Përse nuk po krijohet Qeveria e Kosovës

24 janar 2020 | 13:56

Bedri Islami

Megjithëse nuk ishte një fitore plebishitare dhe larg asaj që ishte pritur, përsëri, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, për shumëkënd, edhe për një pjesë të ndjeshme të atyre që nuk e kishin votuar, ngjalli shpresë dhe krijoi një vorbull besimi edhe përtej Kosovës.
I nisur nga një lëvizje studentore, me ndalesë në burgjet serbe, ai krijoi Lëvizjen me emrin ndjellës, Vetëvendosje! dhe nisi një rrugë politike, e cila asnjëherë nuk ka qenë e qetë, por gjithnjë ka qenë mirë e artikuluar.
I vendosur përballë një etashmenti politik që po e humbiste veten përmes vendimeve të paqarta, rritje të korrupsionit, vrazhdësisë dhe krijimit të problemeve të njëpasnjëshme, Kurti pritej, në fakt ende e presin, të ishte lideri i duhur për Kosovën, për nxjerrjen e saj nga stanjacioni, vendosjen e shtetit të së drejtës, krijimin e një klime të barabartë për të gjithë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe nderimin e luftës çlirimtare. Mbi të gjitha, ai pritej, dhe ende pritet, që të ishte përballë politikës serbe me një qasje ndryshe, më të fuqishme, në thelb më nacionaliste, më të vendosur dhe asnjëherë të nënshtruar.

Deklaratat e tij politike në vite, pavarësisht kohës së bërë dhe tonit e, për më tepër, pavarësisht metodës agresive, ngjallnin dhe vazhdojnë të ngjallin mendimin se, patjetër, politika e Kosovës po futej në një stad të ri, shumë më domethënës dhe tejet më të afruar me aspiratat e shqiptarëve. Votuesit e Kurtit, si ka ndodhur vetëm një dekadë më parë me Thaçin, shumica e votuesve janë të rinj dhe kjo e bën atë të ketë pas vetes një forcë energjike, të etur për ndryshime dhe të gatshme për përmbysje.

Fitorja e tij në zgjedhje ishte e pritur, vetë Kurti hyri në lojën elektorale me moton e kryeministrit të ardhshëm, ai gjeti partnerin e vetëm në këtë lojë apo paslojë, LDK-në e Isa Mustafës dhe, duke i bërë ftesën për një koalicion parazgjedhor, ku me siguri njerëzit e tij do të kishin epërsi, ai ishte i gatshëm të ndërtonte një qeveri të vogël, me gjithsejtë 12 ministri, nga të cilat dy janë për pakicat dhe serbët, po ashtu pakicë, të krijonte një aparat të thjeshtë, efikas, pa humbje të mëdha dhe, sidomos, larg qeverisë në largim që kishte aq shumë zëvendësministra sa nuk kishte asnjë shtet në botë.

Tani është një situatë krejt tjetër nga sa ishte menduar. Premtimi i Kurtit për të ndërtuar maksimalisht shpejt një qeveri të re ka rënë. Askush nuk e kujton më atë. Kaluan tre muaj e gjysmë nga zgjedhjet politike në Kosovë dhe qeveria e së djeshmes është ende ligjërisht Qeveria e Kosovës, pavarësisht dorëheqjes së shefit të saj, Haradinaj.
Loja naive, thuaj fëmijërore, mes presidentit të Kosovës dhe liderit të LV-së, t’i kujton zemërimet fëmijërore, të cilët gjuhën me njëri-tjetrin për gjithçka dhe duket sikur në një çast po pajtohen me njëri-tjetrin kur, në fakt, e kanë stërrritur distancën dhe ndasinë mes tyre.

Ka disa arsye përse Kosova është pa qeveri dhe përse është krejt e mundur që Kurti dhe LV-ja të mos mund ta krijojnë qeverinë e premtuar.
Në rrugëtimin e tij politik, Kurti dhe LV-ja kanë pasur gjithnjë përballë vetes kundërshtarë, të cilët, më tepër sesa kaq, ata i kanë trajtuar si armiq politikë dhe i kanë luftuar si të tillë, me të gjitha mjetet e fjalës dhe, herë pas here, edhe me molotovë apo me tymuese.
Në këtë rrugëtim, sa herë që njëri nga aleatët e djeshëm ka ndryshuar rrugë, Kurti dhe LV-ja i janë vërsulur rreptësishtë, me të gjithë egërsinë e një politike skajore. Kjo ka ndodhur me LDK-në, kur Thaçi u zgjodh president edhe me votat e saj; ka ndodhur me AAK-në, kur ajo pranoi postet qeveritare de detyrën e kryeministrit, ka ndodhur me Nismën e Limajt, ndoshta më qetë, sepse nuk e ka trajtuar kurrë si forcë serioze dhe desh e nxori krejt jashtë lojës me votat e manipuluara të ardhura nga Serbia dhe, sidomos e, mbi të gjitha, me PDK-në, në dy kohët e saj, si në drejtimin e Thaçit, ashtu edhe në drejtimin e Veselit.

Normalisht, përafrimi më i madh i LV-së është me PDK-në, pasi kanë fillesa të përbashkëta, mentalitet të përbashkët, megjithëse PDK-ja synon të shfaqet si forcë e së djathtës, në fakt janë të dyja të majta; njerëzit e njerëz anë gjenden lehtësisht edhe në anën tjetër; si njëra ashtu dhe tjetra, në kohë të ndryshme kanë pasur synim bashkimin kombëtar dhe e kanë trajtuar shtetin shqiptar si vendin e tyre amë.
LV-ja dhe Kurti, në varësi të sjelljeve politike, i bënë të gjithë armiq. Shkuan përtej cilësimit si kundërshtarë, duke e përjashtuar çdo lloj bashkëpunimi me to. Adresa e vetme që u kishte mbetur ishte LDK-ja, krejt e ndryshme me LV-në dhe kjo, jo se LDK-ja është forcë e së djathtës por, sepse, shumica e atyre që ishin dikur besnikë të Lidhjes Komuniste të Serbisë, kanë gjetur strehë në LDK, duke ia nisur që nga shefi i saj, Mustafa.

Përjashtimi i të gjithave dhe mbështetja në një gur ishte gabimi i parë dhe më themeltar. LDK-ja është vërtet, në shumicën e saj, një forcë politike e dalë nga Lidhja Komuniste e Kosovës, por është forcë politike që duhet llogaritur, u duhesh qasur gjithnjë me një opsion rezervë dhe nuk i duhen lënë kurrë të gjithë gurët në gjysmëfushën e saj.
E, megjithatë, edhe nëse Lëvizja dhe Kurti do të krijojnë më në fund një qeveri të përbashkët me LDK-në, që do të jetë si bashkimi i verës me uthullën, gjërat nuk do të jenë kurrë në dobi dhe jetëgjatësia e saj mund të varet nga fakti se si është zgjuar në mëngjes Isa Mustafa. Klanet brenda LDK-së dhe vetë lideri i saj nuk ia kanë harruar Kurtit protestat kundër tij dhe thirrjet masive “Isë, Isë, këlyshi i Serbisë”. Kërkesa për të bërë qeveri me “këlyshin e Serbisë”, duke ndjellë drejt tij edhe përkuljen, është shkaku i dytë i moskrijimit të qeverisë. Sepse LDK-ja dhe Isa Mustafa nuk duan vetëm ndjelljen e përkuljes, por përkuljen e plotë. Deri në nënshtrim.
A do ta nënshtrojë Kurtin etja për pushtet? Kjo është pyetja që rëndon mbi të dhe të cilën askush nuk mund ta dijë me siguri përgjigjen e saj.

Ka shumë kohë, që në fillimet e bisedimeve për një qeveri të përbashkët që gjithçka, deri në banalizim, sillet rreth posteve qeveritare dhe shtetërore. Kaq bajate u bë kjo gjë saqë askush nuk e di nëse liderët, në kaq shumë takime, kanë folur edhe për gjëra të tjera, apo vetëm për ndarjen e tortës së pushtetit. Në ndejat e gjata nuk dihet nëse kanë folur për programe qeveritare, synime dhe objektiva, për qëndrimin që do të ketë qeveria e tyre lidhur me dialogun me shtetin serb, për krijimin e Zajednicës, bashkësive me shumicë serbe, ndaj idesë së të cilës Kurti ka qenë kundërshtar dhe Mustafa ka qenë pranues; rreth qëndrimit ndaj idesë së Minishengenit që Kurti nuk e pranon dhe Mustafa mund ta shohë si vazhdë e politikës së tij; rreth goditjes së krimit të organizuar, ku njëra palë, ajo që nuk ka qenë në pushtet, ndihet e qetë, ndërsa pala tjetër, ajo që ka shijuar disa herë pushtetin, ndihet e rrezikuar.
Përcjellja mes një politike që ka të bëjë me ndarjen e posteve, pra të jap pesë dhe m’i prano pesë, ky është i imi dhe ky tjetri është i yti, për atë tjetrin do të diskutojmë më vonë… jo ai post është i imi… pra e gjithë kjo tollovi, që më shumë se politike, është foshnjore, ka sjellë humbjen e besimit se do të ketë një qeveri si ishte menduar por, edhe nëse do të ketë, sa do të jetë efikase?!

Nuk mjafton vetëm vullneti i një njeriu për të bërë një qeveri të mirë megjithëse, si duket, asnjëri e as tjetri nuk kanë dëshirë të kenë një qeveri të përbashkët, derisa t’i vjelin sa të munden dhe deri ku të munden përfitimet qeverisëse.
Prej shumë kohësh, edhe kur Haradinaj ende nuk kishte dhënë dorëheqje, lideri i LV-së, Kurti, kishte shpallur se ai do të ishte kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Pak të thuash se kjo nuk është modeste. Të tjerë mund ta artikulonin emrin e tij, por ai vetë, sidomos kaq shpesh e herë-herë pa vend, nuk duhej të binte në batakun e zakonshëm politik.
Qeveria e përbashkët Kurti – Mustafa duket një mision i pamundur. Pas tyre qëndron hija e një njeriu që e njeh politikën më mirë se të dy, Thaçi, dhe, i cili, ose nuk i ka tërhequr fijet deri në fund, ose pritet ta ndërmarrë aksionin e tij politik. Të besosh se e ke mposhtur Thaçin, se ashtu është dëshira jote, është naivitet fëmijëror, që nuk lejohet në politikë.

Presidenti i Kosovës i joshë të dy për një mandat, por askush nuk shkon ta tërheqë, megjithëse e duan. Loja me pushtetin bëhet edhe më e rëndë dhe, si duket, nuk e mbajnë dot, kur edhe përkrahja ndërkombëtare nuk është si është menduar se do të jetë. Fakti që ata, përfaqësuesit ndërkombëtarë, po bëjnë lojëra fjalësh, duke përsëritur se presin krijimin e qeverisë, por nga një distancë jo e zakonshme, tregon se edhe te vetë ata apo kabinetet e tyre qeveritare ka pasur një pritje ndryshe.
Mustafa, edhe kur nuk ka qenë lideri suprem, si një ushtarak civil, i LDK-së, e ka ditur lojën politike dhe passkenat e saj. Këtë po luan edhe tani. Në këtë grackë – nëse është vetëm grackë – ka rënë edhe lideri i Lëvizjes, Kurti, që, duke bërë vetëm një zgjedhje, mund të mësojë se nuk thahen të gjitha burimet për të gjetur një burim të ri, i cili ende nuk dihet se çfarë uji ka.

Thirrja për lirinë, duke përdorur tonin e diktatorit, nuk është shenjë demokracie!
Edhe në politikën e tij ndaj Shqipërisë, jo rastësisht, Kurti bëri lëvizje të gabuara, duke u shfaqur si palë politike në një ndeshje që nuk ishte e tij dhe nuk mund të jetë e tij, pavarësisht filialit që ka krijuar në Shqipëri.
Mbështetja e tij ndal lëvizjeve të Berishës apo të Metës, të pazakonta për një politikan të hapur, si kundërvënie ndaj qeverisë Rama, për më tepër në një çast kur presidenti i shtetit të tij, pavarësisht nëse e njeh apo jo ai vetë, ishte në përplasje me zotin Berisha, ku disa të vërteta po shpalleshin nga njeriu i lëvizjes klandestine çlirimtare, ishte mburoja që Kurti po i vendoste pa të drejtë njerëzve, që e kishin sulmuar egërsisht dhe do ta sulmojnë edhe në të ardhmen.
Nuk mjafton vetëm të shpallësh se ti do të jesh kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
Duhet të bëhesh fillimisht dhe pastaj ta shpallësh. Se, si kudo, edhe në politikë, gjërat kanë rendin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Agron Bruqi është shumë optimist se skuadra e Flamurtarit…