Plani i tranzicionit të FSK-së po zbatohet me parametra pozitivë

14 dhjetor 2020 | 19:05

Në dyvjetorin e zyrtarizimit të mandatit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), komandanti i kësaj force, gjeneral Rrahman Rama, ka thënë se është bërë punë e madhe në planin e tranzicionit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se për këto dy vjet ka parametra pozitivë për ecurinë dhe zhvillimin e FSK-së.

Gjeneral Rama ka thënë se i kanë tejkaluar pritshmëritë sa i përket realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së.

Ai ka treguar se faza e parë e tranzicionit të FSK-së pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, për të filluar pastaj me fazën e dytë të tranzicionit që, sipas tij, është më sfiduese dhe më komplekse.

“Në këtë fazë do ta fillojmë ngritjen e kapaciteteve me mandat dhe mision të ri duke u bazuar në ligje dhe në obligimet tona kushtetuese për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit”, ka thënë Rama.

Mal QORRAJ

“Epoka e re”: Z. Gjeneral, Rama u bënë dy vjet nga votimi në Kuvendin e Kosovës për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Sot, cili është zhvillimi i FSK-së?
Rama: Zhvillimi i FSK-së për këto dy vjet është pozitiv. Këtë e thonë edhe faktet. Pas ndryshimeve të kornizës ligjore para dy vjetësh, FSK-së i janë dhënë detyra shtesë mbi bazën e ligjeve të reja nga ana e Kuvendit dhe në këtë drejtim ne kemi filluar dhe ndërtuar një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së. Pra, mbi bazën e atij plani kemi filluar zbatimin e ligjeve të votuara në Kuvendin e Kosovës. Plani i tranzicionit është aprovuar në qeveri dhe në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Faza e parë e tranzicionit presim të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm. Pavarësisht prej sfidave që kemi pasur gjatë kësaj periudhe, sidomos me pandeminë, angazhimi i FSK-së për përkrahje të autoriteteve civile ka vazhduar. Mund të them me përgjegjësi të plotë se i kemi tejkaluar pritshmëritë tona për realizimin e planit gjithëpërfshirës. Edhe pse këto vitet e para kanë qenë më shumë në kuptimin administrativ të ndryshimit të rregulloreve, procedurave, standardeve operative dhe të manualeve, kanë marrë kohë, por mund tju them se jemi në përfundim e sipër të planit gjithëpërfshirës.

“Epoka e re”: Për të zbatuar këtë plan të tranzicionit të FSK-së sigurisht se duhet edhe buxhet. Sa keni përkrahje nga institucionet qendrore tash për vitin 2021?
Rama: Gjatë këtyre dy vjetëve, duke u bazuar në planin tonë, kemi pasur përkrahje nga institucionet qendrore, në këtë rast nga qeveria sa i përket buxhetit. Nuk kemi pasur asnjë problem për realizimin e objektivave dhe detyrave tona. Sa i përket buxhetit për 2021, sigurisht se e kuptojmë situatën në të cilën ndodhemi si vend në aspektin ekonomik, tash së fundi edhe si pasojë e pandemisë që është një problem global, pra jo vetëm i Kosovës. Kemi kërkuar buxhet shtesë sa i përket zbatimit të fazës së parë. Jemi në kontakt me kryeministrin dhe kemi zotime se janë në përkrahje të FSK-së duke u bazuar në planin dhe kërkesat buxhetore. Kështu që nuk do të kemi problem në këtë drejtim. Kemi pasur takime të vazhdueshme edhe me komisionet parlamentare dhe me Kuvendin si institucion. Pra, besoj se do ta kemi përkrahjen e duhur nga institucionet qendrore në mënyrë që ne ta zbatojmë planin gjithëpërfshirës të FSK-së. Faza e dytë e tranzicionit do të jetë më sfiduese dhe më komplekse. Në këtë fazë do ta fillojmë ngritjen e kapaciteteve me mandat dhe mision të ri duke u bazuar në ligje dhe në obligimet tona kushtetuese për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

“Epoka e re”:  A ka ndikuar kjo periudhë njëvjeçare e pandemisë Covid-19 për zbatimin e planit që keni për tranzicionin e FSK-së?
Rama: Pandemia nuk ka ndikuar në planin e tranzicionit, prandaj edhe i kemi tejkaluar pritshmëritë tona dhe planin e tranzicionit. FSK-ja ka dhënë përkrahje ndaj autoriteteve civile për përballje me këtë pandemi, pasi ky është edhe obligimi ynë ligjor.

“Epoka e re”: Faza e dytë e tranzicionit, a parasheh edhe armatim më të madh për FSK-në?
Rama: Ne edhe në pjesën e parë të tranzicionit kemi marrë disa furnizime që bazohen në ngritjen e kapaciteteve të reja. Kemi marrë disa automjete taktike. Një pjesë e sistemit të armatimit ka ardhur dhe pritet të vijë sërish. E thashë edhe më herët, faza e dytë e tranzicionit do të jetë më komplekse dhe më sfiduese. Janë edhe disa kontrata që janë nënshkruar në këtë drejtim. Ne kemi edhe një përkrahje të jashtëzakonshme nga partnerët tanë, sidomos ata strategjikë.

“Epoka e re”: Z. Gjeneral, FSK-ja edhe këtë vit doli institucioni më i besueshëm. Çfarë do të thotë kjo për ju si drejtues i kësaj force?
Rama: Ndihem krenar dhe i privilegjuar. Kjo nuk është meritë e imja, por e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së. Është meritë e djemve dhe vajzave që janë duke shërbyer me përkushtim dhe angazhim maksimal, por edhe me disiplinë. Në saje të punës, angazhimit dhe përkushtimit të tyre ne jemi për nëntë vjet institucioni më i besueshëm në vend. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë pozitë dhe jemi të vetëdijshëm se çdo tranzicion i ka edhe sfidat e veta. Ne do të vazhdojmë tu dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallime dhe këtë jemi duke e dëshmuar çdo ditë. Në radhët e FSK-së janë të integruar të gjitha komunitetet dhe po shërbejnë me integritet.

“Epoka e re”: Cili është partneriteti i FSK-së me ushtritë e vendeve të rajonit?
Rama: Kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me vendet e rajonit, duke e përjashtuar, jo me dëshirën tonë, shtetin e Serbisë për arsye politike. Me një pjesë të Bosnjës kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Kemi pasur disa aktivitete regjionale, ku ka qenë pjesë edhe Bosnja. Me shtetet e tjera, duke filluar prej Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut, kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm për faktin se kemi bërë aktivitete të përbashkëta. Kemi kadetë dhe oficerë që shkollohen në këto vende. Gjithashtu, këto vende përdorin edhe aftësitë tona që i kemi ndërtuar si FSK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorati i Punës ka vendosur ta rikthejë në detyrën e…