Pierre Richard Prosper: Nëse Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, është vlerësim i padrejtë i tërë historisë
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, tha se nëse Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, është vlerësim i padrejtë i tërë historisë.
“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë”.
“Mendoj se jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”, deklaroi Prosper në një intervistë ekskluzive në Info Magazine në Klan Kosova.
Sipas tij, të gjithë dëshmitarët e mbrojtjes u larguan të hutuar duke pyetur “pse jemi këtu?” dhe nëse ktheheni mbrapa te komentet dhe përshtypjet që kanë dhënë vite më parë, mbetet kjo, “pse jemi këtu”.
“Kjo pyetje vlen për të gjithë dëshmitarët. Kjo nuk ka kuptim. ‘Pse jemi këtu?’. Akoma nuk e dimë. Sepse përgjigja te e cila arrijmë është ajo se ne nuk duhet të jemi këtu. Edhe presidenti Thaçi, personi për të cilin jam i autorizuar të flas në emër të tij, nuk duhet të jetë këtu, sepse nuk është përgjegjës për ato pretendime e abuzime për të cilat flet prokuroria. S’mund të jetë më e qartë”, u shpreh avokati i Thaçit.
Ai është i mendimit se pas dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, Thaçi dhe të tjerët janë të mendimit se tashmë e vërteta është nxjerrë në pah.
“Përfundimi megjithatë nuk është në dorën e tyre, as në dorën time, por në dorë të gjyqtarëve. Sidoqoftë të ulesh aty për Z. Thaçi dhe të tjerët, dhe mundësia për të dëgjuar gjithë këto figura të mirënjohura dhe të zgjuara që tregojnë se si kanë qenë ngjarjet dhe t’i tregojnë gjykatës të vërtetën, mendoj se pas kësaj thjesht e lë në duar të fatit sepse ata e dinë se historia do ta dëshmojë të vërtetën, cilido që të jetë përfundimi i këtij gjykimi”, theksoi Pierre Richard Prosper.



