Piraj: Duhet të iniciohet reforma totale e politikave tatimore në vend

17 shkurt 2021 | 10:57

Prodhuesi vendor nga kompania “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se qeveria e re duhet të merret me inicimin e reformave të politikave tatimore. Sipas tij, shteti duhet të marrë përgjegjësi kur të ketë kontest ekonomik në mes shtetit dhe biznesit, në mënyrë që mos të ndëshkohen bizneset përpara se të përfundojë procesi juridik

Albulena S. MAVRAJ

 Prodhuesi vendor nga kompania “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se Kosova është vonuar në reformat ekonomike. Sipas tij, çdo vonesë në këtë drejtim do të ketë ndikim në rrjedhat ekonomike të vendit. “Ne jemi shumë vonë me reformën ekonomike dhe përmirësimin e klimës të të bërit biznes. Prandaj, vonimi disamujor nuk do të ketë ndikim në rrjedhat e ekonomisë, sepse si institucionet financiare ashtu edhe institucionet e shtetit për kontrollin dhe mbarëvajtjen e ekonomisë do të funksionojnë normalisht”, ka thënë Piraj.

Ai ka thënë se qeveria e re duhet të bëjë reforma totale të politikave tatimore, ndërkaq thotë se fokus të veçantë duhet t’i kushtojë tërheqjes së investimeve të huaja. “Buxheti është miratuar nga Kuvendi para shpalljes së zgjedhjeve. Kështu që nuk pritet ndonjë ndikim në këtë aspekt. Qeveria e re ka shumë punë. Duhet të iniciohet reforma totale e politikave tatimore në vend dhe të përmirësohen shërbimet e institucioneve karshi bizneseve. Ajo që është shumë thelbësore, duhet të punohet në hapjen e Kosovës për investime ndërkombëtare të drejtpërdrejta në mënyrë që të zbutet papunësia në vend”, ka deklaruar prodhuesi vendor, Burim Piraj.

Sipas tij, ndër gjërat kryesore të qeverisë së re do të duhej që kur të ketë kontest ekonomik në mes shtetit dhe bizneseve, të mos ndëshkohen bizneset përpara se të përfundojë procesi juridik. “Një nga gjërat kryesore në këtë drejtim do të duhej që shteti të marrë përgjegjësi edhe kur të ketë kontest ekonomik në mes shtetit dhe bizneseve, pra të mos ndëshkohen bizneset përpara se të përfundojë procesi juridik. Për shembull, nëse një biznesi nga kontrolli i ATK-së i figurojnë gabime të paqëllimshme ose të qëllimshme, të mos detyrohet të paguajë diferencë nga kontrolli sikur që është tani pa përfunduar procesi i ankimit deri në fund”, ka thënë Piraj.

Ai ka shtuar se shumë biznese janë dëmtuar pasi po detyrojnë të paguajnë shuma të mëdha parash dhe që në fund të dalin të pafajshëm pas pesë vjetësh e pastaj t’u kthehen mjetet. “Kjo gjë është shumë e keqe dhe për këtë shteti duhet ta reformojë këtë pikë”, ka thënë Piraj. Ai ka thënë se qeveria e re duhet të dalë në terren për t’i parë sfidat e bizneseve. “Tani qeveria e re duhet të dalë në terren ashtu siç ka dalë në fushatë. Pra, t’i marrë seriozisht vërejtjet e bizneseve”, ka thënë pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Juventusi ka kontaktuar me Zidanen”. Kjo është “bomba” indirekte që…