
“Po na bombardojnë vazhdimisht” – Rusia avancon në Sumy, Zelenski ndryshon kupolën ushtarake
Forcat ruse kanë zgjeruar vijën e frontit në rajonin verior të Sumy-t të Ukrainës. Alarmin e kanë ngritur zyrtarët ushtarak në Ukrainë. Reagimi vjen një ditë pasi Moska njoftoi se mori një fshat tjetër duke e afruar kryeqytetin e rajonit në rrezen e veprimit të dronëve të vijës së frontit.
Përparimi drejt qytetit të Sumy-t vjen ndërsa Kievi tregoi aftësinë e tij për të vazhduar luftimet duke kryer një seri sulmesh në ditët e fundit, duke goditur bombarduesit strategjikë rusë dhe Urën e Krimesë. Kievi tha se sulmi i artilerisë ruse në qytetin e Sumy-t vrau katër persona dhe plagosi 28 të tjerë.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit të Sumy-t, i cili shtrihet në veri të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, mbajti një takim të martën për të diskutuar strategjinë e mbrojtjes së rajonit.
“Situata në zonën kufitare të rajonit Sumy mbetet komplekse, dinamike, por e kontrollueshme”, tha kreu i administratës ushtarake, Oleh Hryhorov.
“Ushtria ruse po bombardon vazhdimisht fshatrat kufitare, duke goditur ndërtesa banimi, ferma dhe objekte të infrastrukturës civile.”
Përparimi i dyfishtë me luftime të ashpra në vijën e parë dhe sulme me raketa dhe dronë në Sumy pengon aftësitë mbrojtëse të Ukrainës përgjatë rajonit juglindor të Donbasit, të cilin Moska po kërkon kontroll të plotë, thonë analistët ushtarakë.
Sakaq, ndryshime të rëndësishme po ndodhin në kupolën drejtuese të ushtrisë së Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka bërë ndryshime në krye të udhëheqjes ushtarake.
Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Mykhailo Drapatyy, është liruar nga detyrat organizative si mobilizimi, stërvitja dhe përgatitja e rekrutëve, tha Zelenskyy në video-mesazhin e tij në mbrëmje. Shkarkimi vjen si rrjedhojë e një sulmi fatal me raketa ruse në një zonë stërvitore ushtarake në rajonin e Dnipropetrovsk.
Politikisht, Zelenskyy bëri thirrje për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë pas sulmit me raketa ruse në Sumy, i cili vrau katër civilë dhe plagosi rreth 30 të tjerë. Udhëheqësi i Kremlinit Vladimir Putin nuk do t’i ndryshojë taktikat e tij nëse nuk vihet nën një presion më të madh, tha ukrainasi.