Poezi nga Fitim Veliu

26 maj 2025 | 10:32

RIGJETJA E VETES

 

Ngado që shkojmë

gjejmë diçka nga vetja jonë

qoftë hije, qoftë shije

dhe pastaj nga copëza shpirti

mundohemi ta tejkalojmë edhe veten

edhe jetën

përhumbje e përgjumur

 

NDJENJA SI HARRIM E GJAKIM

 

Ndjenja nuk tregohet

se përjetohet si dhembje e shembje

të tregosh do të thotë të vetasgjësohesh

ndjenja nis si mall e gjakim

del në shesh si frustrim, si dhembje shpirti

herë si hije e herë si shije

ajo përjetohet si aksios e vetes sonë dhe mbaron

me një zemërim në trajtën “me ikë do të thotë me mbaru pak nga pak”

një ditë do të mbarosh, Sevio, mos harro!

se ndjenjën që të dhashë, e thashë

e humbe pa asnjë kujtim, e parim real

kjo vrragë në shpirt, do të kthehet si mallikim fisi e lisi

do ta vuash dhembjen sa malet e koha ka për t’u duk shekull

 

MJEGULLA QË SOLLE

 

Do të gjurmoj në mjegullën që solle

në fatin tim që e shove

kërkove vdekjen time si shpëtimin tënd të përjetshëm

me tërë vuajtjet në mish e në shpirt

nuk u ngope sot as mot

dëshmitare do t’i kem stinët e shekujt

sepse kam kaq shekuj që jetoj

e sot dola në Dritë, Sevio

 

PËRROI PSIKIK

 

Fonema të padëshifruara më ngacmojnë

kodi motivues provon dekodimin

përmes rrugëve frymëzuese

sa e rëndë, sepse sa më i rëndë emocioni

aq më i paparashikueshëm bëhet reaksioni

po luan me përroin tim psikik, Sevio

 

KËRKIMI I VETES

 

Kërkimi i personales si dhembje

qenka shembje, i mundimshëm

dhe u arrtika vetëm në shkallën e vetëharrimit

aty relativizohet e subjektivizohet koha deri në pakufi

malli për ty qenka një mërgim i ri

se dhemb malli i djegur durimplotë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
CHARLES BAUDELAIRE Kuvendi i madh i zanave ishte mbledhur për…