Petrit Hajdari largohet nga drejtimi i Degës së PDK-së në Drenas: Drenasit i nevojitet unifikim

07 maj 2026 | 12:12

Kryetari i deritanishëm i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas dhe ish-kandidati për kryetar të komunës, Petrit Hajdari, ka njoftuar se ka vendosur ta lirojë pozitën drejtuese në degën e PDK-së në këtë komunë, duke theksuar se vendimi është marrë me kërkesë të kandidatit për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza.

Përmes një reagimi publik, Hajdari ka thënë se dega e PDK-së në Drenas ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke u renditur si dega më e fuqishme e partisë.

“E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë”, ka deklaruar ai.

Hajdari ka bërë me dije se angazhimin politik do ta vazhdojë në kryesinë qendrore të partisë, duke shtuar se kontributi për PDK-në dhe vendin nuk lidhet me pozita.

“Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit”, është shprehur ai.

Në mesazhin e tij, ai ka falënderuar ish-kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për besimin dhe bashkëpunimin, ndërsa i ka uruar suksese Bedri Hamzës në zgjedhjet e ardhshme, duke ofruar mbështetjen dhe angazhimin e tij në fushatë.

Hajdari ka falënderuar gjithashtu strukturat e degës, asamblistët, shtabin zgjedhor dhe kandidatët për deputetë nga Drenasi për angazhimin në zgjedhje, ndërsa ka kërkuar që drejtimin e degës ta marrë “një figurë e pakorruptuar, përbashkuese dhe jopërçarëse”.

“Drenasit i nevojitet unifikim”, ka theksuar ai.

Në fund, Hajdari ka vlerësuar trashëgiminë politike të Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke thënë se do ta vazhdojë kontributin me bindjen se “e mira e PDK-së është e mira e vendit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në dy ditët e fundit ka bërë bujë peticioni ku…