
Petrit Hajdari: Ramiz Lladrovci nuk është kthyer në zyrat e PDK-së, ai nuk është PDK
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka thënë se Ramiz Lladrovci nuk është kthyer në zyrat e PDK-së.
Ai ka thënë se zyrat e PDK-së nuk janë aty.
“Ai lokal është pronë private e familjarit të vet. Atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë. Kemi qenë në proces zgjedhor, të cilin nuk e kemi fituar dhe gjithmonë e respektojmë verdiktin e qytetarit. PDK sot në Drenas është në opozitë. Kaq e thjeshtë është. Tjerat janë manipulim i pastër”, ka shkruar Hajadari në “Facebook”.
Ai ka komentuar mbrëmë edhe paraqitjen e Lladrovit në emisionin Pressing në T7.
“Sjellja e tij prej arroganti mbrëmë në emisionin Pressing tregon që ai imazh prej viktime që e kultivoi gjatë fushatës me ndihmë të pashpjegueshme mediale, ishte veç farsa e një identiteti tjetër, atij të grabitçarit manipulant që është në gjendje të bëjë gjithçka për pak spektakël e pak pushtet. Jo më vonë se të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, si kundërkandidat e kam uruar për fitoren. Shko në zyrën e kryetarit dhe fillo punën për të cilën je votuar. Këto skena s’i kanë hije askujt, aq më pak demokracisë e edhe më pak Drenasit. Qytetarët e panë dje që kanë votuar për dikë të cilit kur i bëhen pyetje që s’i pëlqejnë, në stilin e Albin Kurtit i kthehet gazetarëve me linçim. ‘I pitë’, ‘i paguar’ e terma që s’i bëjnë nder askujt”, ka shkruar ai.
Hajdari ka thënë se kontributi i tij për Drenasin është dhe do të jetë në çdo rrethanë. “Nuk kam kurrfarë hatërmbetjeje me qytetarin tim sepse për dallim prej z. Lladrovci, unë këtë vend e dua pa kushte, e jo veç nga pushteti. Nuk matet kontributi me ‘a ka pru libra’. Ku po e din a kam sjellë libra, kur s’e lexon asnjë? I zënë me ‘milunat’, nuk po di as të fitojë me dinjitet. Me çdo kusht përplasje, me çdo kusht viktimizim. PDK ka qenë e sinqertë prej fillimit me qytetarin. Ai nuk është PDK. Këtë nuk e ndërron rezultati zgjedhor. Ne kemi garuar për kryetar komune, jo për degën e PDK-së. Ajo që njerëzit si ai pa vetëdije politike nuk e kuptojnë, është që në demokraci, kur votohet për kryetar komune, nuk votohet edhe për mbret, edhe për mbretëreshë, edhe për kryetar dege, anëtar dege, e çka jo tjetër. Zgjedhjet kanë qenë veç për kryetar komune. Ta kemi uruar të gjithë. Nisja punës e mos bëj skena, z. viktimë!”, ka shkruar Lladrovci.