Përshkallëzohen protesta në Iran, 48 të vrarë. Trump kërcënon me sulme ajrore

10 janar 2026 | 00:14

Protestat kundër regjimit iranian janë përshkallëzuar në disa qytete të vendit, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se të paktën 48 protestues janë vrarë që nga nisja e demonstratave në 28 dhjetor.

Situata mbetet tejet e tensionuar, në kushtet e një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit në mbarë vendin, që synon të izolojë informacionin dhe të pengojë raportimin nga terreni.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka paralajmëruar se Uashingtoni do të përfshihet nëse autoritetet iraniane fillojnë të vrasin njerëz.

“Do t’i godasim shumë fort aty ku u dhemb”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se çdo përfshirje amerikane nuk do të nënkuptojë trupa tokësore.

Ai deklaroi se Irani ndodhet në telashe të mëdha dhe se protestuesit po marrin kontrollin e disa qyteteve, gjë që deri pak javë më parë dukej e pamundur.

Në terren, dëshmitarë dhe aktivistë raportojnë se pavarësisht bllokimit së internetit, disa pamje po dalin në dritë përmes rrjeteve satelitore si Starlink, ndonëse përdorimi i tij është ndaluar zyrtarisht nga qeveria iraniane.

BBC ka verifikuar video të reja nga Teherani, ku shihen turma protestuesish që brohorasin slogane kundër regjimit dhe në mbështetje të monarkisë Pahlavi, e cila u rrëzua në vitin 1979.

Një iranian i quajtur Sam, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar, ka deklaruar për BBC se nuk ka arritur të komunikojë me babain e tij në Iran prej tre ditësh. Ai e përshkruan situatën si jashtëzakonisht të frikshme, pasi gjyshja e tij ndodhet në gjendje kritike shëndetësore dhe mungesa e informacionit e bën gjithçka edhe më të rëndë. “Protesta të tilla zakonisht shtypen me dhunë dhe shpesh lënë qindra të vdekur, por shpresoj që këtë herë të jetë ndryshe”, tha ai.

Ndërkohë, media shtetërore iraniane ka ashpërsuar ndjeshëm gjuhën ndaj protestuesve, duke i quajtur fillimisht “trazira” e tani “terroristë të armatosur”. Kjo media ka publikuar pamje të përplasjeve të dhunshme dhe pretendon se protestuesit janë përgjegjës për vrasjen e civilëve dhe forcave të sigurisë, ndërsa nuk raporton për viktimat civile të shkaktuara nga forcat shtetërore.

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët, ku shprehën shqetësim të thellë për dhunën ndaj protestuesve dhe dënojnë vrasjet. Ata i bëjnë thirrje autoriteteve iraniane të tregojnë përmbajtje, të ndalojnë dhunën dhe të respektojnë të drejtën e qytetarëve për shprehje të lirë dhe tubim paqësor, ndërsa protestat vazhdojnë të tronditin Iranin. /BBC

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga truri tek zemra, sheqeri ndikon në çdo pjesë të…