
Pezullohet përkohësisht operacioni për të riun që e zuri dheu në Shqipëri
Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës, ka njoftuar se para katër ditësh më 3 maj, ka pranuar një thirrje për ndihmë në pjesën veriore të Shqipërisë, në Burrel, lidhur me një aksident të shkaktuar nga rrëshqitja e dheut në një fabrikë të pasurimit të kromit.
Në njoftim thuhet se aksidenti ishte shkaktuar nga një vërshim uji nga një prej rezervuarëve ujëmbledhës, i cili kishte rrëmbyer një mjet pune, dhe dyshohej se bashkë me të ndodhej edhe një person i zhdukur.
“Një skuadër nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, u nis menjëherë drejt vendngjarjes. Pas inspektimit fillestar të zonës, u realizua një kërkim i kujdesshëm, por për shkak të rrezikshmërisë së lartë në terren, të gjitha procedurat e mëtejshme u pezulluan”, thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.
Tutje bëhet e ditur se kërkimi vlerësimi i terrenit vazhdoi edhe më datë 04.05.2025, ku u konstatua se çdo veprim tjetër operacional paraqiste rrezik serioz për ekipet e angazhuara.
Për këtë arsye, u mor vendimi për të pezulluar operacionin deri në një informacion të dytë nga strukturat shtetërore.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha autoritetet shtetërore për të vlerësuar kushtet dhe për të mundësuar vazhdimin e operacionit në momentin e parë të përshtatshëm”.