Pesë zyrtarë policorë para gjykatës pas vdekjes së Agon Zejnullahut

09 korrik 2025 | 12:27

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan, nën dyshimet për përfshirje në një ndërhyrje, që përfundoi me vdekjen e një të riu 27-vjeçar.

Rasti ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut në Lipjan, ndërsa në mbrëmje janë arrestuar të pesë policët që janë marrë me rastin, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Policia ka thënë se i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis lidhur me rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar dhe ka thënë se pret “hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat” e vdekjes së 27-vjeçarit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.

Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.

Familja ka deklaruar se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.

Kryeministri në detyrë, Kurti, duke komentuar reagimet publike për ngjarjen, ka thënë se “tendenca që të nisë një antifushatë ndaj Policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”.

“Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve, dhe një verdikt profesional në bazë të tyre”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se deputetët…