
“Po krijohen skenarë për shtrenjtim të ri të energjisë elektrike në dhjetor”
Besnik Shabiu nga iniciativa Asnjë Cent Më Shumë, në një lidhje direkte në emisionin Five në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me mundësinë e rritjes së çmimit të faturave të energjisë në fund të këtij viti.
Ai ka thënë se gjërat jologjike po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vend në vendin tonë. Sipas tij, ndërkohë që vendi po përballet me jostabilitet politik si rezultat i moskonstituimit të institucioneve, ZRRE po shfrytëzon këtë vakum institucional.
Shabiu ka shtuar se disa institucione po dalin me deklarata të tilla që, sipas tij, po matin opinionin publik. “Duken si deklarata të thjeshta, parimisht të mira, mirëpo në prapavijë kanë qëllim krejtësisht tjetër, të cilin e thonë se në të ardhmen shumë lehtë mund ta bëjnë realitet. Këto deklarata nuk janë për konsum ditor, por janë shumë serioze”, ka thënë ai.
Ai ka kujtuar se disa muaj më parë pati liberalizimin me dhunë të tregut për bizneset, ndërsa tash, sipas tij, mund të kemi një situatë të re, ku shumë shpejt mund të ketë prezantime dhe plane të reja për rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike.
Shabiu ka theksuar se kjo ka pasur një impakt të madh: nga njëra anë, rritje e njëpasnjëshme e çmimeve, ndërsa nga ana tjetër, largim të shumë punëtorëve nga bizneset. Ai tha se disa prej bizneseve tashmë kanë paralajmëruar mbylljen e tyre.
“Një rritje tjetër në muajin dhjetor… është periudha kur ne sërish do të kemi problem me furnizimin me energji elektrike, sepse konsumi do të rritet dhe do të fillojnë ato arsyetimet se për shkak të konsumit të madh në vende të caktuara duhet të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Pra, për të gjitha format e arsyetimeve, kur vjen muaji dhjetor dhe kur qytetarët fillojnë të shpenzojnë më shumë energji, natyrisht do të ketë edhe kërcënime të kësaj natyre…”, është shprehur ai.
Shabiu më tej ka thënë se një rritje e energjisë elektrike në muajin dhjetor do të ketë pasoja të mëdha për ekonominë e vendit në vitin 2026.