unë dhe Ganiu, dakordohemi se jo, me përcjellje të forcave policore serbe nuk pranojmë të takohemi me Holbrooke. Pas pak minutash, ai i cili ishte më i gjatë me trup, erdhi e na njoftoi se Holbrooke po vjen pa përcjelljen e forcave serbe.

E dinit ju z. Surroi dhe z. Shala këtë insert të para ardhjes së Holbrooke në Junik?

Merre nga do ta marrësh, kërkesa që forcat serbe ta shoqëronin Holbrooke në “zonën e lirë të UÇK” sikurse ishte Juniku, ishte një provokim i hapur. Mos rënia e UÇK në këtë provokim ishte fitorja e parë themelore ndaj dinakërisë serbe, të cilët gjoja shqetësoheshin për sigurinë e Holbrooke e cila mund të kanosej nga UÇK! Ndonëse ishte e jashtëzakonshme ardhja e emisarit special të presidentit Clinton në takim me UÇK, ishte e papranueshme që forcat serbe të rehabilitoheshin si garantues të sigurisë së Holbrooke, kur ata ishin shkaktarët kryesor të terrorit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sigurisht, ishte edhe dëshmia para Holbrooke se UÇK ishte aq e pjekur sa të dinte të thoshte po kur duhej, por edhe jo kur nuk bënte ndryshe. Athua, ç’pamje do të ishte sikur Holbrooke të vinte në Junik nën përcjelljen e forcave serbe – a nuk do të dukej UÇK në atë rast si një organizatë terroriste, pasi që duheshin forcat pushtuese serbe ta siguronin praninë e Holbrooke?

Asokohe keni mundur të mos e dini këtë z. Shala e z. Surroi, dhe është e kuptueshme. Por më pas keni mundur ta shihni reportazhin dhe ta mësoni edhe këtë të panjohur për juve, e që do ta kuptonit më drejt se aspak nuk ishte “hyrje” dhe shtyrje” prania ime në odë.

Në një nga këto reportazhe, ende i qasshëm në Youtube (https://youtu.be/GzAxVlP96y8?si=X7xHz6gklMm_30nW), në minutën 1:30 -1:51, shihet se unë bashkë me Ganiun e presim ambasadorin Holbrooke, përshëndetemi dhe madje edhe kur pyet se kah do të shkojmë, unë i tregoj me dorë drejtimin se kah do të ecim për tek vendi se ku do të mbahej takimi. Madje, në këto inserte shihet se keni qenë afër edhe ti z. Surroi e edhe ti z. Shala, kur afrohemi te shtëpia ku do të ngjiteshim lart në odë. Nëse e keni harruar këtë pamje, ju sugjeroj t’i shihni insertet në linkun e mësipërm dhe ta freskoni kujtesën që të mos bëni të njëjtin përshkrim të pasaktë dhe gjysmë të vërtetë, sepse nuk ju nderon aspak.

Unë jam ngjitur bashkë me Holbrooke deri te hyrja e odës, kur ai nis t’i zbathë këpucët, hyn pak brenda dhe ju thotë atyre që veç kishin hyrë e ishin ulur, të ngritën, t’i heqin këpucët e pastaj të ulen pasi që sipas traditës shqiptare në odë hyhet zbathur. Ata bëjnë ashtu, me përjashtim të ambasadorit Christopher Hill, i cili nuk lëviz vendit dhe nuk i zbath këpucët.

Përse hyj brenda në odë me vonesë?

Pas kësaj, unë nuk shihem në pamjet e xhiruara, ndërsa të tjerët, ndërkohë, kishin zënë vend në odë.

Kjo ndodhi, sepse erdhi një ushtar dhe më njoftoi se kishte të shtëna armësh dhe se dukej se mund të kishte rrezik për sulm nga forcat serbe. Unë zbrita poshtë shkallëve, dhe ju dhashë udhëzime ushtarëve se si duhej vepruar në rast sulmi eventual. Kjo ishte çështje sigurie, që duhej vepruar me urgjencë. Dhe kjo dukej e gjasshme, pasi që ne kishim refuzuar forcat serbe që të vinin si siguri për Holbrooke.

Se kishte të shtëna të tilla andej nga ishin forcat serbe, mund të vërtetohet edhe nga gazetarja Valbona Mehmeti, te inserti i “Cosmo – Kohavizion”, e cila rrëfen se si kanë dëgjuar rafale të shtënash dhe kanë parë një helikopter të ushtrisë serbe i cili ka filluar të shtijë në drejtim të gazetarëve. E kur kihet parasysh se distanca nuk ishte as një kilometër midis postbllokut serb dhe barrikadës në hyrje të Junikut, kuptohet se do t’i kenë dëgjuar ushtarët e UÇK e do të kenë pasur nevojë të marrin udhëzime të qarta. Në të vërtetë, kjo ishte kompetencë e Gani Shehut si komandant i UÇK për Junikun, të cilit do të duhej t’i drejtohej ushtari, por, nuk e di përse, ai m’u drejtua mua.

Pasi i kreva udhëzimet me grupin e ushtarëve se si të reagonin në rast se na sulmonin forcat serbe ndërkohë që ne ishim në takim, u ngjita lart te oda.

Tashmë të gjithë kishin zënë vend.

Si u bë që hyra mbathë dhe me armë në duar?

Po qe se merret e shkëputur nga konteksti, duket njëmend sikur unë u shfaqa vetëm kur të gjithë ishin ulur në odë dhe po bisedonin, dhe po doja të ulesha afër Holbrooke. Për ata që nuk kanë qenë të pranishëm, po mund ta shohin vetëm atë insert, edhe mund të kuptohet nëse e perceptojnë ashtu, porse jo edhe për ata që shin aty në odë, pra jo për z. Surroi dhe z. Shala.

Kur i pashë se ishin zbathur dhe ishin ulur, unë e kisha hallin se si të veproja: t’i hiqja çizmet, këmbët më kundërmonin se kisha disa ditë që nuk i kisha zbathur çizmet. Megjithatë, që të përfillja traditën e odës, u përkula me e zgjidh lidhësen e çizmeve, ani se i zoti shtëpisë më kishte thënë ditë më parë që të mos i zbathja çizmet pasi që unë isha me uniformë. Ndaj dhe në atë moment, i zoti i shtëpisë, Metë Shala, më thotë: “Lum Haxhia, mos i hjek cizmet. Unë jam zot shpie k’tu. Eja hin brenda si gjithmonë. Mos i hiç çizmet!” (Takimi në Junik, f. 61). Kjo më çliroi, dhe nuk kishte se si të mos i bindesh të zotit të shtëpisë.

Kur hyra brenda, e hoqa armën dhe desha ta vari në një gozhdë në muri, kur përsëri i zoti i shtëpisë, i cili dukej se më përcillte me vëmendje, më tha: “S’ke nevojë Lum Haxhia. Ti ke dhënë prova  se i beson kësaj ode! Mos e var pushkën aty, – tha ai me një zë që nuk lente hapësirë për diskutim. – Mbaje armën Lum Haxhia!” (aty, d. 63).

Pas kësaj, unë po shihja se ku ka një vend të lirë për me u ulë, dhe ishte vetëm një aty afër derës së hyrjes dhe unë desha me u ulë aty. Po përsëri, i zoti i shtëpisë, Metë Shala, i cili po më ndiqte me vëmendje, më tha: “Lum Haxhia, eja e zin vend k’tu, te Hollbruku, – tha me zë urdhërues Metë Shala, dhe iu drejtua tandemit tim për MP: – Gani Shehu, bani vend Lumit me u ulë ngat Hollbrukut!” (f. 64). Dhe Ganiu shtyhet paksa për të më bërë vend mua.

Të gjitha këto, do të duhej t’i dinin edhe z. Surroit e edhe z. Shalës asokohe, sepse e tërë kjo është zhvilluar edhe para syve të tyre, pasi që ata e kishin shikimin pikërisht kah isha unë dhe ku i zoti i shtëpisë po më diktonte se si të veproja.

Në Junik, sikurse më ka ndodhë edhe më pas disa here, është i zoti i shtëpisë ai i cili e cakton vendin se ku duhet për t’u ulur secili, ashtu sikurse ai e vlerëson. Dhe aty ku të cakton vendin të ulesh, aty edhe duhet ulur. E Holbrooke e dinte vetëm njërën pjesë të traditës shqiptare, atë se nuk hyhet mbathur e me armë në duar në odë, por ai nuk e dinte se ishte i zoti i shtëpisë që i caktonte rregullat për gjithçka në odën e tij. Po të kishit dashur ta rrisnit kredibilitetin e UÇK, dhe ashtu sikurse ishte e vërtetë, edhe z. Surroi e edhe z. Shala kanë mundur t’ia shpjegonin edhe këtë pjesë të traditës shqiptare Holbrooke që ai të kishte një perceptim më të drejtë për hyrjen time mbathur dhe me armë në duar.

Në insertet televizive shihet se qysh kur dëshiron të ulet diku Holbrooke në odë vërehet Kadri Shala që e udhëzon se ku të ulet.

Përtej dukjes, kthesa për UÇK  dhe Kosovën ishte te përmbajtja e takimit dhe pikërisht për këtë edhe mori jehonë botërore

Pse po reagoj ndaj këtij keq portretizimi të hyrjes sime në odë në takim me Holbrooke?

Sepse mos reagimi në këtë rast, do të ishte një heshtje e pavend, që do të lëndonte të vërtetën, pasi që lihet të nënkuptohet se unë (në rastin konkret, si epror i UÇK) nuk duhej të isha në atë takim po veç ashtu kisha shkuar e kisha hyrë brenda, sikur isha imponuar. Tërthorazi, keq portretizimi i hyrjes sime si epror i UÇK (hyri, u shty, me armë, me çizme), me dashje a pa dashje, shënon një devalvim të pjesëmarrjes së UÇK në takim me Holbrooke, si një diçka që ka ndodhë ashtu si nuk duhej dhe madje edhe kundër traditave shqiptare, e që në fakt, nuk është aspak ashtu. Elitat e vërteta politike liridashëse, aktet e tilla nuk përpiqen t’i denigrojnë, sepse e dinë se ato janë produkt i historisë dhe nuk mund të minimizohen si fakt.

Rëndësia e takimit të ambasadorit Holbrooke me UÇK në Junik, të cilën e përfaqësonim njëlloj dhe barabartë unë dhe Ganiu, por që bëri jehonë prania ime për shkak të uniformës ushtarake, beretës sime me stemën e UÇK dhe armës që e kisha në duar, dhe sikurse e thotë z. Blerim Shala “për dy orë” pamja e ambasadorit Holbrooke dhe e imja me uniformën e UÇK bëri jehonë në tërë botën.

Besoj se do të duhej të ju kujtohet, z. Surroi dhe z. Shala, se sa e rëndësishme ishte e tërë ajo që biseduam, me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve, ndër të tjera dhe sidomos me kërkesën për praninë amerikane dhe të NATO-s në Kosovë, si pjesë e zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe premtimit të Holbrooke se nëse UÇK bashkërendohet me SHBA Kosova do të bëhet shtet i pavarur.

Për ta përmbyllë, po, ishte rastësi takimi im si individ me Holbrooke, por nuk ishte aspak rastësi takimi i Holbrooke me UÇK në Junik. Nuk ishte e planifikuar ulja ime me armën në duar. E megjithatë, besoj z. Surroi dhe z. Shala se  ju kujtohet, pikërisht ky fakt u bë një simbolikë shumë e fuqishme, kur Holbrooke, preku tytën e armës që mbaja në duar dhe tha: “Atëherë, – foli ambasadori Holbrooke dhe ngadalë zgjati dorën kah kallashi dhe e preku me dorë tytën e tij, – mbahuni fort për këtë! Milosheviç vetëm këtë gjuhë e njeh! – dhe preku përsëri tytën e kallashit.” (Takimi në Junik, f. 106).

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E Ngarkuara me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara…