Pheniani paralajmëron kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të Uashingtonit dhe Seulit

11 gusht 2025 | 12:24

Koreja e Veriut do të kundërpërgjigjet “me vendosmëri” në rast të provokimeve gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë, tha shefi i Mbrojtjes në Phenian përmes një njoftimi më 11 gusht.

Paralajmërimi vjen teksa Seuli dhe Uashingtoni po përgatiten të zhvillojnë stërvitjet vjetore ushtarake që kanë për synim të frenojnë Korenë e Veriut – të pajisur me armë bërthamore – të cilat do të mbahen nga 18 deri më 28 gusht.

Koreja e Veriut – e cila sulmoi fqinjin e saj më 1950, duke shkaktuar Luftën Koreane – gjithmonë ka shprehur zemërim për stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke i cilësuar ato si përgatitje për pushtim.

“Forcat e armatosura të Koresë së Veriut do të përballen me stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut përmes një kundërpërgjigje të vendosur… në nivelin e të drejtës për vetëmbrojtje”, tha shefi i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, No Kwang Chol, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

ShBA-ja ka të stacionuar afër 28.500 trupa në Korenë e Jugut dhe këto dy shtete aleate vazhdimisht mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake, që thonë se janë të natyrës mbrojtëse.

Kohët e fundit, Seuli dhe Pheniani duket se po shkojnë drejt një përmirësimi të marrëdhënieve, pasi palët kanë hequr altoparlantët propagandistikë përgjatë kufirit.

Seuli ka njoftuar se trupat e Koresë së Veriut kanë filluar të çmontojnë altoparlantët që përdoren për të shkaktuar zhurma përgjatë kufirit, disa ditë pasi administrata e re e Seulit çmontoi altoparlantët që përdorte për të transmetuar propagandë.

Të dyja vendet kishin ndaluar përdorimin e altoparlantëve përgjatë zonës së demilitarizuar në qershor, pas zgjedhjes së presidentit të ri të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i cili synon të ulë tensionet me Phenianin.

Raportet midis dy Koreve kanë qenë në nivelin më të ulët ndër vite gjatë presidencës së mëparshme të Yoon Suk Yeol, me Seulin që ndoqi një linjë të ashpër ndaj Phenianit, i cili është afruar gjithnjë e më shumë me Moskën pas pushtimit rus të Ukrainës.

Që nga zgjedhja e tij, Lee ka një qasje tjetër sa i përket Koresë së Veriut, duke përfshirë kërkesën që grupet qytetare të ndalojnë dërgimin e fletushkave propagandistike përtej kufirit përmes balonave. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka qenë në qendër të…