Përurohet Reparti i Hemodializës në Podujevë

08 gusht 2025 | 15:58

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, morën pjesë në përurimin e Repartit të Hemodializës në objektin e Poliklinikës Specialistike në Podujevë.

Ky shërbim tani po ofrohet për herë të parë në komunën e Podujevës. Deri më tani pacientët nga kjo komunë, trajtimin e kanë marrë në Prishtinë.

Reparti ka 15 shtretër të digjitalizuar dhe antibakterial, 16 aparate moderne të reja të Hemodializës (prodhim i vitit 2025), osmozë për furnizim me ujë të pastër, absolutisht të dejonizuar për procesin e dializës dhe dy dhoma të veçanta për ata, të cilët janë të infektuar, ndërkohë që kanë nevojë për hemodializë.

Vlera e përgjithshme e investimit është 343,200 euro dhe është në kuadër të investimeve për zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve të dializës në vend. “Ky është një lajm tejet i mirë për të gjithë pacientët dhe familjet e pacientëve, të cilët kanë nevojë për hemodializë. Siç e mësuam nga doktoresha Mimoza, 32 pacientë trajtohen me këtë shërbim, por natyrisht do të punohet në dy ndërrime, meqenëse pritet të ketë edhe më shumë pacientë se kaq, për shkak se këtu do të mund të trajtohen edhe bashkatdhetarët, mërgimtarët tanë, të cilët ndodhen për pushime në vendlindjen e tyre”, u shpreh kryeministri.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky është moment i veçantë për qytetarët e komunës së Podujevës sepse nga sot e tutje 32 pacientët që u duhet ky shërbim nuk kanë nevojë të udhëtojnë nga pjesë të ndryshime të komunës drejt Prishtinës për të marrë këtë shërbim.

Ai falënderoi qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e dhënë, teksa paralajmëroi që së shpejti pritet të nisin edhe shërbime tjera specialistike në këtë komunë.

Përurimin e Repartit të Hemodializës sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e quajti si shembull i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit të Komunës së Podujevës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke iu referur Avni Deharit,…