
Petrit Hajdari: Drenasi është i pathyeshëm me PDK-në dhe PDK-ja është e pathyeshme në Drenas
Kandidati për kryetar të Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari ka bërë të ditur se “Drenasi është i pathyeshëm me PDK-në dhe PDK-ja është e pathyeshme në Drenas”. Ai këto fjalë i ka thënë para anëtarëve të kryesisë dhe simpatizantëve të PDK-së në Drenas, në zyret e reja të kësaj partie.
Njoftimi i plotë i Petrit Hajdarit:
Të dashur qytetarë,
Sot Partia Demokratike e Kosovës, dega në Drenas kaloi në zyret e reja. Deputetë, anëtarë kryesie dhe anëtarë të PDK-së na nderuan me prezencë e kontribut në këtë hap të rëndësishëm për PDK-në.
Në kuadër të kësaj, u formua shtabi zgjedhor në krye të të cilit u zgjodh kryetar Sejdi Hoxha. Me zgjedhjen e komisioneve me të cilat shtabi zgjedhor do të kompletohet me njerëz të përkushtuar ndaj PDK-së dhe Drenasit, do të vazhdojmë tutje me shpalosjen e programit tonë para qytetarëve.
Një falenderim të përzemërt për të gjithë kontribuesit e aktivistët e PDK-së që përmirësimin e jetës për qytetarët e Drenasit e kanë bërë objektiv jetësor. Dedikimi i tyre është frymëzues dhe shpresëdhënës për këtë vend.
Falemnderit nga zemra kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi për mbështetjen e dhënë!
Drenasi është i pathyeshëm me PDK-në dhe PDK-ja është e pathyeshme në Drenas. Është amanet nga liderët tanë historikë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli që Drenasin ta mbajmë unik e të bashkuar. Nuk ka forcë që e ndal vrullin e PDK-së kur ajo rrugëton bashkë, qartë dhe me vullnet të hekurt për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.
Qytetari i Drenasit është i pari dhe i vetmi. Çdo organizim politik i takon atij dhe duhet të jetë në shërbim të tij. Djemtë e vajzat e këtij qyteti të bukur po e vënë veten në shërbim të një vizioni që është më i madh se të gjithë ne.
PDK, e unifikuar dhe me qëllim të qartë, mbetet adresa e qytetarëve që e duan këtë vend. Punë të mbarë e falemnderit shumë të gjithëve!
I juaji,
Petrit E. Hajdari