Po u japim mundësi sabotuesve të paraqiten si të sabotuar

03 shtator 2025 | 11:40

Shkruan: Eugen Cakolli

Përtej problemeve të tjera procedurale, po tentohet të etablohet ideja se Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar edhe pa zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Në të kundërtën, komuniteteve gjoja do t’u jepej “e drejta e vetos” në konstituimin e Kuvendit. Por nëse kjo do të merrej si standard, atëherë parimisht, jo vetëm komunitetet, por secili grup parlamentar me të drejtë propozimi për nënkryetar do të kishte fuqi bllokuese.

Ky është një interpretim i shtrembëruar i frymës kushtetuese dhe parimeve të parlamentarizmit. Pozitat e “rezervuara” nuk janë privilegje absolute, por pjesë e një arkitekture të ndërtuar për gjithëpërfshirje – pa cenuar funksionalitetin institucional. E drejta për përfaqësim nuk është e pakufizuar, por as nuk mund të degradohet përmes mosveprimit apo refuzimit politik nga shumica.

Sot nuk jemi përballë një rasti ku komunitetet po bojkotojnë apo abuzojnë me të drejtën e përfaqësimit në Kryesinë e Kuvendit – sepse atëherë situata dhe pasojat do të ishin tjera. Përkundrazi, janë përfaqësuesit e shumicës (shqiptare), e sidomos LV-ja, që po refuzojnë të votojnë kandidatin e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, në përputhje me rregullat, frymën dhe precedentët kushtetues. Për më tepër, kjo praktikë ka funksionuar për vite me radhë pa u politizuar në këtë mënyrë.

Po të ndodhte që ndonjë komunitet të keqpërdorte si bllokim mekanizmin e përfaqësimit, atëherë shumica (shqiptare) do të kishte plotësisht të drejtë të reagonte – institucionalisht, politikisht, madje edhe me mirëkuptim ndërkombëtar. Por jo sot, kur kjo rrëshqitje na kushton.

Në vend që kjo çështje të zgjidhej politikisht, siç është zgjidhur gjithmonë – ajo është shtyrë në mënyrë të panevojshme drejt Gjykatës Kushtetuese. E aty, rreziku i një konstatimi për shkelje të të drejtave të përfaqësimit të komuniteteve në Kryesi është evident. Veçse tashmë me dëm të shkaktuar në raport me moralizimin e Listën Serbe si palë e “dëmtuar” – përkundër destruktivitetit të saj.

Nëse e gjithë kjo është një strategji politike, është e dobët. Nëse jo, edhe më keq, është mungesë e vizionit shtetformues. Sepse juridikisht jemi në terren të pafavorshëm, ndërsa politikisht e kemi humbur prej kohësh mbështetjen e atyre që presin nga ne shtet të përgjegjshëm në raport me pakicat.

Në fund, mos të harrojmë se akuza më e shpeshtë në situata të tilla dhe edhe ndaj postimeve si ky i imi – është se përkrahim Listën Serbe apo shtyjmë përpara interesat e tyre. Por realiteti është ndryshe. Herë me penalltitë e herë me autogolat tona, po ia servojmë vetë Listës Serbe fitoret – juridike, përmes procedurave gjyqësore, e politike, duke ia mundësuar kartën e viktimizimit në mesin e serbëve të Kosovës dhe në diskursin ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përgjigja e Evropës ndaj luftës në Gaza ka qenë “një…