
Pjesët kryesore të intervistës së Thaçit nga Haga
Shpallësi i Pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën në Klan Kosova ka folur nga Haga për shumë gjëra. Prindërit, Kosovën, marrëdhënien e vendit me Amerikën, Banjskës e shumë gjëra tjera.
Ish-presidenti i Kosovës që sot po gjykohet në Hagë, komentoi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e luajtën në çlirimin e vendit.
Thaçi e konsideron se asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar më i suksesshëm sesa ai i NATO-s në Kosovë, gjë për të cilën tha se pa rolin lider të ShBA-së, Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë.
“Asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”, tha Thaçi në Rubikon.
Thaçi tutje foli edhe për bashkëpunimin me BE-në dhe vendet e tjera, bashkëpunim për të cilin tha se ishte interlokutori prej kryesorëve.
“Sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht. Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar”, tha ai.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian “sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”.
Thaçi u shpreh se roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm.
“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”, u shpreh Thaçi
Ish-presidenti ka folur edhe për bashkëpunimin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e perëndimit.
Thaçi tha se kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtuar lidershipit dhe popullit kosovar, sipas tij, kanë qenë në të mirë të Kosovës, të sinqerta, parimore dhe që lidheshin me interesat e ty vendeve.
“Kërkesat e SHBA-ve drejtuara lidershipit dhe popullit kosovar kanë qenë në të mirë të vendit tonë – të sinqerta dhe parimore, që lidheshin me interesat e të dy vendeve, për rend kushtetues dhe ligjor, harmoni etnike, fetare dhe qytetare, prosperitet ekonomik, shoqëri multietnike dhe integrimi i tyre në shoqëri dhe institucione, forcimin e shoqërisë civile, media të lira, luftë kundër terrorizimit dhe radiklizmave tjerë”, tha Thaçi në Rubikon me Adriatik Kelmendin, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se nëse dikush e kupton realizimin e vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi si dëgjueshmëri apo sërvilizëm të tij në raport me Shtetet e Bashkuara, Thaçi u shpreh se “lëre që nuk ndihem i akuzuar, por ndihem shumë i nderuar”.
“Nëse ndokush e kupton realizimin e vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në organizatat ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me SHBA dhe Perëndimin – lëre që nuk ndihem i akuzuar por ndihem shumë i nderuar. Nuk jam bukëshkalë!”, tha Thaçi.
Thaçi, me sinqeritet të madh tregoi se gjatë rrugëtimit të tij politik ka bërë gabime, por tha se kurrë nuk ka gënjyer dhe mashtruar.
“Po, kam bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar. Nuk kam synuar të bëjë idealin, besoj kam bërë realistin. Kam ecur paralel me parimoren dhe pragmatiken, jam munduar të tregohem sa më pak egocentrik”, tha Thaçi.
Më tej, ai u shpreh se në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri dhe shtetbërje, në parim dhe strategji nuk do të ndryshonte diçka me peshë.
“Në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri e shtetbërje në parim dhe strategji nuk do të ndryshoja diçka me peshë, në planin taktik, periudhat kohore të vendimeve dhe aktorët – do të ndryshoja në raste të caktuara”, tha Thaçi.
Ai u shpreh se Kosova ishte përballë dy sfidave, ta themelojë Specialen në koordinim me ShBA-të dhe BE-në ose vendit do t’i imponohej një gjykatë e njëjtë, por me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës.
“Kosova ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë, por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE”, u shpreh Thaçi në Rubikon.
Tutje, ai tha se Kosova e bëri zgjedhjen e parë, themelimin e Speciales në koordinim me ShBA-të dhe BE-në, zgjedhje të cilën e quajti shumë sfiduese “por më e përgjegjshme”.
“Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet”, tha Thaçi.
Është pyetur nëse ka ndonjë mesazh për liderët aktualë të Kosovës.
Ai ka thënë se është vetëm opinioni i tij, por u ka bërë thirrje që të punojnë më shumë dhe ta respektojnë njëri-tjetrin. Por në fund ka thënë se liderët janë të përkohshëm, ndërkaq Kosova është e përjetshme.
“Të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shumë dialog, toleancë, bashkëpunim dhe respekt për njëri-tjetrin. Dallimet politike do të duhej t’i shndërrojnë në motive për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe në kundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit, duhet pasur kujdes, pasi mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin dhe shoqërinë, me pasoja, sipas tij, dekadash për shërim civil.
“Duhet pasur kujdes, mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin dhe shoqërinë me pasoja dekadash për shërim civil dhe shtetëror. Lirinë e fituar dhe shtetin e ndërtuar duhet trajtuar shumë seriozisht”, tha Thaçi në Rubikon.
Ish i pari i shtetit tha se nuk duhet lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik dhe afatgjatë i Kosovës.
“Nuk duhet lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik afatgjatë. Shtetin duhet ta forcojmë për të drejtën dhe të mirën tonë, e jo në urrejtje ndaj askujt”, tha Thaçi.
Ai ka folur edhe për ecurinë e shtetësisë së Kosovës, njohjet e reja dhe mos-anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
Thaçi tha se është shqetësuese që në pesë vitet e fundit, Kosova mori vetëm dy njohje të reja, ndërsa nuk pati asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit. Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për Kosovën”, tha Thaçi në Rubikon.
Sipas Thaçit, rikthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, paraqet mundësi të re dhe të artë për Kosovën, pasi sipas tij, Trumpi është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim.
“Rikthimi i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim mes popujve”.
“Të rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell”, tha Thaçi.
Nuk e la pa folur edhe për agresionin në Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023.
Sipas Thaçit, në këtë ngjarje, Kosova e kishte në dorë “edhe shkopin edhe karotën”, teksa ngrehi pikëpyetje se si ndodhi të shfaqeshin mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra brenda territorit të Kosovës.
“Kosova kishte në dorë edhe shkopin edhe karotën, si ndodhi të shfaqen mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të Kosovës?”.
“Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në pikë të ditës sikur të ishin “krushq të lirisë” e jo atakues të lirisë dhe shtetit?”, u shpreh Thaçi në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se si erdhi deri te “Banjska”, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë në bashkëpunim me ndërkombëtaret në një proces transpranet mund ta zbardh të vërtetën.
“Si erdhi deri te kjo ngjarje, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë bashkërisht me ndërkombëtarët në një proces transparent mund ta zbardhë të vërtetën. Kosovës e vërteta i duhet më shumë në raport me ndërkombëtarët, sesa për ta kënaqur opinionin publik lokal”, tha Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në intervistën e parë pas pesë vjetësh në Hagë, në fillim të saj ka folur për prindërit dhe kujtimet me ta.
Ai ka përmendur takimet me prindërit në vitet 2023 dhe 2024. Ai ka kujtuar edhe një moment në fillim të viteve ’90 kur babai e kishte kuptuar se Thaçi ishte i angazhuar në çështjen e Kosovës dhe i kishte dhenë një mesazh.
“Vizitova prindërit në vitin 2023 dhe u preka shumë sepse i gjeta në gjendje jo të mirë shëndetësore. Prindërve ua kam borxh jetën, u përulem për të gjitha. I dhanë kuptim jetës sime. Kur u përshëndetëm më thanë rruga e mbarë, me zemër të lënduar, pa lot në sy, por thellëmendueshëm. Po atë mbrëmje u ktheva në Hagë”, ka thënë ai në intervistën me Adriatik Kelmendin.
“Gjatë vitit 2024 edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore, prindërit më vizituan. Tre orët kaluan shpejtë. Që të relaksoja më shumë ndejën, ua kujtoja të kaluarën dhe kohën kur më jepnin para dhe blija gazetën Rilindja. Ia freskova babait kujtesën për një bisedë të viteve ’90, kur i ndihmova në oborr. E di dhe po e shoh që je hy në punë të rënda. Dua të them, sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”, qe mesazhi i babait për Thaçin.