
Përurohet objekti i ri i bibliotekës së qytetit “Latif Berisha” në Mitrovicë
Në Mitrovicë është mbajtur ceremonia solemne e përurimit të objektit të ri të bibliotekës së qytetit, që mban emrin e intelektualit dhe veprimtarit të shquar, Latif Berisha.
Ky objekt modern synon të plotësojë nevojat e lexuesve, studentëve dhe të gjithë dashamirëve të librit në qytet.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, nënkryetari Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, drejtorë komunalë, asamblistë, intelektualë, veprimtarë, përfaqësues të familjes Berisha, si dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari Hamza, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë që ky institucion do të ketë për qytetin. “Sot Mitrovicës po i shtohet një objekt i veçantë, që mban emrin e një personaliteti të madh kombëtar e kulturor, Latif Berisha. Investimi në dije dhe në ngritjen e gjeneratave të reja nuk është shpenzim, por është investimi më i duhur. Jam i bindur që në këtë objekt që po e përurojmë sot do të kalojnë shumë nxënës, studentë, intelektual, shkrimtarë dhe dashamirë të librit”.
Ndërkaq, nënkryetari Arian Tahiri u shpreh se kjo ditë është e mrekullueshme për Mitrovicën. “Biblioteka që prej dekadash nuk kishte objekt të qëndrueshëm, sot më në fund ka shtëpinë e saj të re – një hapësirë moderne në shërbim të dijes. Le ta gëzojnë nxënësit, studentët, dashamirët e librit si dhe e gjithë Mitrovica”.
Në ceremoni u mbajtën edhe fjalime nga poetë dhe intelektualë të pranishëm, të cilët vlerësuan lart kontributin e Latif Berishës dhe rolin që do të ketë kjo bibliotekë në jetën kulturore e arsimore të qytetit.