Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

23 nëntor 2023 | 16:21

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës një jave.

Zëdhënësi Doyle ka njoftuar se në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, blloku i radhës i seancave gjyqësore ka përfunduar të enjten e kaluar. Sipas tij, dëshmitari i 36-të i thirrur nga prokuroria, Sadik Halitjaha, pritet të vazhdojë dhënien e dëshmisë gjatë seancës gjyqësore të ardhshme, më 4 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Doyle në vazhdim ka thënë se më 17 nëntor, në të njëjtën çështje gjyqësore, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka parashtruar një kërkesë urgjente për ndryshim të kushteve të paraburgimit të Thaçit, Veselit dhe Selimit. Versioni i redaktuar publik i kërkesës është lëshuar dje dhe gjendet në faqen e internetit të DhSK-së.

Lidhur me gjykimin kundër Pjetër Shalës, gjatë kësaj konference është thënë se seancat janë duke u mbajtur këtë javë dhe do të vazhdojnë edhe javën tjetër.

Në këtë kontekst, Doyle ka njoftuar se Pjetër Shalës i është vazhduar masa e paraburgimit.

“Më 20 nëntor, trupi gjykues vendosi lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës. Gjykatësit konstatuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor dhe/ose të kryejë krime të tjera, përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi ose që do të japin dëshmi në këtë proces gjyqësor. Në lidhje me lirimin e përkohshëm, trupi gjykues gjykoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në objektin e paraburgimit të DhSK-së”, ka thënë Doyle.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sllovenia nuk ia ka dhënë miratimin kandidatit të Serbisë për…