POETIKA E KLITHMËS ATDHETARE

20 maj 2018 | 13:16

Behar Gjoka

(Ismail Syla, “Atdheu im i ngrysur”, poezi, “Buzuku”, Prishtinë, 2017)

Në përmbledhjen “Atdheu im i ngrysur”, poeti Ismail Syla, rimerr dhe shtjellon gjerësisht temën e atdheut, duke shqiptuar ndjesitë më të holla autoriale, në disa ngjyra. Atdheu, një kryetemë e ligjërimit poetik, e shpaluar në dritëhijet e lidhjeve të forta, jetike dhe të pashmangshme, të unit poetik me vetë ekzistencën, shpalohet në tri pamje. Libri hapet me poezinë Qeni i lidhur në degë, e cila paralajmëron vokacionin mbi atdheun e nëpërkëmbur, ku vargjet përmbyllëse rrokin makthin: Dhe krejt në fund ma rrëzoi lisin / Dhe në degët e tij ai lidhi një qen / Që ende më turret, kërkon të më hajë… Marrëdhënia e lisit me qenin, zbulon tragjikën në fatin e njeriut, e qenies iliro-arbënorit. Ulja e siparit të këngës së pambarim, që ka në qendër atdheun, vjen në poezinë e fundit, që zbulohet në vargjet: Nga Porta Veriore e Atdheut tim u largua / E lehura onomatopeike “av, av” pa kthim / Atdheu im Aktual kujdes nga ham-hamet / Nga Vetëkafshimet tua – plagë pa shërim. Materia letrare organizohet në tre cikle kryesore poetike, ku madje ravijëzohet udha e bërë në historinë, afër dhe larg, si dhe me vështrim në ardhmëri.

Substanca letrare e ciklit: “Atdheu i pabërë”, ku përfshihen njëzet e tri poezi, shkon në zanafillën e mashtrimit të ekzistencës: Shpirti i kalorësit të fundit / në Betejën e Kosovës më 1389 / tjerr penj për qiellin e copëtuar, një klithmë që bredh nga shekulli në shekull, me mbajt peng fatin e Kosovës, që në histori ka qenë djep i shqiptarisë. Atdheu, në verbin poetik, nis te pragu, te vorri ku prehen rrënjët, por ndërkaq harku i dëshmisë, gjithnjë simbas botëpercetimit të mishëruar në hapësirën e teksteve, është kudo. Më së pari, është në gjallimin e arbëresheve, që kanë të gdhendur epokën e kryetrimit, Gjergj Kastriot Skanderbegut, është në Dibër, Korçë, Sarandë, Shkodër e Drenicë, është ku i thonë bukës bukë. Materia poetike është një ikje në histori, ku gjen dhe sublimon sakrificat, përthekson rrezikun me shemb lisin, një topos identiteti, për të mbërritur në vargjet, që plasojnë gjithkohësinë: Në Atdheun tënd të pambrojtur / Kot i ik pusit, se të pret gjiri / Ik nga shiu dhe bjen në breshër / E prej tymit hyn drejt në prush / Mbetur jashtë hijes së gjilpërës / Me kokë në diell e gushë në fushë, (f. 25). Situata poetike, e përcjellur pa nëntekst që bart shestimin, se ende atdheu është i pabërë, mbi të gjitha ngase është i pambrojtur. Në këtë udhëtim imagjinar në fatin e përgjakur të atdheut, poeti ndalet në historinë e afërt: Vinin në jetë / Në mes të ditës / ….në orët e natës / Të qarën e tyre të parë në jetë / E shoqëronte një krismë e granatës. / E qara e foshnjës në zonat e luftës / Ardhje e jetës mes topit dhe pushkës,(f. 28). Kujtesa, një term i Kunderës, sugjeron për të mos harruar se e keqja përsëritet: Gjeografia jonë hyri në meny të fqinjve / Si mish i ëmbël supe i shtrirë në tryeza / Copa Atdheu në thela të prera me thikë / Janina, Ohri, Plava, Gusia dhe Preveza. (f. 29), që japin fatalitetin e copëtimit të trojeve shqiptare.

Cikli i dytë i librit, “Atdheu i ngrysur”, ku përfshihen tridhjetë e një poezi, që madje përbën bërthamën e frymimit poetik, merr në sy dhe pendë, të tanishmen me mungesat e theksuara. Qysh në poezinë e parë: Atdheu im, djerrinë e inatit / Tokë e mbjellë me paranojë / Marrëzi të lashta korr e shin / Aq sa s’mund t’i konsumojë, ku shenjohet tragjika e bartur. Pjesa e atdheut, që sapo ka dalë nga thundra serbe, përçon një situatë të beftë: Atdheu im, me 11 mijë kilometrat katrorë / Pse rri kaq ndruajtur e nuk i shpalos vlerat? / Me horizonte të ngushta dhe urrejtje paanë / Mos Zoti të krijojë në ditën kur bëri humnerat?, të cilat identifikojnë përmasat e Republikës së Kosovës. Për ta ardhur në dëshminë e dramës çame: Vetmia në trajtën e ishujve grekë / Dhembja? / Nuk mund të jetë tjetër / Pos e llojit të dhembjes çame (f. 42), duke u pohuar kështu si poet i etnosit. Depërtimi në të qenit të ngrysur të adheut, në dukje dhe në thellësinë e vetë, kërkohet në rrënjët frazeologjike të shqipes, si në vargjet: Ëndërrimtarë të kthyer e xurxull të dehur / Shkuan me ble lesh e u kthyen të qethur. Hulumtimi në shkaqet e vonesës, të ciat i sheh brenda qenies: Vlo e mos përvëlo / Kalle e mos e digj / Bluaj e mos gatuaj / Gatuaj e mos piq. / Lutu e mos beso / Lëviz e mos ec / Kjo botë u shthur / O prapësi o dreq…, endur si një kalambur fjalësh, që zbulon dhe shenjon dramën e kohës së pakujdesit. Situata ironike, e kundërvënies ndaj indiferencës, theksohet në vargjet: Atje shekulli mbushet kaq shpejt: / Bjerraditësit viti i bëhet bjerramot. Mendimi për atdheun e ngrysur, në asht e frymë, pëson një përmbysje në vargjet e poezisë Epi për atdheasit e mi të lumtur: Në tërë tërësinë e Atdheut të tërë / Shumë atdheas e po aq atdhease / Jetojmë të lumtur si në një hotel / Ngritur mbi ferr me pamje parajse. Mjeshtërisht tërheq vëmendjen në vargjet e poezisë Epi për kohën kur nuk ke me se të mburresh: E shkuara, sado e lavdishme që të jetë / Ngjan me ata filmat pa zë dhe pa ngjyrë. / Në kohën kur nuk ke me se të mburresh / Dhe Dielli që lind, perëndon në mynxyrë.

Cikli i tretë, “Për ty atdhe”, që përmban njëzet e nëntë poezi, sendërton pamjen e atdheut: Në një zgurë lisi mund të strehohet bisha / Dhe ikanaku kërkon dy tjegulla mbi kokë / Nuk më ka pëlqyer kurrë shprehja strehë / Po shtëpi, me njerëz, e me rrënjë në tokë. Prania e një situate të beftë poetike, shqiptohet në vargjet: Mund të suvatosh mure e mure pa fund / Dhe në heshtje të thurësh me mijëra fjalë / Me një pikë gjaku për Atdheun derdhur / Miliona pika djerse nuk bëhen barabar(f. 82). Në përvjetorin e kryetrimit, shkruan: 1. Dimri dhe vdekja, 17 janar 1468 Thellë tokës së Arbrit u hap varr i madh Vdiq / Gjergji i Kastriotëve – Skënderbeu / Bjeshka ra në fushë dhe fusha ra në det / Mug me re lotësh qiellit sipër rri Atdheu. Dashuria siprane për atdheun e lirë, lidhet me fatin personal: Nëpër Kashtën e Kumtrit erdhi liria (Motiv nga Burgu i Qarkut i Mitrovicës, 1982-1984) Në kthinat e Burgut me formën rrethore / Me Tokën silleshim përreth boshtit të saj / Ditët e netët bëheshin javë, e javët muaj / Duke kërkuar ëndrrën në qiellin e pa skaj. Për të ardhur te figura e Ali Pashë Tepelenës, Vademekum për Ali Pashë TepelenënKoka: në kryeqytet, larg te Stambolli / Trupi: në Janinë, në varr – varg balade / Shpirti: dyqind vjet në adresë të saktë: / Te “Çajlld Haroldi” dhe te këngët labe. Poetika e atdheut, në hapësirën e përmbledhjes së mbarme të autorit, vjen e shpaluar në tri pamje, ku hetohet fati i qenies, gdhendur në fytyrën e atdheut, që sendërtojnë klithmën se atdheu është vatra e qenies.

Poezia popullore si paratekst

Sendërgjimi i ligjërimit poetik, krahas lidhjes tipologjike të hapur me poezinë gojore, si vargëzim dhe strofë, si frymë dhe ngjyresë, si figurim dhe shprehësi, vihet re se në këtë përmbledhje, shpërfaqet tipi i shkrimit të poezisë, së poetikave të bashkëshkrira, që kërkon qasje dhe interpretim. Është fjala për tipin e poezive, të ndërtuara me dy pjesë, ku pjesa e parë i përkon poezisë gojore, madje ashtu siç vjen në mbamendjen e ngurosur, dhe pjesa e dytë, ku shpaloset ligjërata poetike e autorit. Kjo rrethanë e përveçme, një bashkëlidhni e poetikës orale me sendërtimin e poezisë personale, sjellë në fokus një tipologji të bashkëshkrimit poetik, ku poezia popullore, pra kujtesa shpirtërore e dikurshme, e ka bjerrë situimin paratekstual, e tanimë vjen si parafjalë e tekstit personal. Tipi i poezive të ndërthurjes së dy tipeve të ligjërimit poetik, gojor dhe autorial, në hapësirën ligjërimore të shkrirjes organike të tyre, është një dukuri më e përhapur në cikilin e parë të përmbledhjes së fundit të poetit, ndonëse fekset edhe në poezi të tjera. Pranëvënia e këtillë, e gërshetimit me bashkëshkrimin e poezisë, është një dukuri tipike në ciklin e parë poetik. Për të kuptuar tiparin e shkrimit poetik të bashkëlidhur, po sjellim në vëmendje një nga tekstet poetike. Kështu në poezinë Nata e parë e robërisë në Atdheun e zhbërë që përbëhet nga dy pjesë:
A – Vargje të huamarra në poezinë gojore, kur shprehet: Shkumba e kuajve / Dheun e zbardhëlloi / Gjaku i bujarëve / Zu të rrjedh’ si përrua / Dhe llërët’ e zonjave / Si shandanë mbetën udhëve. 1 “Duall e bukura në derë”, popullore arbëreshe, të cilat të shpien në mugullimat e kohës së qenies arbënore.
B – Vargje të autorit, kur shkruhet: Kur ranë ushtarët radhë me radhë e një nga një / Stemat, flamujt dhe gjithë kështjellat e Arbërisë / Llërat e bardha të zonjave, të prera nga shpata / Si kandila ndriçonin në natën e parë të robërisë. (f. 10), që duket si një vijim i logjikës ligjërimore të poezisë gojore. Po kaq, si një materie organike, ngjet simbioza e faktologjisë poetike, ku gojorja dhe autorialja, janë në marrëdhënie të ndërsjella, ku prekim mesazhin e bartur në dy gjendje, që janë dy pika ujë të vatrës burimore të shqipes.

Klasiciteti modern i frymës

Bërthama poetike e librit, e shtirë edhe në përmbledhjet e tjera me poezi, përçon edhe një “rreng” të formësimit të ligjëratës poetike, që formëson tipin e një poezi klasike, ndonëse të derdhur me frymë moderne. Kur them “rreng” është fjala për një dëshmi poetike, që të vë në mendime në mënyrën se si thuhet. Nëse teoria letrare, pohon se epi në vargje ka “vdekur” ose që e vijon jetën e vet, tashmë në roman, zhanrin e prozës së gjatë, një zhanër në proces të hapur, që vijon të përsoset. Në poezinë e autorit, por edhe në këtë përmbledhje, madje në titull ndeshet termi Epi, që do të kërkonte hulumtim, për të hyrë në kodet estetike, të bartjes në poetikën e librit dhe të shkrimit poetik të autorit. Ndërkohë që epi nuk lëvrohet më, prania e termit, madje në titull, në poezi të shkurtra, nga njëra anë është riformulim i ligjërimit të poezisë, si ndjesi ku lirizmi udhëton bashkërisht me epizmin, e secilës kohë. Në këtë praktikë, të ligjërimit të përveçëm poetik, të rimarrjes së epit, më tepër si frymë, kemi të faktuar dëshminë e poetit, si akt rrëfimi, i vetë kohës që po jetohet. Prania e termit, e sidomos përsëritja kaq e shpeshtë në ligjërimin poetik, me shumë gjasa është edhe një situim i gjetur i parodizimit të zhanrit, madje të përmbysjes së plotë të tij, ndërkohë që në ligjërimin letrar ka humbur terren. Poeti, edhe pse në kohërat moderne, kridhet në nënvetëdije, ku gëlojnë dija dhe marrëzia. Për të prekur këtë tipar po sjellim të plotë vargjet e poezisë Epi për dashurinë e përjetshme ndaj Atdheut, ku edhe njëherë tjetër, rivitalizohet ndjesia e atdheut, teksa shprehet: Atdheu duhet dashur dhe kur të dhembin kockat / Më thotë motra ime Nixhare që nga faqja e tretë / E librit “Rasim Kiçina – Pamje Lirie”, prej nga ajo / Shqipërinë dhe Kosovën vazhdon t’i dojë përjetë. Situimi poetik, duke shënuar Ep-in, në këtë përmbledhje, përsëritet në trembëdhjetë herë, në titullin e poezive, pa hyrë në situatat e pranisë së termit dhe frymës së ep-it, në hapësirat e poezive të librit. Fakti që stilema poetike, vendoset në titull, është një sugjerim që poezia sado personale, nuk e humbet adresën e frymës së kohës, e po kaq poeti, vijon të mbetet kronikani i secilës epokë, duke nënvizuar kështu shenjtërimin e vlerave shpirtërore të poezisë, e veçmas të poezisë për atdheun, vatrën parake të secilit poet, të secilës kohë dhe hapësirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se është…