
Pesë deputetët që lënë mandatin për të garuar për kryebashkiakë në Shqipëri
5 deputetë të Kuvendit në Shqipëri do të lënë mandatin e ligjvënësit për të garuar në elektoralet e 14 majit për kryetar bashkie.
Nga Partia Socialiste, dy do të jenë deputetët që do të heqin dorë nga mandati i tyre.
I pari është deputeti i qarkut të Shkodrës, Benet Beci, i cili do të tentojë të fitojë bashkinë e vetme që socialistët nuk kanë mundur ta drejtojnë.
Largimi i Benet Becit, rikthen mundësinë e Ilir Beqajt për t’u ulur sërish në parlament.
Deputeti i dytë që do të lë mandatin për të garuar në zgjedhje është Besjan Ajazi, të cilit i është besuar kandidimi në bashkinë e Gramshit. Në qarkun e Elbasanit, vendin e tij në kuvend pritet ta zë Shkëlqim Bullari.
Në kampin opozitar, 3 do të jenë deputetët që do të heqin dorë nga posti.
Në Tiranë, Belind Këlliçi do të tentojë të fitojë përballë Erion Veliajt. Heqja dorë nga mandati i Këlliçit pritet të rikthejë në kuvend një tjetër figurë, Asllan Dogjanin.
Deputeti Luçiano Boçi, do të lë mandatin për të garuar për bashkinë e Elbasanit. Mandatin e deputetit pritet ta marrë Qani Xhafa.
Zef Hila është një tjetër deputet që do të lërë mandatin për bashkinë e Vaut të Dejës. Vendin e tij pritet ta zë Lodovik Hasani, pasi Bardh Spahia që është i radhës në listë, pritet ta refuzojë. /euronews albania