Përurohet transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, morën pjesë në përurimin e transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky investim prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë dhe lehtëson trajtimin e pacientëve.
“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha, kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë”, tha ai, duke shtuar se funksionalizimi i funksionalizimi i Cath-Lab-it bashkëkohor dhe vendosja e angiografit të ri, përbëjnë një hap të madh përpara në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Kurti shprehu mirënjohje të thellë dhe falënderim të veçantë për Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit shëndetësor dhe vendit tonë në përgjithësi, derisa theksoi se transformimi i njësisë gjysmë-intenzive kardiologjike, i filluar më 8 prill, dëshmon përkushtimin tonë për transformimin e plotë të secilës klinikë dhe të secilit spital rajonal dhe rrjedhimisht të sistemit tonë të shëndetësisë publike në përgjithësi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur për përfundimin e këtij renovimi.
Ai falënderoi stafin e Klinikës së Kardiologjisë, drejtorin e Klinikës dr. Faik Shatrin, të cilët kanë qenë motori dhe nismëtarët që në bashkëpunim me miqtë tanë nga Luksemburgu të fillojnë këtë renovim dhe ta përmbyllin gjithë renovimin e Klinikës së Kardiologjisë, e cila do të ketë kushte optimale për pacientët, duke shtuar numrin e atyre që diagnostikohen dhe trajtohen në këtë klinikë, duke përmirësuar kushtet e trajtimit e mbi të gjitha duke përmirësuar edhe kushtet e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës të cilët pa pushim japin shërbime çdo orë të çdo dite, për 365 ditë, pacientëve e qytetarëve tanë.




