Plavë-Gucia, krahina pararoje për mbrojtjen e tokave shqiptare

10 shtator 2023 | 14:26

Shkruan: Berat Luzha

Krahina e Plavë – Gucisë është një luginë tektonike e futur thellë në Alpet Shqiptare. Masivet malore, Bjeshkët e Visitorit e të Komovit e rrethojnë krahinën si një kurorë, duke kaluar lartësinë prej mbi 2000 metra. Ndërsa, nëpër këtë luginë, që ka lartësi mbidetare prej 900 – 950 m, gjarpërojnë lumenjtë e vegjël e të rrëmbyeshëm, Luça e Limi, që e zbukurojnë natyrën e virgjër si gjerdan prej ari. Në këtë krahinë ndodhen 29 fshatra dhe dy qyteza, Plava e Gucia, të cilat kanë statusin e qendrave komunale.

Për shkak të pozitës gjeostrategjike, që nga kohët më të lashta, krahina e Plavë – Gucisë ka një të kaluar të bujshme historike. Në këtë krahinë kanë banuar ilirët e fisit të autariatëve, të cilët i rezistuan pushtimit romak plot 130 vjet. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë në vitin 395, kufiri mes dy perandorive kalonte pikërisht nëpër Plavë e Guci.

Mund të thuhet se rezistencën më të madhe kundër pushtimit sllav të trojeve shqiptare e ka zhvilluar krahina e Plavë – Gucisë. Popullsia e kësaj krahine e kishte rolin e një pararoje për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga grabitçarët serbo – malazezë. Kjo krahinë gjeografike, etnografike e historike nuk i ka pranuar vendimet e Fuqive të Mëdha të Kongresit të Berlinit për t’ia dorëzuar tokën e vet Malit të Zi. Përkundrazi, në vitet 1879 – 1881 Plava e Gucia është ngritur e tëra në luftë dhe ka derdhur shumë gjak e djersë. Më 15 dhjetor 1879 në Guci është mbajtur një kuvend, ku është vendosur të kundërshtohen me armë vendimet e Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit. “Ne, banorët e Plavës e Gucisë nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”, – kanë shkruar plavë-gucianët në memorandumin dërguar Fuqive të Mëdha. Me gjithë luftën e pa kompromis politike, diplomatike e luftarake të shqiptarëve, përpjekjet e Malit të Zi për t’ia shkëputur trungut shqiptar Plavën e Gucinë nuk kanë reshtur. Në luftimet, që janë zhvilluar në Pepaj e Nokshiq në vitet 1879 – 1880 mes forcave vullnetare shqiptare të Lidhjes së Prizerenit dhe forcave ushtarake të Principatës së Malit të Zi, shqiptarët kanë shënuar fitore të plotë, duke pamundësuar aneksimin e Plavë – Gucisë nga Mali i Zi. Në këtë luftë, ku për herë të parë është ngritur flamuri ynë kombëtar, kanë luftuar heroikisht dhe kanë udhëhequr luftën Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri e shumë heronj të tjerë. Kjo është lufta e parë e Rilindjes Kombëtare për mbrojtjen e tokave shqiptare, e zhvilluar në fshatin në të cilin më vonë ka lindur poeti e akademiku Esad Mekuli apo Sat Nokshiqi.

Shqiptarët e mbrojtën Plavë – Gucinë nga pushtimi i Malit të Zi pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, por nuk mundën ta mbronin edhe gjatë Luftërave Ballkanike dhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, edhe pse përsëri luftuan me heroizëm dhe derdhën gjakun lumë. Pas pushtimit të kësaj krahine, në tetor 1912, kazaja e deriatëhershme turke e Gucisë u kthye në “Kapiteninë” malazeze të Gucisë, të cilën e udhëhiqnin me radhë kriminelët më të pashembullt serbo – malazias dhe ku vepronte një brigadë terroriste, që vriste e masakronte në popullsinë shqiptare.

Në Masakrën e Previsë (18 tetor 1912 – maj 1913) janë vrarë 700 burra shqiptarë, të cilët refuzonin konvertimin kombëtar e fetar të shqiptarëve, që e bënte pushteti terrorist malazias. Në vitin 1919 krahina përsëri u gjet e rrethuar nga serbët, në njërën anë dhe nga malazezët, në anën tjetër, me ç’rast janë vrarë rreth 500 shqiptarë. Më lehtë nuk është ndarë Plavë – Gucia as në vitin 1944, kur janë vrarë rreth 800 shqiptarë të pafajshëm, është shkatërruar ekonomia e tyre familjare dhe ka filluar fushata, me metoda nga më të ndryshmet, për shkombëtarizimin dhe spastrimin etnik të krahinës.   

Pos këtyre luftërave të pandërprera, krahina e Plavë – Gucisë ka dhënë kontribut të çmueshëm edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizerenit (1878), në Besëlidhjen e Pejës (1899), në Kuvendin te Verrat e Llukës (1910), në Kuvendin e Junikut (1912), në Kuvendin e Vlorës (1912), në Konferencën e Bujanit (1943) etj., etj.

Plavë – Gucisë gjithnjë ka qenë e lidhur ngushtë me qytetet e Shkodrës dhe të Pejës përmes rrugës së vjetër Shkodër – Plavë – Pejë. Gjithashtu, në të kaluarën është lidhur me pjesët tjera të Atdheut përmes qafave të malit, nga kanë kaluar shumë rrugë të vjetra, ndërsa përmes luginës së lumit Lim është lidhur me Malin e Zi dhe Sanxhakun. Sot Plavë – Gucia lidhet me rrugë të mira me Beranën, nga njëra anë dhe me Shkodrën e Podgoricën, në anën tjetër. Rruga që lidhej me Kosovën nëpër Çakor është mbyllur qëmoti, ndërsa malësorët e Plavë – Gucisë sot kërkojnë ndërtimin e një rruge tjetër, rrugën Plavë – Deçan. Rruga Guci – Hani i Hotit, e ndërtuar rishtas para disa vjetëve, që përshkon nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, Plavë – Gucinë e afron shumë me Tuzin e Podgoricën, por edhe me Shkodrën e Tiranën.

Përherë krahina e Plavë – Gucisë ka qenë e banuar me shqiptarë. Në vitin 1908 kjo krahinë kishte rreth 90 për qind të popullsisë shqiptare dhe 10 për qind popullsi serbo – malazeze, derisa sot shqiptarët, për shkak të shkombëtarizimit dhe të shpërnguljes, mezi përbëjnë 20 për qind të popullsisë. Sipas regjistrimit të fundit, atij të vitit 2011, kjo krahinë kishte rreth 14 mijë banorë me rreth 3700 familje, me shumicë nga të deklaruarit si boshnjakë e myslimanë (rreth 60 për qind), si dhe me serbë, shqiptarë e malazezë.

Krahina e Plavë – Gucisë ka toka pjellore, ku kultivohen kulturat e misrit, të patates, të perimeve, të pemëve frutore etj. Është e pasur edhe me kullota, me pyje e me livadhe, si dhe me burime dhe rrjedha të shumta uji. Më të bukur këtë krahinë e bën liqeni i Plavës, që ndodhet në lartësinë mbidetare prej 950 m, nga rrjedhë lumi Lim. Gjithashtu, krahinën veçanërisht e zbukurojnë kreshtat e maleve me mbi 2000 metra lartësi dhe bjeshkët e pasura me lëndë druri dhe me kullota alpine. Për shkak të pasurive të mëdha natyrore dhe të pozitës së mirë gjeografike dhe strategjike, Plavë – Gucia është lakmuar dhe është pushtuar nga serbo – malazezët në fillim të shek. të kaluar. Edhe pse me pasuri të mjaftueshme natyrore, sot e kësaj dite kjo krahinë mbetet zona më e pazhvilluar në Mal të Zi, si nga ana ekonomike, ashtu edhe në arsim e kulturë.

Krahina e Plavë – Gucisë ka pësuar jashtëzakonisht shumë nga shpërnguljet e vazhdueshme të popullsisë, të bëra në vitet 1914, 1919, 1925, 1033, 1936 dhe pas LDB. Shqiptarët e kësaj krahine, për një jetë më të mirë, ia kanë mësyrë SHBA-së, Evropës Perëndimore, por edhe qyteteve Podgoricë, Pejë, Prishtinë, Shkup, Sarajevë etj. Pastaj, numri i tyre ka rënë edhe nga shkaku i shkombëtarizimit të shqiptarëve në malazezë dhe sidomos në boshnjakë – myslimanë.   

Kjo krahinë paraqet pamje dhe vlera të mrekullueshme natyrore, të cilat e bëjnë Plavë – Gucinë njërën ndër zonat më turistike në Mal të Zi. Liqeni i Plavës, Krojet e Ali Pashë Gucisë, Syri i Kaltër, Ujëvara Gerla, Liqeni i Gështenjave janë vende që vizitohen nga turistë të shumtë. Ndërsa plavë-gucianët i karakterizon atdhedashuria, guximi e trimëria, bujaria e mikpritja malësore. Ata kanë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e qeverive të R. të Shqipërisë dhe të R. të Kosovës, në mënyrë që ta ruajnë përbërjen e mbetur dhe identitetin e nëpërkëmbur. Është kjo krahina të cilës i kemi mbetur borxh, krahina e heronjve të kombit, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, krahina ku kanë lindur akademikët Esad Mekuli e Rexhep Qosja, si dhe shumë personalitete tona kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi ishte protagonisti kryesor në barazimin e Kosovës 2:2…