PËRSËRITJA
David Lodge
Në vjeshtë ende luftohej, por ne më nuk shkuam. Në Milano vjeshta ishte e ftohtë dhe errej shumë herët. Pastaj ndizeshin dritat elektrike dhe ishte e këndshme të ecje përgjatë rrugëve që shihnin dritaret. Jashtë dyqaneve varej gjahu ku bora pudroste gëzofin e dhelprave dhe era ua frynte bishtin. Dreri i shtangur varej rëndshëm dhe bosh, zogjtë e vegjël fluturonin nga era dhe era ua rrotullonte pendët. Ishte vjeshtë e ftohtë dhe era zbriste nga malet.
Çdo pasdite të gjithë shkonim në spital dhe ekzistonin disa mënyra të ecjes nëpër qytet përmes muzgut për në spital. Dy nga rrugët shtriheshin buzë kanaleve, por ishin më të gjata. Megjithatë, gjithmonë kalonit urën nëpër kanal për të hyrë në spital. Ishin tri ura. Në njërën prej tyre një grua shiste gështenja të pjekura. Ngroheshe nëse qëndroje përballë zjarrit me qymyr dhe pastaj gështenjat t’i ngrohnin xhepat. Spitali qe shumë i vjetër, por shumë i bukur dhe ju hynit nga porta dhe ecnit nëpër oborr dhe dilnit përmes portës në anën tjetër. Zakonisht funeralet fillonin në oborr. Përtej spitalit të vjetër shiheshin pavijonet e reja me tulla dhe aty takoheshim çdo pasdite, të gjithë ishim shumë njerëzorë dhe të interesuar për çështjen që diskutohej dhe uleshim në makinat që do të bënin kaq shumë ndryshime / ERNEST HEMINGWAY, Në një vend tjetër (1927)
NËSE KENI kohë dhe durim, merrni ca lapsa me ngjyra dhe rrethoni fjalët që shfaqen më shumë se një herë në paragrafin e parë të storjes së Hemingwayit, një ngjyrë për secilën fjalë dhe pastaj bashkojini. Do të zbuloni një model kompleks zinxhirësh verbalë që lidhin dy lloje të fjalëve: ato me kuptim referencial, vjeshtë, ftohtë, errët, era, fryn, që mund t’i quajmë fjalë leksikore, ndërsa nyjat, parafjalë dhe lidhëza si, të, i/e, në, dhe, mund t’i quajmë fjalë gramatikore.
Është thuajse e pamundur që gjuhën angleze ta shkruajmë pa përsëritjen e fjalëve gramatikore, ndaj normalisht nuk e vëmë re, por nuk mund të mos e vërejmë numrin e jashtëzakonshëm të “dhe”-ve në këtë paragraf të shkurtër. Kjo është simptomë e sintaksës përsëritëse, që lidh fjalitë dëftore pa nënrenditje. Përsëritja e fjalëve leksikore shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, duke i grumbulluar fjalët në fillim dhe në fund të paragrafit.
Përsëritja leksikore dhe gramatikore në këtë shkallë mbase, me të drejtë, do të notohej dobët në një “hartim” shkollor. Modeli tradicional i prozës së mirë letrare kërkon “variacion elegant”: nëse diçkaje i referohemi më shumë se një herë, duhet të përpiqemi të gjejmë mënyra alternative ta përshkruajmë atë; edhe sintaksa duhet të jetë e shumëllojshme. (Fragmenti i Henry Jamesi i shqyrtuar në Kapitullin 6 është mjaft i pasur me shembuj të këtyre dy llojeve të variacioneve.)
Megjithatë, Hemingwayi refuzoi retorikën tradicionale për arsye pjesërisht letrare dhe pjesërisht filozofike. Ai mendonte se “shkrimi fin” falsifikon përvojën dhe u përpoq të “shkruajë çfarë vërtet ndodh në veprim dhe çfarë ishin gjërat reale që prodhonin emocionin e përjetuar” duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, dënotative, të zhveshur nga dekorimi stilistik.
Kjo duket e lehtë, por sigurisht nuk është. Fjalët janë të thjeshta, por renditja e tyre nuk është. Ekzistojnë mënyra të ndryshme, të mundshme, të renditen fjalët e fjalisë së parë, por fjalia e zgjedhur nga Hemingwayi e ndan frazën “shkoj në luftë” në dysh, që nënkupton një tension ende të pashpjeguar në personalitetin e narratorit, një përzierje lehtësimi dhe ironie. Siç mësojmë shpejt, ai dhe shokët e tij janë ushtarë të plagosur gjatë luftës në anën e italianëve, në Luftën e Parë Botërore, dhe tani duke u rikuperuar ata janë të vetëdijshëm se lufta, që për pak nuk i mbyti, ua ka bërë jetën të pajetueshme. Kjo është storje mbi traumën dhe se si burrat e përballojnë ose nuk arrijnë ta përballojnë atë. Fjala e pashprehur që është çelës për të gjitha fjalët e përsëritura në tekst është “vdekja”.
Fjala amerikane për vjeshtën, fall (përkthim i fjalëpërfjalshëm – rënie), mbart në vetvete kuptimin e vdekjes së bimësisë dhe i bën jehonë frazës konvencionale për ata që vdesin në betejë, “të rënët”. Pranëvënia e saj me fjalën ftohtë dhe errësirë në fjalinë e dytë veçse i forcon këto asocime. Dyqanet e ndritshme ofrojnë një lloj shpërqendrimi (efekti shtohet nga fakti se nuk ka përsëritje leksikore në këtë fjali), por vëmendja e narratorit shpejt përqendrohet te gjahu i varur jashtë dyqaneve, emblema të mëtejshme të vdekjes. Përshkrimi i borës që pudros gëzofin e tyre dhe i erës që shpupurit pendët e zogjve, është literal dhe i saktë, por forcon asocimin e rënies (vjeshtës), të ftohtit, errësirës, erës, frymës, me vdekjen. Tri fjalët e përsëritura bashkohen për të parën herë në fjalinë e fundit që bartin një efekt poetik përmbyllës: “Ishte vjeshtë (rënie) e ftohtë dhe era zbriste nga malet”. Malet janë atje ku po zhvillohej lufta. Era, që zakonisht simbolizon jetën dhe shpirtin në shkrimet fetare dhe romantike, këtu asocon pajetësinë. Në këto tregimet e hershme të Hemingwayit Zoti është i vdekur. Nga trauma e luftës, heroi ka mësuar të mos i zë besë metafizikës as retorikës. Ai u beson vetëm ndjesive dhe përvojën e kupton në terma polarizues: ftohtë/ngrohtë, dritë/errësirë, jetë/vdekje.
Ritmet inkantative dhe përsëritjet vazhdojnë edhe në paragrafin e dytë. Do të qe e lehtë të gjendej një alternativë elegante për fjalën “spital” ose thjesht të përdorej përemri “ai” herë pas here, por spitali është qendra e jetës së ushtarëve, vendi i tyre i përditshëm i pelegrinazhit, magazina e shpresave dhe e frikës së tyre, prandaj përsëritja e fjalës është ekspresive. Ekziston mundësia të ndryshohet rruga për në spital, por fundi është gjithmonë i njëjtë. Edhe zgjedhja për kalimin e urave është e mundur, por gjithmonë duhet të kalohet kanali (mbase, një sugjestion i largët i lumit Styx të botës nëntokësore). Narratori e preferon urën ku mund të blejë gështenja të pjekura që ngrohin xhepin si shpresë për jetë, veçse Hemingwayi nuk e përdor këtë krahasim, ai thjesht e lë të nënkuptohet, ashtu si në paragrafin e parë, ai arrin ta përshkruajë stinën po aq fuqishëm emocionalisht sa çdo shembull i mashtrimit patetik (shih kapitullin e mëhershëm) pa përdorur metafora. Linja midis thjeshtësisë së ngarkuar dhe monotonisë së shtirur është e imtë dhe Hemingwayi jo gjithmonë qëndron në anën e duhur, por në veprat e tij të hershme ai krijoi një stil krejtësisht origjinal për kohën.
Është e panevojshme të thuhet se përsëritja nuk lidhet domosdoshmërisht me paraqitjet e mjera pozitiviste, antimetafizike të jetës, siç i gjejmë te Hemingwayi. Ajo gjithashtu është tipar karakteristik i shkrimit fetar e mistik dhe përdoret nga romancierët, vepra e të cilëve i takon atij drejtimi – për shembull vepra e D. H. Lawrenceit. Gjuha e kapitullit hyrës në veprën Ylberi që evokon mënyrën e humbur të jetës agrare, i bën jehonë përsëritjes verbale dhe paralelizmit sintaksor të Dhiatës së Vjetër:
Misri i ri, i butë, tundej dhe shkëlqimi i tij rrëshqiste në gjymtyrët e burrave që e shihnin. Ata kapën sisët e lopëve, lopët jepnin qumësht dhe pulsonin në duart e burrave, pulsi i gjakut të gjinjve të lopëve rrihte në pulsin e duarve të burrave.
Përsëritja është, gjithashtu, mjet i pëlqyer i oratorëve dhe predikuesve, role që Charles Dickensi shpesh i përfshinte në personazhet autoriale. Për shembull, ky është fundi i kapitullit që përshkruan vdekjen e Josë, pastruesit të varfër të rrugëve te Shtëpia e zymtë:
Të vdekur, Madhëria juaj. Të vdekur, zotërinj dhe xhentëlmenë. Të vdekur, klerikë të drejtë dhe klerikë të padrejtë të çdo urdhri. Të vdekur, burra dhe gra, të lindur me dhembshuri hyjnore në zemrat tuaja. Dhe duke vdekur kështu rreth nesh për çdo ditë.
Dhe sigurisht përsëritja mund të jetë edhe qesharake, si në këtë fragment nga Paratë e Martin Amisit:
Është mjaft intriguese, mënyra e vetme që faktikisht e bën Selinën të dëshirojë të shkojë në shtrat me mua duke mos dashur që unë të shkoj në shtrat me të. Kjo kurrë nuk dështon. Në të vërtetë kjo e disponon. Problemi është se kur unë nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të (dhe kjo ndodh), unë thjesht nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të. E kur ndodh kjo? Kur nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të? Kur ajo dëshiron të shkojë në shtrat me mua. Më pëlqen të shkoj në shtrat me të kur shkuarja në shtrat me mua është gjëja e fundit që ajo dëshiron. Ajo pothuajse gjithmonë shkon në shtrat me mua nëse unë i bërtas ose e kërcënoj ose i jap para mjaftueshëm.
Nuk ka nevojë të theksohet se frustrimet dhe kontradiktat e marrëdhënies seksuale të narratorit me Selinën bëhen edhe më komike dhe ironike me përsëritjen e frazës “shkoj në shtrat” për të cilën ka një mori alternativash. (Nëse dyshoni, provoni ta rishkruani këtë fragment duke përdorur variacione më elegante.) Fjalia e fundit ilustron gjithashtu një lloj tjetër të rëndësishëm të përsëritjes: përsëritjen e fjalës kyçe tematike të të gjithë romanit – në këtë rast fjala, “paratë”. “Paratë” dhe jo të “shkuarit në shtrat” zë hapësirën thelbësore të fjalës së fundit në paragrafin që e citova. Kështu, një lloj i përsëritjes që i përket nivelit makro të tekstit, funksionon si variacion në nivelin mikro.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”.



