Plani 15-pikësh amerikan për paqe është ‘i papranueshëm’, thotë zëdhënësi iranian
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka thënë të hënën plani i paqes me 15 pika i propozuar nga ShBA-ja për t’i dhënë fund konfliktit aktual është i papranueshëm për Teheranin, shkruan “ABC News”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga agjencia shtetërore e lajmeve “IRNA” lidhur me raportimet për një plan të ri armëpushimi gjatë konferencës së tij javore për shtyp, Baghaei ka thënë: “Disa ditë më parë, ata paraqitën propozime përmes ndërmjetësve, dhe plani amerikan me 15 pika u përcoll përmes Pakistanit dhe disa vendeve të tjera mike”.
“Që atëherë ne deklaruam se propozime të tilla janë njëkohësisht jashtëzakonisht ambicioze, të pazakonta dhe jologjike dhe nuk janë të pranueshme për ne në asnjë mënyrë”.
“Pavarësisht atij propozimi, ne përgatitëm një grup kërkesash që i kishim dhe i kemi, bazuar në interesat tona dhe konsideratat tona”, ka thënë Baghaei.



