PO IKIN

01 gusht 17:32

SADIK KRASNIQI

PO IKIN

Po ikin
për ditë
përtej perdes prej dheut
ata që më duan
ata që gëzohen e pikëllohen për mua

vdekja ime
s’do t’i bie ndërmend askujt

arkivoli do të kalojë si përmes shkretëtirës
pa heqjen e ndonjë kapele
pa vënë ndonjë dorë në zemër

vetëm fëmijët e lagjes
ndoshta për një çast
do ta ndërpresin lojën

e do të thonë të habitur
shikoni shikoni
një i vdekur pa kortezh
loja prapë do të vazhdojë

CILI JAM

Si somnambul
para portës së shtëpisë së nëmur
me prush të shprushur mijëra vjet
nga dy hije të gjalla

po unë
cili djalë
i prindërve pa kërthizë
jam

Abeli i zgjuar nga vdekja
për t’ia larë duart Kainit vëlla
erë dheu nuk më vjen

a vetë Kaini jam
duke bredhur me mijëra vjet
me duart e përgjakura mbi kokë

sytë më plaçin
çka të bëra vëlla

LUTJE NË MËNGJESIN E ZYMTË

Hyji ynë
na i bëj sytë me dritë
ta shohim këtë shkretëtirë
neuroneve me flakë në dorë
t’ua shohim fytyrën

Hyji ynë
mendjen kthena ne të përhumburve
ta dimë
se të çmendurit na prijnë
për në greminë

Hyji ynë
dëbona mjegullën nga sytë
nuk është ajo shenjë shenja jonë
që dorë djalli valëvit

Hyji ynë
largoje këtë muzg nga sytë
bëje për ne
këtë ditë me dritë
Amen

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti nga Shqipëria, Ledjon Muçaj është përforcimi i radhës nga…