
“Peshqit e kuq”, ja si infiltrohen agjentët ukrainas në Rusi me ndihmën e CIA-s
Ndërsa vëmendja botërore gjatë tre viteve e gjysmë të fundit është përqendruar në vijat e frontit lindor dhe jugor të luftës Rusi-Ukrainë, një konflikt paralel dhe i fshehtë ka qenë në zhvillim: lufta e inteligjencës mes Kievit dhe Moskës, me ndikim të fortë, por shpesh të paqartë për publikun.
Shërbimet sekrete ukrainase, SBU (siguria e brendshme) dhe GUR (inteligjenca ushtarake), kanë marrë në dorë një pjesë të madhe të veprimeve taktike, ndërsa ndihmat perëndimore janë bërë më të pasigurta. Operacione si sulmi i fundit ndaj aeroportit Borisoglebsk në Rusi janë tashmë të zakonshme, edhe pse jo gjithmonë po aq spektakolare sa sulmi i 2 qershorit ndaj disa bazave ajrore ruse, i quajtur “Rrjeta e Merimangës”.
Prej fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt 2022, këto agjenci kanë goditur objektiva përtej vijës së frontit, nga Donbasi e Krimea (duke përfshirë urën strategjike të Kerçit), deri në Moskë dhe Siberi.
Këto operacione nuk do të ishin të mundura pa bashkëpunimin e ngushtë të Ukrainës me CIA-n amerikane, që prej vitit 2016 ka ndihmuar në krijimin e njësisë elitare ukrainase 2245, të përbërë nga oficerë të rinj, patriotë dhe të pa lidhur me të kaluarën sovjetike.
Një nga figurat kyçe të kësaj njësie është Kyrylo Budanov, tashmë kreu i GUR-it.
Në të njëjtën kohë, SBU ka pësuar transformim të thellë. Në korrik 2022, drejtuesi i mëparshëm Ivan Bakanov, mik i ngushtë i Presidentit Zelensky, u shkarkua pas akuzave për tolerim ndaj spiunazhit të brendshëm dhe përdorimin e pajisjeve ruse në rrjetin e sigurisë. Në vend të tij u emërua Vasyl Malyuk, ideatori i operacionit “Rrjeta e Merimangës”, një plan kompleks që ka ngjashmëri me operacionet e Mossad-it kundër Hezbollahut.
Ndërkohë, SHBA ka forcuar praninë e saj në Ukrainë që para luftës, duke ngritur baza pranë kufirit dhe duke nisur programe trajnimi të quajtura “Peshqit e kuq” që mësojnë oficerët ukrainas të infiltruar të sillen si rusë.
Lufta në Ukrainë tashmë nuk është më vetëm një përplasje në terren, por një përballje e sofistikuar inteligjencash, që formëson të ardhmen e konfliktit larg syve të botës.