Poezi e obsesionit estetik dhe e panikut postmodernist

03 mars 2020 | 13:31

Milazim Krasniqi

Vëllimi poetik më i ri i Sali Bashotës shënon kulminacionin artistik të tij si poet, duke na ofruar edhe një mundësi të rishikimit dhe rivlerësimit të gjithë krijimtarisë poetike të tij, që tashmë ka hyrë në dekadën e katërt. Nga “Albumi i grisur” (1986) e deri te vëllimi më i ri, ndërmjet të të cilëve janë edhe vëllimet “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999),  “Bukuri e nëmur ” (2006),  “Dorëshkrimi i ngjallur ” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017),  “Asnjë zë tjetër ” (2018), poezia e Saliut ka ndjekur  një rrugë konstante ambicioze të evoluimit artistik, duke alternuar shqetësimet motivore e tematike, sigurisht nën ndryshimet që kanë ndodhur në jetën personale e shoqërore, por duke mbajtur të pandryshuar obsesionin e komunikimit si një idealizëm estetik, në morinë e komunikimeve rivale  ndërpersonale.

Në këtë linjë vështrimi të gjitha vëllimet e deritashme përbëjnë një strukturë të obsesionit estetik të tij. Edhe vëllimi “Lutja e parë e shpirtit” (2020) inkuadrohet në këtë strukturë, sigurisht duke e pasuruar atë me zhvendosje e pranëvendosje vlerash artistike, po edhe duke u imponuar si element dominues në atë strukturë komplekse falë kulminacionit të vlerave estetike me të cilat merr pjesë.

Këtu, në këtë pikë konstatimi, jam i dyzuar ndërmjet dy opinioneve të dy studiuesve të njohur, Emil Shtajgerit dhe Jan Mukarzhovskit, që ofrojnë dy mundësi të kundërvëna të shikimit të statusit dhe të strukturës së produktit poetik. Shtajgeri pohonte, në një rast, se secila poezi është vepër artistike më vete, e pavarur nga të tjerat në të njëjtin vëllim poetik, pra funksionon edhe si strukturë e mbyllur. Ndërsa Mukarzhovski pohonte se veprat e të njëjtit autor formësojnë një strukturë unike brenda së cilës ndodhin zhvendosje, por duke u ruajtur uniteti i saj.

Pa e minimizuar aspak qëndrimin imanent të Shtajgerit, me këtë rast do ta ndjek qasjen me Mukarzhovskin, sepse më duket më e dobishme për ta hetuar evoluimin e poezisë së Sali Bashotës, e cila ka shumë elementë që barten dhe pranëvendosen nga vepra në vepër, duke e pasuruar tërësinë e duke përjashtuar vetëm ato elemente që tregohen më pak dinamike estetikisht. Mukarzhovki thotë: “Zhvillimi i strukturës individuale të veprës së autorit nuk është i tillë që ta mundësojë ndryshimin e strukturës me kërcime të papritura: kontinuiteti i saj nuk ndërpritet as nga ndryshimet radikale, gjithmonë ekziston rivaliteti ndërmjet asaj që mbetet dhe asaj që vazhdon, prandaj edhe autori është i mbyllur në kufijtë e individualitetit të vet, të cilin me veprën e vet, në të vërtetë, e përsos pandërprerë, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të dalë jashtë kufijve të saj” (Mukarzhovski: 207).

Pra, ndonëse vëllimi më i ri, vërtet paraqet kulminacionin e krijimtarisë poetike të Bashotës, ai mbetet brenda kufijve strukturorë të mëparshëm, sigurisht duke provuar që ta përsosë sa më shumë vargun poetik, pa hequr dorë nga trashëgimia paraprake. Ky fakt vërehet qartësisht në format e titujve të poezive, në formën grafike të vargjeve, në shumë elementë stilistikë, në disa nga motivet qendrore dhe në objektivin qendror të komunikimit, që mbetet me synimin e një komunikimi relativisht të ulët, diskret, gati inhibicional, gjë që bartet si strategji poetike nga vëllimet e mëhershme.

Një vlerë konceptuale, ideologjike dhe estetike e re që imponohet më shumë në vëllimin e ri është një reagim brenda të ashtuquajturit paniku postmodernist. Pra, theksimi i humbjes së sigurisë së individit dhe kërkimi në panik i saj është një vlerë që tashmë duket sikur konkurron më guximshëm me shtresat e vjetra të vlerave konceptuale, ideologjike dhe estetike të poezisë së Bashotës. Poezia “Parandalimi i vdekjes” inicion këto shtresëzime, me elemente tipike të panikut postmodernist:

Sytë e kaltër të ëndrrës
I dua shumë
Si ty
Si ty
Si ty
Por ti nuk je përmallim i djegur
Nuk je as frikë
Nuk je as ikje
Nuk je as dhimbje
Mollëzat e përflakura të vetmisë
I dua shumë
Si ty
Si ty
Si ty
Por ti nuk je dashuri e çmendur
Nuk je as mëkatare
Nuk je as hije
Nuk je as vdekje e bukur

Ky është një ligjërim poetik tipik me tharmin e panikut postmodernist brenda ligjërimit, madje edhe dukjes grafike. Subjekti lirik i stresuar tenton të gjejë shtigje të reja të njohjes, të shpëtimit nga paniku, qoftë duke evokuar dashurinë si vlerë sublime humane, qoftë duke evokuar ëndrrat, qoftë duke u mbështetur në iluzione e vizione të brishta, që shpërbëhen dhe që vetëm ideja fikse (që mishërohet në vargjet: si ty, si ty si ty) arrin t’i mbajë pezull.

Në këtë kërkim të rrugëve të njohjes e të shpëtimit, tashmë përfshihet edhe Transcendenca, sado që jo si instancë e njohjes, po si element i emocionit, më saktë panikut. Fjala vjen, operohet me nocionet libër dhe testament që kanë të bëjnë Librat e Shenjtë, por autori vetëm i evokon si nocione, ndërsa shmang referimin e ligjërimit poetik në to si instanca denotative, gjë që sërish më duket si intonacion i panikut postmodernist:

Libri i ëndrrave
I vetmi testament
Për një lutje

Por, ka edhe raste kur ka më shumë qartësi konceptuale në këtë kërkim, në disa poezi të këtij autori, fjala vjen në poezinë  “Tri pika”:

Pika e parë
Shpirti i saj
I mëshiruar nga Zoti

Pika e dytë
Fytyra e saj
E mishëruar nga Zoti

Pika e tretë
Buzagazi i saj
I mëshiruar nga Zoti

Ligjërimi më i shtruar, më vizionar, vërehet lehtësisht në këso rastesh sesa në rastet kur kombinohen përfytyrimet, idetë, përjetimet nga sfera të ndryshme jetësore e botëvështrimore të kundërvëna. Në fakt, ky është një nga problemet më të mëdha që ka e gjithë poezia shqipe e modernizmit, po edhe e postmodernizmit, pra një eklektizëm konceptesh e vlerash të kundërvëna, që nxirren nga shtrati natyral dhe futen në njëfarë shtrati prokrustial. Është pasojë e doktrinave dhe rrymimeve të kundërvëna, të pafiltruara, të pahierarhizuara, të pavlerësuara qartë, gjë që pothuajse pashmangshëm shpie drejt përjetimit agnosticist të botës. Postmodernizmi është truall shumë i pëlleshëm për këso pranëvendosjesh dhe këso eklektizmash. Prandaj, komunikimi më frytdhënës me publikun dhe transmetimi i një vizioni estetik më imament e më koherent për njohjen, në këtë kontekst, mbetet sfidë serioze.

Sidoqoftë, kjo ndjeshmëri postmoderniste në poezinë më të re të Bashotës e pasuron atë koncetualisht dhe artistikisht. Brenda kësaj ndjeshmërie janë edhe mikronarracionet e subjektit lirik mbi dashurinë, vetminë, ëndrrat, hutimin, rezingantën, por edhe ironia që, ndonëse jo shumë e dendur, ka raste që bashkohet në këtë frymë konceptimi postmodernist, si në poezinë: “Ideali i dyfishtë”, ku dominon ironia ndaj atyre që abuzojnë lirinë, duke qenë megalomanë, egoistë, kleptomanë dhe faqezi:

Unë jam më i vogli
Të mëdhenj jeni ju të tjerët
Që mbartni mbi supe lirinë
Asnjë stuhi nuk iu ndal
Asnjë fuqi e gravitacionit të tokës
Që vërtet të dukeni të mëdhenj
Shumë të mëdhenj sa të çmendeni

Mirëpo, në poezinë e Saliut shumë shpesh paniku postmodernist kombinohet me idealizmin modernist, më saktë me konceptimin romantik për poetin si një lloj demiurgu, i cili ka rol të veçantë dhe, mbase, edhe mistik në misionin e tij për ta zbuluar të bukurën në natyrë, në jetë dhe veçmas në gjuhë. Poeti mbetet për Bashotën një institucion që humanizon, që transmeton fisnikëri e dhimbje, ndonëse mbetet i moskuptuar.

Të jesh vetëm poet do të thotë të jesh dhimbje e përflakur
Përgjithnjë në tokën e zezë
Përgjithnjë në detin paanë
Përgjithnjë në qiellin pa yje
Të jesh vetëm poet

 

Ose:

Askush nuk i duron poetët
Ata janë si lumenjtë e qiejve
Që rrjedhin brigjeve të amshimit
Askush nuk i duron poetët
Kur thurin vargje për vuajtjen e tjetrit
E për vete protestojnë vetminë e tepërt

(“Askush nuk i duron poetët”)

 

Ndonëse ky konceptim është brenda kornizës moderniste romantike, në tërësinë e ligjërimit, edhe ky më duket sikur ligjërim paniku, duke denoncuar çrregullimin  në komunikimin e individit me shoqërinë. Ligjërimi poetik me intonacione të larta, gati me klithma, e bën bindës këtë konceptim. Sikundër që pohonte Llotmani, “nuk udhëheq vetëm tema shenjën gjuhësore, por edhe shprehja gjuhësore udhëheq temën” (Llotman: 94.) Pra, kjo do të mund të thoshte kështu: koncepti për poetin si iluminues e si ëndërrimtar mbetet aktiv, por ligjërimi gjuhësor-poetik i ndryshuar për të, ndikon që edhe ai status të shihet si i ndryshuar. Saktësisht siç është në realitetin jetësor!

Për ta bërë sa më të qartë këtë raport, po ju njoftoj se cikli “Imazhi i pestë Dhimbja”, me vënien e imazhit në plan të parë, i cili sikundër dihet është elementi më i ekspozuar i përjetimit postmodenist të jetës/botës, dëshmon se Bashota tashmë ka avancuar shumë në ligjërimin me këtë frymë. Intonacionet e pasuruara të vargut, të bashkuara me nivele të tjera të ligjërimit poetik, në mënyrë intuitive marrin përsipër të bëhen shenja të realitetit të kohës në të cilën jetojmë në panik, ndërmjet kaosit e anarkisë, antivlerave dhe dehumanizimit. Llotmani ka sinjalizuar moti: “Për shqyrtimin e korrelacionit ritmik të intonacionit dhe semantikës së vargut, si pikë nistore duhet të shërbejë bindja që rendi ritmik-intonativ nuk është strukturë e pavarur, por është element që shërben për një varg nënstrukturash të cilat në bashkëveprim konstituuojnë sistemin unik të tekstit, i cili quhet poezi dhe i cili paraqet shenjë të përmbajtjes së caktuar dhe model të realitetit të caktuar (Llotman: 247)

Falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin.

Këso përcaktimesh ka edhe për motive të tjera, veçmas për motivin e dashurisë, që është motivi dominues në këtë vëllim dhe veçmas në vëllimin pararendës të autorit. Ja një shembull definimi impresiv poetik:

Dashuria është si trëndafil i bardhë
Me trup të drejtë
Dashuria është si zjarri i ndëshkimit
Me shumë të panjohura
Dashuria është si gjumi i shpirtrave
Në mesnatën e lumturisë

(“Dashuria”, Kushtuar atyre që dinë çdo gjë për dashurinë)

Nëse do të bëja një klasifikim të vogël të poezive antologjike të këtij vëllimi, në të do të përfshija këto poezi, ose vepra të veçanta artistike, (këtu sërish ripajtohem me Shtajgerin): “Bukuria”, “Të jesh vetëm poet”, “Gjethet s’bien gjithmonë në tokën e vet”, “Si lind poezia për ty”, “Liria”, “Ideali i dyfishtë”, “Askush nuk i duron poetët”, “Njësoj si sytë e tu” , po edhe disa të tjera nga ky vëllim voluminoz.

Një vëllim poetik që ka kaq poezi antologjike brenda dy kapakëve, ia vlen të lexohet qoftë dhe vetëm për to. Ndonëse në rastin e këtij libri, i tëri është i këndshëm për lexim dhe ofron një përjetim mirëfilli artistik. Bile në këtë kontekst, poezia e Bashotës ende ka mbetur me njërën këmbë jashtë ligjërimit postmodernist, i cili zakonisht është më eksplicit, më sipërfaqësor, më vulgar, më pak domethënës e më pak mbresëlënës. Shumica e poezive të tij përshkohen nga poetizma dhe figura që prodhojnë emocion, ndjeshmëri morale dhe përjetim estetik.

Si lexues i vëllimit, derisa ishte në dorëshkrim, e kam lexuar me sytë e mi e jo me sytë e autorit. Aq më pak me sytë e lexuesve të ardhshëm. Prandaj, leximi im që po u ofrohet këtu si parathënie, mund të jetë një urë lidhëse ndërmjet autorit dhe lexuesve, por kjo nuk është fare e domosdoshme. Lexojeni vetë, përjetojeni vetë. Ndërsa autori më nuk ka të bëjë me mënyrën se si ne e lexojmë dhe e vlerësojmë poezinë e tij. Ai ka bërë mjaft, na e ka afruar mundësinë që të komunikojmë me të. Kjo është zemërgjerësia e poetëve të vërtetë, të cilën komunikuesit e tjerë, nuk e kanë në këtë formë e në këtë nivel.

 

(Parathënie e librit “Lutja e parë e shpirtit”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar edhe zyrtarisht shitja e biletave për përballjen në…