
Pjesëmarrja në operacionet e paqes, ndër detyrat kryesore të FSK-së
Në Ministrinë e Mbrojtjes me ceremoni të lartë ushtarake, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka pritur në vizitë zyrtare, homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Lorenzo Guerini me delegacionin e tij të lartë ministror, diplomatik dhe ushtarak.
Në takimin bilateral në mes dy delegacioneve, ministri Quni, e falënderoi dhe i shprehu kënaqësinë e veçantë ministrit Guerini për vizitën e tij edhe pse në rrethana të veçanta të krijuara nga kriza e pandemisë, duke e vlerësuar lartë vizitën përkatëse edhe për këtë arsye, raporton “Epoka e re”.
Në fjalën e tij, ministri Quni, gjithashtu shprehu mirënjohjen e lartë për Republikën e Italisë, si vend mik, në mbështetjen e ofruar në të gjitha periudhat e vështira në të cilat ka kaluar vendi dhe populli i Kosovës në të gjitha fushat.
Ai nënvizoi përkrahjen e madhe gjatë dhe pas luftës, në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të vendit e posaçërisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Në vazhdim, ministri Quni shprehu mirënjohjen e lartë për rolin dhe kontributin e madh në sigurinë e përgjithshme të vendit dhe rajonit të kontingjentit ushtarak italian në kuadër të KFOR-it të udhëhequr me sukses nga gjeneralët e shumtë italian duke theksuar edhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me ish-komandantin e KFOR-it, gjeneral Risin të pasuar me të njëjtin bashkëpunim edhe me komandantin aktual të KFOR-it gjeneral major Franco Federici.
Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe italiane në procesin e integrimeve euroatlantike dhe forcave ushtarake italiane në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.
Në vazhdim, ministri Quni shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të ushtarakëve italian në cilësi të këshilltarëve bilateral dhe atyre në kuadër të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, që nga fillimi i ndërtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Eksperiencën e tyre, ai e vlerësoi shumë të rëndësishme duke pasur parasysh fokusin në ngritjen e forcave të ndërveprueshme për pjesëmarrje cilësore në operacione paqeruajtëse. “Pjesëmarrja në operacionet e paqes është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat italiane dhe forcat tjera të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s. Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë”, ka thënë Quni.
Nga ana e tij, ministri Guerini ka falënderuar për pritjen e ngrohtë dhe ndjenjën e veçantë të vizitës në prag të krishtlindjeve në një vend mik. Ai përgëzoi ministrin Quni, për të gjitha të arriturat e deritashme të ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke konfirmuar angazhimin e Republikës së Italisë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon përmes KFOR-it.
Ai në vazhdim shprehu interesimin e tij për shtimin e dinamikës për implementimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar para dy viteve në mes dy ministrive dhe shprehu zotimin e tij për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e lidershipit të Ministrisë dhe FSK-së në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak për të ardhmen. “U siguroj se Republika e Italisë do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive perspektivën euro-atlantike të Kosovës duke theksuar se do të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral në funksion të interesave tona të përbashkëta, ka thënë Guerini.