
Pesë studentë nga Kosova në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se në kuadër të realizimit të bashkëpunimit të mbrojtjes me Republikën e Shqipërisë, për herë të parë, pesë studentë nga Kosova do të ndjekin studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Studentët tanë, së bashku me kolegët e tyre, vëllezër e motra studentë nga Republika e Shqipërisë, do të ndjekin studimet në nivelin e studimeve bachelor, në programin e Shkencave Ushtarake. Me ministrin Peleshi, jemi pajtuar që nivelin e bashkëpunimit ta thellojmë dhe konkretizojmë në veprime konkrete dhe jemi në rrugë të mbarë të realizojmë planin tonë të bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, Kosovë-Shqipëri, është interes jo vetëm për dy vendet tona, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.