Pishtari i arsimit dhe i lirisë, Mustafë Shyti, nuk do të shuhet kurrë

11 mars 2025 | 14:27

Të dashur dhe të nderuar familjarë të familjes Shyti,

Miq dhe dashamirë të kësaj familjeje dhe të mësuesit, poetit dhe heroit Mustafë Shyti,

Jemi mbledhur sot këtu, në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për ta uruar Bedri Tahirin për publikimin e kësaj monografie, sakaq për ta nderuar pishtarin e lirisë, mësuesin, poetin dhe atdhetarin e madh të familjes Shyti, Mustafë Shytin, gjithashtu për ta njohur në tri veprimtari.

Disa prej nesh Bedriun e kemi uruar dhe herë të tjera për libra të tjerë. Për atdhetarë, të gjallë dhe të vdekur, vazhdimisht ka shkruar poezi, kumtesa, nekrologë dhe lloje të tjera të shkrimeve. Për heronj ka shkruar monografi. Një të tillë, për një mësues, një poet dhe një hero të Kosovës, e shkroi këtë vit. E shkroi me përkujdesje të madhe sepse, sipas materialeve që ka mbledhur për të, sipas rrëfimeve të të tjerëve për të, ka pasur përgjegjësi të madhe para tyre dhe para jush.

Unë, recensenti, familjarët e tij, edhe disa miq të tij, e dimë që Bedriu këtë monografi e ka nisur që disa vjet. Ka shkruar ngadalë në kompjuter, ka ecur ngadalë nëpër fushëbetejat e Shytit, ka takuar bashkëluftëtarë të heroit Shyti dhe ka biseduar me ta për të. Ka mbledhur, po ashtu, shkrime të gazetave dhe fotografi nga albumi familjar derisa, veten dhe ne të tjerëve që kemi bashkëpunuar me të, na ka bindur se tash monografia për Mustafë Shytin vlen të botohet. E duke mbledhur të dhëna nga biografia dhe veprimtaria e Shytit, Bedriu ka mbledhur dëshmi historike të qëndresës së gjithë familjes Shyti ndër dekada, së cilës i shpreh konsideratat më të larta.

Emrin dhe mbiemrin e Mustafë Shytit i kam parë vite më parë, kryesisht në gazeta, kur e kujtonin shokët, kur e nderonin shokët, kur flisnin për kontributet e tij atdhetare në shkollë, në tribuna, në rrugë, në male, në fushëbeteja, në letra, në mirënjohje presidenciale… Mendoja që dija mjaftueshëm për të. Edhe në valët e Radios Kosova e Lirë kam dëgjuar për të bëmat e tij për lirinë e Kosovës. Edhe në shkollën e Oshlanit kam parë emrin dhe mbiemrin e tij dhe disa vargje të veprave të tij. Por, ndërkohë, duke lexuar dorëshkrimin e librit të Bedriut për Mustafën, dhe duke bërë llogaritë nga njohuritë që kisha për këtë figurë të madhe kombëtare, pashë që dija shumë pak nga veprimtaria atdhetare, shkrimore dhe intelektuale e tij. Të bërat dhe të bëmat e Mustafë Shytit, gjithë jetën e tij, gjithë angazhimin e tij, edhe rënien e këtij atdhetari të rrallë me pushkë në dorë, Tahiri, ky kujdestar i kujtesës kombëtare, na ka sjellë në këtë libër lapidar. Por në këtë libër nuk e njohim angazhimin dhe idealet vetëm të një njeriu. Shohim idealet e gjithë familjes së tij atdhetare, të burrave dhe të grave, të djemve dhe të vajzave. Përkujdesjen e një mësuesi për nxënës, përkujdesjen e një burri për gruan, përkujdesjen e një djali për prindërit, përkujdesjen e një babai për fëmijët, përkujdesjen e një fqinji për fqinjët, përkujdesjen e një atdhetari për atdheun.

Se sa e ka njohur Bedri Tahiri Mustafë Shytin, kur dhe si janë takuar, do të dëgjojmë prej tij në fund.

Se sa e ka njohur Miftar Kurti Mustafë Shytin, se çfarë mbresa i ka lënë ai, do të dëgjojmë prej tij pas pak. Do të doja të kisha vjet më shumë e ta njihja për të gjallë, por unë Mustafë Shytin nuk e kam takuar kurrë, se derisa si 14-vjeçar ikja nga plumbat nëpër malet e Drenicës, ai në shtator të 1998-s u dilte përballë plumbave të serbëve. Për çmimin e lirisë së sotme, në moshën 53 vjeçe, dha jetën. La, në moshë pak më të pjekur sesa që isha unë në atë kohë, gruan, vajzat dhe djemtë. Më tutje, familjen e gjerë. Beteja e tij e fundit ishte në shtator të ’98-s, por gjatë jetës kishte pasur disa beteja me serbët herë me pendë, herë me pushkë. Trimëritë e tij, të pamatshme. Angazhimet e tij, të shumëfishta. Kurdo që ta lexoni monografinë Flakadani i lirisë, e cila i ka përmbushur kriteret e monografisë dhe do t’ju jepet falas nga familja e tij, do ta shihni kontributin e tij atdhetar në tri aspekte: prej mësuesi që edukon brezat atdhetarisht dhe që angazhohet për liri; prej poeti që, kur shpërthejnë tytat, lirikat i shndërron në epika; prej heroi që, në kohën e luftës, la mënjanë dashurinë për familjen dhe dha jetën për çlirimin e atdheut. Ky pishtar i arsimit dhe i lirisë nuk do të shuhet kurrë. Ky pishtar do të nderohet dhe të kujtohet gjithmonë. Lavdi!

Fjala e redaktorit të librit “Flakadani i lirisë : monografi për mësuesin, poetin dhe dëshmorin Mustafë Shyti”, Berat Dakaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës nesër (e mërkurë) pritet të mbaj mbledhjen…