
Përsëriten thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në stadiumet e Maqedonisë së Veriut
Thirrjet raciste në terrenet sportive në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përsëriten, duke hedhur hije mbi futbollin vendor.
Rasti i fundit u shënua mbrëmë në Kavadar, gjatë ndeshjes mes Pelisterit dhe Shkupit, ku nga tribuna u dëgjuan brohoritje fyese me përmbajtje raciste ndaj shqiptarëve.
Ky incident vjen vetëm një muaj pas një rasti të ngjashëm në Kumanovë, duke treguar se problemi mbetet i pranishëm dhe i përsëritur.
Refreni “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket” është bërë tashmë një nga thirrjet më të dëgjuara në këto ndeshje.
Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut reagoi pas raportit të delegatit të takimit.
Në kumtesën zyrtare të FFM-s theksohet: “Pas raportit të delegatit të ndeshjes KF Pelisteri – KF Shkupi, Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelisteri – Shkupi, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut”.
Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në futbollin vendor, ndërsa pritet të shihet se cilat masa konkrete do të ndërmarrë Komisioni Disiplinor ndaj klubit nga Manastiri.