
Plagoset rëndë në aksident me makinë ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani
Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, u plagos rëndë në një aksident me makinë në New Hampshire të shtunën në mbrëmje, tha një përfaqësues i tij.
81-vjeçari Giuliani, u dërgua në spital me një frakturë të vertebrës dhe prerje e mavijosje të shumta, duke përfshirë lëndime, konkretisht në krahun e majtë dhe këmbën e poshtme, pasi makina e tij me qira u godit nga prapa, tha zëdhënësi Michael Ragusa të dielën.
Përpara aksidentit të rëndë, ai i kishte shkuar në ndihmë një gruaje.
“Kryetari i bashkisë Giuliani u thirr nga një grua që ishte viktimë e dhunës në familje përpara aksidentit. Ai ofroi ndihmë dhe kontaktoi 911, duke qëndruar në vendngjarje derisa mbërritën oficerët që morën pjesë për të siguruar mirëqenien e saj”, tha Ragusa, kreu i sigurisë së Giulianit.
Giuliani u bë i famshëm në vitet 1980 dhe 1990 në New York City si prokuror përpara se të zgjidhej kryetar bashkie. Pas dy mandatesh si kryetar bashkie, ai u përfshi në politikën kombëtare, madje duke kandiduar për president në vitin 2008. Më vonë, ai u bë një këshilltar i ngushtë i presidentit Donald Trump në mandatin e tij të parë dhe u bë një prej mbështetësve të teorisë së vjedhjes së zgjedhjeve.
Giuliani u hoq nga e drejta e veprimit në New York dhe Washington, D.C. dhe shpalli falimentin pasi u shpall përgjegjës për 146 milionë dollarë për përhapjen e gënjeshtrave në lidhje me punonjësit e zgjedhjeve në Xhorxhia.