Përtej “Epic Fury” dhe “Roaring Lion”: Diplomacia, standardet e dyfishta dhe perdeja e tymit rajonal

27 mars 2026 | 14:23

Nga Eki Rrahmani

E nisa këtë shkrim pasi lexova artikullin “Irani: Pse tani dhe pse kjo ndërhyrje?”, të shkruar nga ambasadorja izraelite në Kosovë, Shkëlqesia e Saj, Tamar Ziv. Dua të filloj me disa pika për të cilat, deri diku, pajtohem me të: Republika Islamike e Iranit është një regjim represiv që ka mohuar në mënyrë sistematike liritë themelore dhe ka mbështetur aktorë të armatosur jo-shtetërorë në rajon.

Megjithatë, ndonëse artikulli identifikon saktë disa prej tensioneve të kahershme që lidhen me politikat e brendshme dhe rajonale të regjimit iranian, pranimi i këtyre fakteve nuk e justifikon narrativën që paraqitet në të. Përkundrazi, ofron një pasqyrë të paplotë dhe të rrezikshme , duke e paraqitur përshkallëzimin ushtarak si një domosdoshmëri të pashmangshme. Një narrativë që përbën një rishkrim të rrezikshëm të historisë, duke injoruar zgjedhjet dhe vendimet e qëllimshme politike që çuan në këtë krizë. Për të arritur një paqe të qëndrueshme, duhet të dalim përtej retorikës së njëanshme dhe të përballemi me standardet e dyfishta strukturore që ushqejnë këtë cikël dhune.

Shkatërrimi i diplomacisë – Rasti për sundimin global të ligjit

Artikulli e karakterizon veprimin e fundit ushtarak si një “domosdoshmëri” pas dështimit të diplomacisë. Megjithatë, ai anashkalon dështimin më të madh diplomatik të kohëve të fundit: tërheqjen e njëanshme nga JCPOA (Marrëveshja Bërthamore me Iranin) në vitin 2018, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Një marrëveshje për të cilën inspektorët ndërkombëtarë pohonin se Irani po e respektonte.

Diplomacia nuk u shterua; ajo u çmontua në mënyrë sistematike.

Duke braktisur një kornizë funksionale bërthamore në favor të politikës së “presionit maksimal”, SHBA-ja dhe Izraeli nuk e parandaluan një kërcënim bërthamor; përkundrazi, krijuan një vakum që çoi drejtpërdrejt në konfliktin aktual.

Standardi i dyfishtë bërthamor

Një nga temat qendrore të artikullit të shkruar nga Shkëlqesia e saj, Tamar Ziv, është “kërcënimi” i një Irani bërthamor. Megjithatë, çdo diskutim serioz për përhapjen e armatimit bërthamorë në Lindjen e Mesme duhet të adresojë elefantin në dhomë: arsenalin bërthamor të vetë Izraelit.

Për të zhvilluar një debat serioz mbi rrezikun bërthamor, duhet të përballemi me një asimetri strukturore. Irani, si nënshkrues i NPT-së, ka qenë subjekt i inspektimeve të gjera. Në të kundërtën, Izraeli mbetet jashtë NPT-së, mban një politikë të fshehtë, super-sekrete, bërthamore dhe zotëron një arsenal të painspektuar.

Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) është një marrëveshje ndërkombëtare e vitit 1968, në fuqi që nga viti 1970, që synon parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore, zhvillimin e teknologjisë bërthamore për përdorime paqësore dhe avancimin e çarmatimit.

Sipas Arms Control Association (ACA), programi iranian është ndër më të inspektuarit në botë, ndërsa rreth 90 kokat bërthamore që aludohet që ka në zotërim Izraeli, ato nuk janë pranuar kurrë zyrtarisht dhe nuk janë inspektuar.

Kërkesa për transparencë nga një shtet, ndërsa në anën tjetër pranohet fshehtësia totale nga një shtet tjetër, minon legjitimitetin e rregullave mbi të cilat thirremi.

Për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon, nevojitet një Lindje e Mesme pa armë bërthamore – një standard që zbatohet njejtë për të gjithë, e jo selektivisht.

Udhëheqësit dhe popujt

Artikulli e paraqet regjimin iranian si agresorin e vetëm, por dështon të analizojë udhëheqjen aktuale izraelite nën Benjamin Netanyahun. Ashtu si shumë iranianë që vuajnë nën një teokraci të ashpër, shumë vëzhgues argumentojnë se qeveria aktuale izraelite ka prioritet zgjerimin ushtarak dhe taktikat e bullizmit the frikësimit kur

vjen puna për ndërtimin e një paqeje të mirëfilltë apo një zgjidhjeje me dy shtete.

Sulmet ushtarake në rritje, shpesh të kryera pa ofruar prova të verifikueshme për një kërcënim të menjëhershëm – rrezikojnë një përshkallëzim rajonal që i shërben interesave politike, jo sigurisë së civilëve.

Një aleancë e çarë dhe humbja e mandatit ligjor

Në artikull, Operacioni “Roaring Lion” paraqitet si një ndërhyrje “e domosdoshme” dhe “e kalkuluar”, por injorohet realiteti shkatërrues i përshkallëzimit aktual rajonal. Personalisht, e njoh këtë realitet, sepse javën e kaluar u detyrova të largohem nga Katari i qetë dhe ta zhvendosja familjen time në Kosovën e sigurtë.

Larg të qenit një sukses strategjik, fushata aktuale e udhëhequr nga kryeministri Netanyahu dhe presidenti Trump paraqet një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një tradhti ndaj progresit diplomatik që dikur mbahej nga komuniteti global.

Ajo që po ndodh tani, nën emërtimet “Roaring Lion” dhe “Epic Fury”, i ngjan një lufte parandaluese të zhvilluar pa mandat ligjor. Mungesa e provave të verifikueshme për një kërcënim të menjëhershëm ka shkaktuar një përçarje historike mes aleatëve perëndimorë.

Refuzimi i komunitetit ndërkombëtar

Ndoshta dëshmia më e qartë kundër kësaj fushate është refuzimi i aleatëve tradicionalë për të marrë pjesë.

Mbretëria e Bashkuar – partneri më i afërt ushtarak i SHBA-së – ka refuzuar në fillim përdorimin e bazave të saj sovrane për këto sulme, duke sinjalizuar një mospajtim të thellë ligjor dhe strategjik. Liderë të NATO-s dhe të Gjermanisë kanë qenë të qartë: kjo nuk është një luftë e NATO-s.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, një lidere Pro-Trump, ka deklaruar po ashtu se Italia nuk do të marrë pjesë në këtë luftë, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje “jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare”. Kur edhe partnerët më të afërt refuzojnë të përfshihen, pretendimi i “domosdoshmërisë” humb çdo kredibilitet ndërkombëtar.

Doktrina “Strike first” dhe përgjegjësia

Politika e goditjeve parandaluese pa prova të verifikueshme krijon një precedent katastrofik për shekullin XXI. Sulmet e befasishme që kanë vrarë udhëheqës dhe civilë iranianë gjatë negociatave aktive përbëjnë një braktisje të parimeve të Kartës së OKB-së mbi sovranitetin.

Ne po dëshmojmë një shtrembërim të drejtësisë, ku fuqia ushtarake përdoret për të anashkaluar institucionet ndërkombëtare që janë krijuar pikërisht për të parandaluar kaosin global.

Ish-prokurori në rastin e Slobodan Milošević-it, Geoffrey Nice, duke folur për Al Jazeera, deklaroi se kjo luftë nuk bazohet në një kërcënim të menjëhershëm dhe paralajmëroi se mbajtja e shteteve të fuqishme përgjegjëse po bëhet “joreale”:

“Mënyra për t’iu qasur çështjes së ligjshmërisë është të shqyrtohen faktet, nëse një luftë e nisur nga dy shtete kundër një shteti tjetër mund të jetë legjitime dhe të vlerësohet nëse kjo mund të jetë e ligjshme. Për këtë, pyetja themelore është: a pati një kërcënim të pashmangshëm? Deri më tani, nuk ka pasur asnjë provë.

Ai shtoi po ashtu se:

“Duhet të pranojmë se përgjegjësia për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare nga fuqitë e mëdha dhe aleatët e tyre po bëhet joreale. Politika po e tejkalon ligjin, dhe nuk ndjen më detyrim për ta respektuar atë.”

Tani, më shumë se kurrë, duhet të shtrohet pyetja pse bota duhet t’i besojë autoritetit moral të një udhëheqjeje që aktualisht është nën vëzhgim të ashpër ndërkombëtar. Donald Trump për vendimmarrjet e tij të paqëndrueshme, nga kapja (arrestimi apo kidnapimi) i një kreu shteti, presidentit të Venezuelës, Maduro – një veprim që nga shumë juristë konsiderohet i paligjshëm dhe i ndërmarrë pa miratimin e Kongresit të SHBA-së – deri te kërcënimet për të pushtuar një shtet tjetër, anëtar të NATO-s, për çështjen e Groenlandës. Sa i përket liderit izraelit Netanyahu, mjafton të shohim mënyrën se si ai e ka trajtuar krizën në Gaza.

Amnesty International ka arritur në përfundimin se qeveria e Benjamin Netanyahut ka kryer akte gjenocidale në Gazë, duke përmendur imponimin e qëllimshëm të kushteve të jetesës , të kalkuluara për të shkaktuar shkatërrim fizik.

Të injorosh këtë kontekst derisa kërkon përshkallëzim të mëtejshëm të sulmeve ajrore, do të thotë të shtrembërosh dhe deformosh tërësisht terezinë e moralit.

‘Smokescreen – Maska Rajonale: Irani si mbulim për mizoritë

Një tjetër pyetje mbetet pezull, përtej përpjekjeve të Netanyahut për të shfrytëzuar sa më shumë kohën e Donald Trumpit me qëllim që të spastrojë llogaritë me Iranin dhe ta vendosë Izraelin si forcën dominuese në rajon: a fshihet diçka tjetër pas kësaj politike?

Derisa komuniteti ndërkombëtar mbetet i shtangur para raketave balistike mbi Teheran dhe Bejrut, organizata udhëheqëse izraelite për të drejtat e njeriut si B’Tselem – Qendra Izraelite e Informacionit për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara, një organizatë jofitimprurëse me seli në Jeruzalem, dhe Breaking the Silence (Shovrim Shtika), një OJQ e themeluar nga veteranët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), paralajmërojnë se ky përshkallëzim rajonal po përdoret si një “maskë” taktike.

“Manuali i Gazës” në Liban

Që nga përshkallëzimi i 2 marsit, “Manuali i Gazës” po zbatohet edhe në Libanin jugor dhe në Bejrut. Me mbi një milion njerëz të zhvendosur, vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë dënuar urdhrat e evakuimit të IDF-së si “shpërfillje flagrante e ligjit”. “Shkatërrimi i shfrenuar” i infrastrukturës civile duket të jetë një model i qëllimshëm ushtarak, i krijuar për t’i bërë rajone të tëra të pajetueshme, duke pasqyruar shkatërrimin e parë tashmë në Gazë.

Aneksimi nën hijen e luftës

Transformimi më i rëndësishëm po ndodh në hije, në Bregun Perëndimor. Raporti i B’Tselem, “Nën Mbulimin e Luftës”, argumenton se fokusimi ushtarak te Irani ka krijuar një “epokë të pandëshkueshmërisë” për vendimmarrësit izraelitë.

Derisa bota vështron qiejt, një hov i dhunës së kolonëve të mbështetur nga shteti po lehtëson dëbimin e komuniteteve palestineze. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i vitit 2026, mbi 700 palestinezë janë zhvendosur me forcë nga milicitë e armatosura që veprojnë mes një ‘mjegullimi’ të kufijve ushtarakë.

Abis moral dhe juridik

Breaking the Silence, një organizatë e ish-ushtarëve izraelitë, ka sfiduar retorikën e “çlirimit” lidhur me sulmet ndaj Iranit. Ata argumentojnë se një qeveri që mban në këmbë një regjim shtypës në territoret e pushtuara nuk mund të pretendojë epërsi morale jashtë vendit. Përdorimi i armatimit të rëndë në qendrat e dendura urbane të Iranit po e çon rajonin drejt një “abisi moral dhe juridik” me viktima civile të paprecedentë.

Ata deklaruan se ndërkohë që qeveria dhe media izraelite i paraqesin sulmet si një “mision moral për të ndihmuar iranianët”, është një kontradiktë të pretendosh epërsi morale derisa “mban në këmbë një regjim të dhunshëm dhe shtypës” brenda vendit (pushtimin ).

Përfundim: Çmimi i devijimit

Katastrofa humanitare në Gaza mbetet çështja më e neglizhuar dhe viktima më e madhe e këtij zhvillimi rajonal. Derisa vëmendja globale zhvendoset, uria dhe numri i viktimave po rriten në heshtje.

Paqja është e vetmja rrugë përpara

Historia ka treguar se ndryshimi i regjimeve përmes bombardimeve dështon vazhdimisht, duke lënë pas vetëm viktima dhe paqëndrueshmëri ekonomike.

Paqja është një zgjedhje aktive politike, që kërkon përgjegjësi si për Teheranin ashtu edhe për Jerusalemin. Ajo nuk është dobësi. Është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të mbrojtur jetët dhe stabilitetin global.

Ne duhet të kërkojmë një armëpushim të menjëhershëm dhe rikthimin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ku asnjë udhëheqës nuk është mbi ligjin.

Eki Rrahmani

Prishtinë, Mars 2026

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me kryetarin e…