
Po punojmë për çkapjen e shtetit
Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi, deklaroi se, përveç qeverisë, institucionet e tjera vazhdojnë të jenë të kapura nga ata që tash e 20 vjet për ta mbrojtur vetveten kanë bërë keqpërdorime.
Ndër të tjera, Abazi në një intervistë për Ekonomia Online thotë se qeveria është duke punuar për çkapjen e shtetit që këta njerëz mos të kenë ndikim më.
“Përbrenda institucioneve vetëm qeveria nuk është e kapur, kurse institucionet vazhdojnë të jenë të kapura nga interesat e 20 viteve të prezencës së njerëzve që kanë orientuar çdo gjë përbrenda institucioneve që ta mbrojnë veten, duke bërë edhe keqpërdorime. Bashkëpunimi qeveri – qytetarë është i mirëseardhur në cilëndo kohë të konsolidimit të demokracisë dhe mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës”, ka thënë Abazi dhe ka shtuar se “Qeveria është në detyrë, shpresoj që kjo është faza e fundit e Covid-19 përkundër faktit se jemi duke punuar të bëhet me kujdesin me të madh rikthim në normalitet”.
“Kemi parë rezultatet e para të intervenimeve që janë bërë edhe në bordet e ndërmarrjeve publike, edhe në shqyrtimet të cilat janë ngritur nga të gjeturat e ministrive nëpër dikastere të ndryshme. Po punojmë për të bërë atë që kemi premtuar, çkapjen e shtetit, që njerëz, individë e grupe të interesit mos të kenë ndikim më”, u shpreh Abazi.
Ndonëse thotë se nuk kanë dorë organizimin e fundit për protesta, Abazi shton se ADN-ja e LV-së është mobilizimi dhe aktivizimi qytetar për mos të lejuar kapjen e shtetit.
“Nuk ka gisht LV në protesta. Sigurisht që ADN-ja e VV-së është mobilizimi e aktivizimi qytetar. Në asnjë formë e në asnjë mënyre nuk do të kishim dashur që qytetarët të mos jenë pjesë e proceseve të rëndësishme sepse është demokraci me pjesëmarrje”, ka thënë Abazi.
Më tej, Abazi foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin tha se janë të përgatitur për çfarëdo vendimi. Por thotë ai se vendimi duhet të jetë përbrenda Kushtetutës që mos të thyhet legjitimitet e as vullneti qytetar që përcaktohet përmes zgjedhjeve. Sipas Abazit, çfarëdo ikje nga kjo formë e të vepruarit do të ishte shembje e rendit kushtetues e demokratik të vendit.
“Më 29 maj përfundon afati që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Sigurisht që urgjenca me të cilën është bërë rrëzimi i qeverisë, madje urgjenca pesë minuta në katër ku presidenti dekretoi kandidatin e LDK-së, tani më është e qartë se të gjitha këto kanë rënë në ujë sepse kemi një proces i cili po shkon tutje.
Jemi të përgatitur për çfarëdo vendimi që merr. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë në vijën e interesit të shtetit dhe përbrenda Kushtetutës që mos të thyhet legjitimitet e as vullneti qytetar që përcaktohet përmes zgjedhjeve. Çfarëdo ikje nga kjo formë e të vepruarit do të ishte shembje e rendit kushtetues demokratik të vendit”, shtoi Abazi.