Pjetër Shala i kërkon Apelit anulimin e dënimit me 18 vjet burgim për krime lufte

15 maj 2025 | 21:29

Ka nisur seanca e parë në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë në rastin e Pjetër Shalës. Mbrojtja e tij kërkoi anulimin e vendimit të shkallës së parë, me të cilin Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Anulim të dënimit të shkallës së parë apo rigjykim të rastit ka kërkuar Pjetër Shala, në seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.

Avokati i tij ka thënë se vendimi i shkallës së parë përmban probleme të shumta, duke përmendur se Themelorja për dënimin e klientit të tij ka përdorur deklarata që Shala ua ka dhënë autoriteteve belge në vitin 2016 dhe 2019, pa prezencë të avokatit.

“Për më shumë se 20 vjet hetime Shala ka dhënë disa deklarata sikur ju e dini: në 2005-ën, 2007-ën, 2016-ën dhe 2019-ën dhe në këto raste siç e dini shumë mirë asnjëherë nuk është marrë në pyetje në praninë e një avokati. Mbi të gjitha është marrë në pyetje pa ju dhënë mundësia fare të konsultohej më një avokat”, ka thënë Jean-Louis Gilissen.

Tutje avokati i Shalës, ka thënë se klienti i tij është dënuar për krime të cilat nuk përmenden në aktakuzë, duke e konsideruar si një kurth ndaj tij.

“Aktgjykimi u referohet nëntë viktimave qartësisht të identifikuara dhe e ka ngarkuar me përgjegjësi penale Shalën sa i përket këtyre nëntë viktimave, vendimi i dënimit në aktgjykim lidhet me 18 viktima të identifikuara, pa asnjë lloj ndryshimi të mundshëm në aktakuzë. Zotri Shala është dënuar për krime të cilat nuk janë përmendur në aktakuzë”, ka shtuar Gilissen.

Ndërkohë që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thanë se gjykimi ka qenë i drejtë dhe se në bazë të provave është dëshmuar se Shala ka qenë fajtor për akuzat me të cilat ngarkohej.

“Trupi gjykues ka kryer gjykim të drejtë dhe transparentë duke mos treguar anësi por pragmatizëm edhe sa i takon vlerësimin e besueshmerisë së dëshmitarëve..Provat e pranuara kanë vërtetuar se ai ka qenë i pranishëm në fabrikën e metalit në Kukës..”, ka thënë prokurori, Filippo De Minicis.

Një pjesë e kësaj seancë është zhvilluar në formë private, dhe me përmbajtje të redakuar ndërkohë që do të vazhdojë edhe gjatë së premtes.

Pjetër Shala i cili ishte i pranishëm përmes video lidhjes, në korrik të vitit të kaluar u dënua me 18 vjet burgim, për akuzat për ndalim arbitrar dhe torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme kundër një personi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka vazhduar vizitën në Shtetet…