Personi pozitiv me koronavirus nga Malisheva, dje kishte ikur nga Klinika Emergjente

07 prill 2020 | 18:09

Një person nga Malisheva që doli pozitiv në analizën e koronavirusit, kishte ikur mbrëmë nga Klinika Emergjente. I njëjti është lokalizuar nga Policia e Kosovës ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria

Personi që ka dal sot pozitiv me koronavirus nga Malisheva (1969), kishte kërkuar ndihmë gjatë ditës së djeshme në Klinikën Emergjente pasi ishte lënduar në vendin e tij të punës në Prishtinë.

Ai kishte shkuar për trajtimin e krahut të lënduar, por mjekët kishin dyshuar edhe për koronavirus pasi kishte shfaqur simptoma. Mjekët kanë kërkuar t’i merren mostrat për analiza, por më pas pacienti kishte ikur nga klinika, shkruan “Gazeta Shneta”.

Burime të sigurta brenda Emergjencës kanë deklaruar se pasi pacienti ka ikur nga klinika, mjekët e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës të cilët e kanë lokalizuar personin dhe e kanë detyruar të vendoset në vetizolim.

Ndërkohë sot është publikuar rezultati i mostrës së tij e cila ka dal pozitive me koronavirus Covid19 në analizën laboratorike të Institutit Kombëtar.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Policia e Kosovës pas pranimit të informacionit zyrtar se një person me datë 06.04.2020 është larguar nga Klinika Emergjente (QKUK) pa e pritur rezultatin e testit të bërë të COVID-19, pasi i njëjti vinte nga një zonë/komunë e cila është në karantinë, menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar aktivitetet me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Tutje bëhet e ditur se për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit dhe do të ndërmerren procedurat e mëtejme. “Është njoftuar QKMF në Malishevë dhe në bazë të rekomandimeve të tyre personi në fjalë është urdhëruar që të vet izolohet së bashku me familjen e tij, përderisa lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit për procedura të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se sot janë raportuar 5 raste të reja me koronavirus në Kosovë, ku tre prej tyre janë pranuar në Emergjencën e QKUK-së. Kjo e fundit ka njoftuar se njëri prej pacientëve, ai nga Ferizaj, ka ndërruar jetë. /Gazeta Shneta

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë kanë kaluar më shumë se tre javë nga data…