
Plani i Trupit për paqen në Gaza mirëpritet nga udhëheqësit në Evropë e Lindje të Mesme
Udhëheqës nga Evropa dhe Lindja e Mesme kanë mirëpritur një plan të ri të Shteteve të Bashkuara për Gazën, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, e paralajmëroi Hamasin që ta pranojë atë.
Në planin për të cilin kanë arritur pajtueshmëri Trumpi dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, propozohen përfundimi i menjëhershëm i operacioneve ushtarake si dhe lirimi i 20 pengjeve të gjalla izraelite si dhe i mbetjeve të dhjetëra të tjerave nga Hamasi brenda 72 orëve në këmbim të lirimit të qindra banorëve të Gazës të burgosur nga Izraeli, raporton televizioni BBC.
Një burim palestinez i afërt me bisedimet për armëpushim i tha televizionit publik britanik se zyrtarëve të Hamasit u është dorëzuar plani 20-pikësh i Shtëpisë së Bardhë.
Duke folur në një konferencë për gazetarë pas bisedimeve me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi e quajti planin “një ditë historike për paqen”.