Përurohet objekti i ri i Urgjencës në Malishevë

18 nëntor 2020 | 14:52

Në Komunën e Malishevës është bërë përurimi dhe fillimi i punës në objektin e ri të Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë.

Në ceremoninë e përurimit e këtij objekti kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, drejtori komunal për Shëndetësi, Liridon Hoti, zyrtarë të qeverisë komunale dhe stafi i QKMF-së në Malishevë.

Me këtë rast, Berisha ka thënë se ndërtimi i objektit të urgjencës është njeri prej projekteve më të rëndësishme të Komunës së Malishevës.

“Urgjenca në QKMF është një prej hapave më të mirë që është bërë, pasi është një objekt që i ka munguar QKMF-së, dhe janë bërë shumë përpjekjeve për ndërtimin e saj. Uroj të ketë sa më pak punë, por edhe kur ka punë, e ka hapësirën e nevojshme për punë dhe krejt kjo është meritë e angazhimit të të gjithë juve profesionist shëndetësorë”, ka thënë nënkryetari Berisha.

Ndërsa ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka uruar të gjithë dhe ka përgëzuar Komunën e Malishevës, për ndërtimin e këtij objekti me rëndësi për shëndetësinë e kësaj komune.

“Avancimi i shërbimeve shëndetësore është prioritet i qeverisë dhe ministrisë, përfshirë edhe Malishevën. Ky objekt që ofron kushte më të mira, lehtëson punën e profesionistëve shëndetësorë dhe rrjedhimisht ofrohet shërbim më i mirë për të gjithë ata që kanë nevojë”, ka thënë Zemaj.

Edhe ministri Vesel Krasniqi, ka uruar të gjithë për këtë objekt me rëndësi për Malishevën.

“Urgjenca është një mundësi më e mirë për juve stafin mjekësor, por edhe për ata që kanë nevojë të trajtohen këtu”, ka thënë Krasniqi.

Ndërtimi i urgjencës, është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës, dhe ka kushtuar rreth 270 mijë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i shoqëruar nga…