
Përveç veteranëve, edhe sindikatat protestojnë para Kuvendit dhe Qeverisë
Punëtorët e Korporatës Energjetike (KEK) sot do të protestojnë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Arsyeja e protestës së tyre është kërkesa për votimin e ndryshimit të Projektligjit të Fondit Pensional që lejon tërheqjen e kursimeve.
Krahas punëtorëve të KEK-ut, në protestë është paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe sindikatat e tjera.
“Më 16 qershor, nga ora 12:00, duke filluar nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’, do të protestohet para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së kursimeve nga Trusti. Të gjithë punëtorët që punojnë me ndërrimin e parë e që nuk janë të lidhur me prodhimin do të jenë pjesë e protestës, e që janë më shumë se 1 000 veta. Po ashtu, ka edhe sindikata të tjera që kanë shprehur gatishmërinë e përkrahjes apo mbështetjes simbolike”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Po ashtu, Organizata e Veteranëve e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar sot protestë gjithëpopullore në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për Pagën Minimale.
Të enjten mbahet seanca e Kuvendit në të cilën pritet të futet në rend të ditës edhe Projektligji për Trustin.
Pro kësaj tërheqjeje janë shprehur partitë opozitare, por tërheqja po kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.