Pjesëmarrje rekord në Hungari, Orban: Këto nuk janë zgjedhjet e mia të fundit – Magyar: Ne do të fitojmë

12 prill 2026 | 14:23

Deri në orën 11:00, 37.98 për qind e votuesve kanë dalë në votime në Hungari. Presidenti në largim dhe udhëheqësi i opozitës ishin në qendrat e votimit.

Pjesëmarrja në votime në Hungari është në nivelin më të lartë historik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 të mëngjesit, 37.98 për qind e votuesve, ose 2 milionë 858 mijë 892, kishin hedhur tashmë votën e tyre për garën midis Viktor Orban dhe Peter Magyar.

Kjo është një shifër rekord, shumë më e lartë se 25.77 për qind e regjistruar katër vjet më parë. Trendi ishte i dukshëm që në orët e para të mëngjesit: deri në orën 9:00 të mëngjesit, pjesëmarrja kishte arritur pothuajse në 17 për qind, krahasuar me 10.31 për qind  në vitin 2022. Në vitin 2022, pjesëmarrja përfundimtare ishte 69.59 për qind,  shkruan “Ansa”, transmeton “Kosovapress”.

Këtë vit, parashikimet tregojnë mundësinë e tejkalimit të ndjeshëm të pragut prej 70 për qind.

Një kryetar bashkie nga radhët e Fidesz në Hungari ka deklaruar publikisht se ka votuar për opozitën e udhëhequr nga Peter Magyar. Mihaly Szoke-Toth, kryetar bashkie i Bocsas, një qytet i vogël në jug të Hungarisë, ka nxitur votuesit të merrnin pjesë në votim në një mesazh në “Facebook”, duke u distancuar nga partia e tij e udhëhequr nga Viktor Orban. “Unë votoj kundër ndikimit rus dhe për vlerat evropiane. Unë mbështes një komunitet që dëshiron të ndërtojë dhe përfaqëson shpresën për kombin”, ka thënë ai.

Szoke-Toth, sipas raportimeve të medias hungareze është zgjedhur kryetar bashkie në vitin 2024 me 71.15 për qind të votave (587 vota).

Magjarët votojnë në Budapest: “Ne do të fitojmë, sfida është shumica absolute”

Udhëheqësi i opozitës hungareze, Peter Magyar, ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit të kopshtit Hegyvideki Mesevar në distriktin e 12-të të Budapestit.

“Partia jonë do të fitojë; e vetmja pyetje është nëse do të jetë me shumicë të thjeshtë apo me shumicë absolute”, i ka thënë medieve atje pasi ka hodhur votën e tij. “Ne duhet të forcojmë pozicionin e Hungarisë në BE dhe NATO”, ka shtuar ai, duke përsëritur nevojën për të “zhbllokuar fondet e BE-së” të ngrira për shkak të mosmarrëveshjes midis Brukselit dhe Viktor Orban mbi sundimin e ligjit. Nëse ai fiton, përsëriti ai, “prioriteti do të jetë miratimi i masave kundër korrupsionit”.

Orban voton: “Jam këtu për të fituar, zgjedhja e popullit duhet të respektohet”

“A do të jenë këto zgjedhjet e mia të fundit? Jam i ri, nuk janë zgjedhjet e mia të fundit. Jam këtu për të fituar”, ka thënë Orbani.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, e ka thënë këtë deklaratë për medie menjëherë pasi ka votuar në Budapest. “Vendimi i popullit duhet të respektohet”, ka thënë ai në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

I pyetur për mundësinë e përgëzimit të rivalit të tij, Peter Magyar, nëse ai humbet, ai  është përgjigjur: “Më përgëzoni? Gjithmonë e bëj. Ka rregulla të civilizuara”.

“Ne jemi të përkushtuar të ruajmë marrëdhënie miqësore me udhëheqësit e të gjitha shteteve të mëdha”, është përgjigjur ai më pas pyetjeve të gazetarëve në lidhje me marrëdhënien e tij me Vladimir Putinin. I pyetur se çfarë do të bënte në vend të Volodymyr Zelensky-t, konkretisht mundësinë e lëshimit të territorit, ai  është përgjigjur: “Jam mjaft me fat që nuk jam Zelensky”, shkruan “Ansa”.

Orban ka votuar në qendrën e votimit të Shkollës Fillore Zugliget në distriktin e 12-të të Budapestit, duke mbërritur me bashkëshorten e tij, Aniko Levai. Kryeministri ka shprehur kënaqësinë e tij me pjesëmarrjen e lartë të pritur, duke vënë në dukje se pjesëmarrja e fortë historikisht ka favorizuar partinë e tij: “Sa më shumë njerëz që votojnë, aq më mirë”, ka thënë ai, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shkojnë në kutitë e votimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sprinteri australian, adoleshenti Gout Gout, ka shënuar një kohë historike…