
Peshku, duhani dhe burokratët: Histori e çmendur dhe e mahnitshme e Evropës Qendrore
Recension nga: Noel Malcolm (përkitazi me librin The Middle Kingdoms / Mbretëritë e Mesme, të autorit Martyn Rady)
Përktheu: Daut Dauti
Ky libër është histori e Evropës Qendrore, por ku dhe çka është kjo [Evropë]? Për ne që jemi rritur gjatë Luftës së Ftoftë, kanë qenë vetëm dy Evropa: Lindore dhe Perëndimore. Të vetmit njerëz që flitnin për Evropën Qendrore kanë qenë intelektualët në Pragë, Varshavë dhe Budapest, të prirë në theksimin e një identiteti që i bënte të dukeshin më shumë evropianë – pasi që termi përfshinte Gjermaninë dhe Austrinë – kishte më pak gjasa të tëhuajesoheshin si Lindje. Pra, a është ‘Evropa Qendrore’ vetëm term i ndjenjës së mirë apo pjesë e mençur e PR-it?
Në fakt, koncepti ka një pedigre të gjatë dhe përfaqëson një histori që shumica prej nesh e kanë humbur nga shikimi: shtrirja e supra-shtetit të Perandorisë së Shenjtë Romake; ekspansioni i madh i fuqisë së Habsburgëve në lindje të Austrisë; dhe përhapja e kulturës romako-katolike në botën sllave. Duke e lexuar këtë libër, mund të filloni që ta kuptoni se një ukrainas nga Lvivi nuk është aq ‘lindor’. Po ashtu, mundeni të filloni të mendoni se a është një gjerman nga Berlini aq ‘perëndimor’ sa e keni imagjinuar.
Tokat gjermane kanë histori primare në këtë tregim. Ato e kanë formuar bërthamën e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe në Mesjetë kanë qenë tërësisht të feudalizuara; Gjermania e sotshme ka jo më pak se 25 mijë kështjella mesjetare. Por, kufijtë në Lindje kanë qenë me vrima, që kanë mundësuar një ekspansion të vazhdueshëm të fuqisë gjermane. Kjo është penguar nga ardhja e mbretërive jogjermane – Hungaria, Polonia, Bohemia – të cilat, pak a shumë, e kopjuan Gjermaninë se si bëheshin gjërat.
Feudalizmi ushtarak ka qenë një gjë natyrale për huazim, pasi që hungarezët dhe polakët duhej t’i mbronin kufijtë e tyre të pasigurt lindorë ndaj mongolëve, tatarëve dhe turqve. Dhe, një faktor tjetër i rëndësishëm ka qenë krishterimi katolik, që u mor me zell. Një mbret i Bohemisë të shekullit XV, mblodhi një koleksion të relikteve të shenjta, përfshirë jo vetëm një gjemb nga kurora gjembore e Krishtit, por edhe një mbulesë të tavolinës nga Darka e Fundit, plus edhe pjesë të trupit të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.
Rady, ekspert i Hungarisë dhe Habsburgëve, është një udhërrëfyes i mrekullueshëm i këtij tregimi kompleks. Ai është vigjilent ndaj të metave të sunduesve individualë, që nga Vladisllav Bërryl-Larti [Władysław I Łokietek] dhe Venceslasi në shekullin XIV e deri te Perandori Frederik III (1415-1493), i cili e trashëgoi pamjen e bukur të biondit nga nëna gjysmë litaneze, ‘së bashku me reputacionin e saj për nguljen e thonjve në tavolina të drurit’. Dhe, Rady ka dëshirë të hedh dritë në vendet e papritura e të errëta, duke e përshkruar mënyrën se si frizianët, në vendet e tyre moçalore të bregut të Detit të Veriut, e udhëhiqnin shoqërinë e tyre në bazë të së drejtës zakonore. (“Në rastet e vrasjes, kufoma e të vrarit ndaj të cilit nuk është marrë haku, qëndronte e mumifikuar në një skaj të shtëpisë si përkujtim se ekzistonte një punë e pakryer.”)