Plagosen policët në Vlorë, qëllojnë me armë për ta qetësuar situatën
Një konflikt ka ndodhur mesditën e sotme në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës, mes punonjësve të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (INUV) dhe tre shtetasve, I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç.
Policë të rastësishëm rrugorë që kanë qëlluar aty pranë kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit por edhe ata janë goditur fizikisht nga tre personat e përmendur më lart.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve të Policisë ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e goditjeve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Detaje nga policia:
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



