
“Po shkunden plakat”
Shkruan: Ali Caka
Në traditën shqiptare, “Po shkunden plakat” është më shumë se një metaforë për luhatjet e motit në fund dimër. Është një alegori e thellë për ato forca të vjetra, të ngurta, që i frikësohen ndryshimit, por që, para se të dorëzohen, trazojnë edhe një herë të fundit gjithçka rreth vetes. Si një fund dimri që nuk dorëzohet pa e bërë një stuhi të fundit, edhe në jetën politike të Kosovës po i ndiejmë këto shkundje të “plakave”.
Nesër është 9 Prilli – Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ditë që do të duhej të na përkujtonte dinjitetin juridik, sovranitetin qytetar dhe aspiratën e një shteti të drejtë. Kushtetuta e Kosovës, një ndër më të avancuarat në rajon për nga parimet që përmban, është ndoshta akti më i heshtur i shoqërisë sonë, gjithnjë i pranishëm në ceremoni, por shpesh i përjashtuar nga praktika.
Në vend që të përqafohet pranvera politike, një qeveri funksionale, konsensusi për reforma, vizioni për zhvillim, Kosova mbetet peng e tekave të disa “plakave” moderne, politikanëve që nuk lodhen së rikthyeri krizën sa herë që ndiejnë se po i lë koha. Plaka të vjetra me fytyra të reja.
Janë këta që, në vend se të hapin rrugë brezit të ri, e përdorin si dekor për fushata, ndërsa në prapaskenë rishkruajnë skenarë të vjetër, sikur ende jetojmë në një kohë pa shtet e pa Kushtetutë. Rishkruajnë skenarë që na kthejnë pas, në periudha kur populli s’mund të vendoste vetë, kur vendimet merreshin në errësirë dhe pushteti ishte privilegj i të paktëve, jo përgjegjësi ndaj të gjithëve.
Qeveria nuk po konstituohet jo pse mungon populli i ndërgjegjshëm, por sepse mungon vullneti për bashkim përtej interesave të klaneve. Në vend të koalicionit për të ardhmen e Kosovës, kemi koalicione për pushtet, për kontroll, për pasiguri të qëllimshme që mban të rinjtë të heshtur e të lodhur. Një farë “bore” që s’po shkrihet dot prej diellit të një rinie që ka nevojë për shpresë.
Po a është Kosova vërtet e destinuar të mbetet peng i këtyre plakave të pakënaqura? A do të vazhdojnë të mbysin çdo filiz të ri me ftohtësinë e tyre të interesit të ngushtë?
Ashtu si në mitin bullgar të Baba Martës, ku plaka është e zemëruar kur të rinjtë harrojnë ritin e respektit për natyrën, edhe politikanët tanë zemërohen kur qytetarët kërkojnë diçka më shumë se heshtje dhe urtësi të detyruar. E si ndëshkim, kthejnë motin prapa, nga shpresa në pasiguri, nga ndërtimi në përçarje.
Në vendet e tjera të Evropës, plakat simbolizojnë forcën e natyrës. Te ne, janë bërë simbol i forcës së ngurrimit, i rrënimit institucional dhe i krenarisë së një kohe që kurrë nuk pranoi të ikte me nder. Dhe Kosova vuan jo nga mungesa e të rinjve, por nga mungesa e hapësirës për ta.
Dhe pikërisht tani, në vigjilje të 9 Prillit, duhet të kujtojmë se Kushtetuta nuk është thjesht një dokument solemn për përkujtim vjetor, por një kontratë e gjallë midis qytetarëve dhe shtetit. Një kontratë që i detyron të gjithë, veçanërisht ata që e tundin vendin për çdo llogari personale. Aty janë të shkruara të drejtat, përgjegjësitë dhe udhëzimet për një shtet që synon të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm. Aty është shkruar edhe heshtja jonë e sotme, nëse nuk bëjmë diçka për ta ndryshuar.
Prandaj, le ta shohim këtë “shkundje të plakave” jo si parathënie e një dimri tjetër politik, por si krizat e fundit të një epoke që duhet të marrë fund. Është koha që pranvera të mos vonohet më nga barra e borës, as të përkulet para tekeve të një kohe që ka kaluar. Është koha që Kosova të mos jetë më as viktimë e mitit, as peng i legjendës.
Se, nëse nuk i ndalim vetë ‘plakat’ tona politike që e tundin vendin sa herë që nuk u del llogaria, atëherë kjo fjali do të mbetet motoja e përhershme e këtij vendi, tragjikisht e njohur për të gjithë ne, “Po shkunden plakat… dhe Kosova s’mund të ngrihet.”