
Piastri: Janë ende 9 gara, 34 pikë nuk është një avantazh i mjaftueshëm
Gara e Çmimit të Madh të Holandës në Formula 1 ishte një bekim për pilotin australian të McLaren, Oscar Piastri, që fitoi në pistën e Zandvoort. Nga ana tjetër, rivali dhe shoku i tij i skuadrës Lando Norris, u detyrua të tërhiqej pas një problem në makinë.
Për pasojë, Piastri udhëheq me 34 pikë në renditjen e përgjithshme, duke hedhur një hap të madh drejt titullit kampion për pilotë. Një epërsi që vetë australiani nuk e shpresonte para kësaj gare, ndërkohë që janë ende edhe 9 gara deri në fund të sezonit. Duke folur për këtë situatë, Piastri këmbënguli të mbante këmbët fort në tokë, duke përjashtuar mundësinë e spekulimit tani për avantazhin e tij. “Ka ende shumë rrugë për të bërë. Duhet të vazhdoj të shtyj përpara dhe të përpiqem të fitoj gara”, ka thënë australiani.
“Nuk do të thosha se është një diferencë shumë e rehatshme. Gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt në Formula 1, me vetëm një dalje nga gara. Pra, me kaq larg për të shkuar në kampionat, nuk është një avantazh i rehatshëm”, ka pohuar Piastri.
Deri më tani këtë sezon, asnjë pretendent për titull nuk ka pasur një diferencë kaq të madhe ndaj rivalit më të afërt. Ndërsa hyjmë në një të tretën e fundit të sezonit, me vetëm dy gara evropiane të mbetura, ky avantazh nuk është pak.